Prizreni i është bashkuar qyteteve të tjera të Kosovës në aktivitetin “Ora e Pritjes” dhe numërimin mbrapsht drejt 16 shtatorit, në shenjë mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit janë vendosur flamuj me simbolin e UÇK-së, të shoqëruar me mesazhin “Kosova po pret”, si thirrje për bashkim dhe pjesëmarrje masive në “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.

Aktiviteti organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka njoftuar se tubimet dhe aktivitetet mbështetëse do të vijojnë gjatë ditëve në komunat e Kosovës, por edhe në diasporë.

Në fokus janë përgatitjet për “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa më 15 dhe 16 shtator pritet të zhvillohet edhe “Nata e Pritjes” në Hagë.

Më 16 shtator pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa aktivitetet e organizuara në Kosovë dhe diasporë synojnë të përcjellin mesazhin e solidaritetit dhe mbështetjes për ta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:35
Para shpalljes së vendimit në Hagë, Komuna e Prishtinës shpalos banerin gjigant në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Shpallini të pafajshëm! (FOTO)

 

Komuna e Prishtinës ka vendosur një baner gjigant në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Në të shkruhet “Në emër të qytetarëve të Prishtinës, shpalleni të pafajshëm”, ndërsa mesazhi është firmosur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe nënkryetarja Besianë Musmurati. Baneri është vendosur teksa me 16 shtator Haga do të japë verdiktin përfundimtar për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin