Prizren,356 shqiptarë shpallen të
vdekur gjatë luftës në Kosovë

Prizren,356 shqiptarë shpallen të<br />vdekur gjatë luftës në Kosovë
PRIZREN- 356 persona, të zhdukur para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumica nga fshati Krushë e Vogël, me kërkesë të familjarëve të tyre janë shpallur të vdekur nga Gjykata Themelore (GJTH) në Prizren.

Shumica e këtyre personave janë nga lokalitetet që përjetuan më shumë tmerrin e forcave ushtarake serbe gjatë luftës. Ata u takojnë të dyja gjinive, ndërsa mosha e tyre nis nga 14 vjeç e lartë.

Zyrtarja për informim publik në kuadër të GJTH-së Afërdita Kicaj, konfirmoi për “Zërin” se njëra ndër arsyet kryesore që çon familjarët në këto kërkesa është zgjidhja e çështjeve të ndryshme të trashëgimisë, pastaj të pensioneve, rregullimit të statutit martesor si dhe çështje të tjera familjare.

Ajo tha se nga 356 sa është numri i përgjithshëm i personave të shpallur si të vdekur, 123 janë nga qyteti. Pos të zhdukurve, këtu bëjnë pjesë edhe ata për jetën e të cilëve gjatë pesë vjetëve të fundit nuk ka pasur kurrfarë informatash, kurse nga lindja e tyre kanë kaluar 65 vjet.

“Sipas të dhënave statistikore janë 96 persona të zhdukur, të cilët janë shpallur të vdekur. Prej tyre 50 janë nga Krusha e Vogël, ndërsa të tjerët janë nga rajoni i Hasit, pastaj fshatrat Landovicë, Randobravë, Mushnikovë, Piranë, Kushnin, Manastricë, Jeshkovë, etj”, tha ajo.
Komuna e Prizrenit është ndër komunat më të dëmtuara gjatë luftës në Kosovë. Përveç shkatërrimeve materiale, këtu kanë humbur jetën edhe shumë njerëz. Mbështetur në shënimet e KMDLNJ-së në Prizren nga ky rajon kanë humbur jetën rreth 500 persona.

Sipas ligjit, një person shpallet i vdekur, nëse në afat prej tre vitesh nga dita e zhdukjes apo pas mbarimit të luftës nuk ka kurrfarë informate apo lajmesh se ai është gjallë.
Kërkesën për shpalljen e një të zhdukuri si të vdekur kanë të drejtë ta bëjnë familjarët e tij apo edhe personat e tjera që kanë ndonjë interes nga kjo çështje si dhe vetë prokurori publik.

Njëri nga gjykatësit e GJTH-së, që preferoi te mbetet anonim, tha se ka pasur edhe raste të mospajtimeve në mes të anëtarëve brenda familjes për inicimin e procedurës, ndërsa disa të tjerë ngurrojnë, që të familjarin ta shpallin të vdekur duke menduar se një ditë ata do të lajmërohen gjallë.

Sipas ligjit, me një procedurë të shpejtë, vetëm me dëshminë e një dokumenti se i njëjti është gjallë aktvendimi i mëparshëm për shpalljen e tij si të vdekur shfuqizohet.

Redaksia online
(e.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan