Përmes një krahasimi, deputeti i Partisë Socialiste Eduart Shalsi tha se qeveria ka përdorur dy standarde vlerësimi për privatizimin e hidrocentralit të Lanabregasit dhe për privatizimin e 4 hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet e Ulëz. Nëse 4 hidrocentralet e vogla do të privatizoheshin me të njëjtin çmim me të cilin u privatizua hidrocentrali i Lanabregasit, atëhere në buxhetin e shtetit do të arkëtoheshin 234 dhe jo 109,5 milion euro.
Partia Socialiste paralajmëroi se do të vijojë me denoncimet publike ndaj qeverisë për këtë çështje, pas denoncimit bëri në prokurori. Pak ditë më parë, qeveria miratoi privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet-Ulëz duke njohur ofertën më të lartë të paraqitur nga kompania “Kurum”. Pas miratimit nga qeveria, hapi radhës së këtij procesi është nënshkrimi i kontratës së privatizimit.
DEKLARATA E PLOTE E EDUART SHALSIT
"Sikundër jeni në dijeni dje në emër të Partisë Socialiste kam depozituar një kallëzim në Prokurorinë e rrethit Tiranë në lidhje me vendimin e Qeverisë për të shitur/privatizuar 4 HEC-et, Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 dhe 2. Sot do të bëjmë një krahasim më konkret midis dy llojeve të shitjeve të hidrocentraleve që kanë ndodhur brenda një periudhe dy mujore.
Fillimisht kishim shitjen e HEC-it të Lanabregasit. Në fund të tetorit Parlamenti Shqiptar miratoi shitjen që Qeveria e Shqipërisë i bëri hidrocentralit të Lanabregasit tek pushteti Vendor i Tiranës. Kapaciteti i këtij Hidrocentrali është 5 Megavatt fuqi e instaluar dhe vlerësimi sipas raportit të ekspertëve ishte 14 000 000 EURO. Ndërkohe që transaksioni i shitjes u mbyll me 15 000 000 Euro. Për rrjedhoje kemi një vlerë prej 3 milion euro për 1 megavatt fuqi të instaluar.
Më tej, pas dy dështimesh kemi shitjen e Hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit, Bistricës 1 dhe 2, të cilët në total kanë një fuqi të instaluar prej 78 megavatt dhe çmimi i shitjes është sipas informacionit të bërë publik në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave për të 4 këta HEC-e është 109.5 milionë euro. Pra për rrjedhoje kemi një vlerë prej 1.4 milion euro për 1 megavatt fuqi të instaluar. Krahasimi 3 milion me 1.4 milion
Vlera e shitjes e këtyre lloj veprave përcaktohet nga disa faktorë, shkalla e amortizimit të investimit, çfarë të ardhurash gjeneron aktualisht, sa kanë qenë në të kaluarën dhe si parashikohen në të ardhmen dhe sa të qëndrueshme janë këto të ardhura në kohë. Çfarë ka ndodhur? Si shpjegohet që e njëjta qeveri, i njëjti komision dhe të njëjtët njerëz përcaktojnë vlera kaq të ndryshme brenda një periudhe kohore 3 mujore? Le të shohim tabelën për të kuptuar më mirë se sa është shuma e vërtetë që do t’u mungojë shqiptarëve.
125 milion euro të humbura, shpërdorim i orkestruar i detyrës, grabitje të pronës publike. Ky është një informacion i thjeshtë, i qartë i kuptueshëm për cilindo. Por, ne Partia Socialiste, jemi kundër kësaj shitjeje dhe në ditët në vijim do t’ju japim argumentet se pse këto hidrocentrale nuk duhet të shiten dhe pse duhet të mbesin pronë publike".
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)