VLORË - Humbja e djeshme 0-1 me Egnatian në Vlorë, sfidë e vlefshme për raundin e 23-të të Superligës së futbollit, ka sjellë 'furtunë' në Vlorë. Drejtuesit e Flamurtarit nuk e kanë kapërdirë dot situatën dhe vendin e fundit në renditje, teksa pritet shkarkimi i trajnerit italian, Francesco Moriero.

Ky i fundit u ul në stolin e vlonjatëve më 8 tetor 2025 duke zëvendësuar spanjollin Carlos Garcia. Tanimë në Vlorë kanë gjetur edhe zëvendësin dhe ai është Julian Ahmataj, ish-trajneri që pak javë më parë u largua nga drejtimi i Kombëtares U-19 të Shqipërisë.

Me vetëm 19 pikë pas ndeshjes së 23-të në Superligë, Flamurtari mbetet në vendin e fundit dhe ka vetëm dy fitore në 12 ndeshjet e fundit. Francesco Moriero e ka drejtuar skuadrën për 20 ndeshje në stol, nga të cilat ka siguruar gjashtë fitore, pesë barazime dhe nëntë humbje.

Si të mos mjaftonin rezultatet e këqija, 'thyerja' mes trajnerit dhe drejtuesve ka ardhur edhe për shkak të mos aktivizimit të lojtarëve të akademisë.