Partia Demokratike kërkon nga Kryeministri i vendit, Edi Rama që të bëjë transparencë, sa i takon çështjes së pritjes dhe trajtimit të muxhahedinëve në vendin tonë.

Për këtë çështje zv.kryetari i komisionit të Sigurisë, Flamur Noka i ka bërë kërkesë Kuvendit, kërkesë që i është dorëzuar sot.

Sipas Nokës, duke e vlerësuar partneritetin strategjik me SHBA dhe duke garantuar mbështetjen maksimale të objektivave të përbashkëta, PD e konsideron këtë çështje si të rëndësishme në fushën e sigurisë kombëtare dhe kërkon të dhëna të plota mbi ecurinë e procesit.

Noka në kërkesën e bërë kërkon informacion të detajuar për masat e marra, për kapacitetet pritëse, për standardet e ofruara, për trajtimin e tyre, numrin e saktë të personave të mbërritur, sa pritet të vijnë dhe afatet kohore.

Po ashtu, ai kërkon të dijë edhe faktin nëse ata e kanë statusin e refugjatit dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre, etj.

kerkesa pd
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)