Ndryshimet në ligjin për turizmin që i japin të drejtë qeverisë të pezullojë ndërtimet gjatë sezonit turistik do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar, ndërsa diskutimet kanë nisur tashmë në komisionet parlamentare.
Drafti i propozuar nga Taulant Balla parashikon se përmes një VKM-je qeveria përcakton zonat konkrete, llojet e punimeve që ndalohet gjatë sezonit dhe periudhën e saktë apo oraret e ndalimit.
Por me propozim të Ministrit të Turizmit, qeveria mund të ndryshojë gjithashtu institucionin përgjegjës për administrimin e një zone me përparësi zhvillimin e turizmit për projekte ose investime që cilësohen me interes publik apo rëndësi kombëtare. Ndryshim që Redi Muçi, deputet i Lëvizjes Bashkë e cilësoi si taktikë për të vijuar zbatimin e ligjit të investimeve strategjike.
“Neni 1 u kalua tërësisht tangjent. Zgjatim i ligjit të investimeve strategjike…që të gjitha kompetencat për realizimin e projekteve kombëtare t’i bëjë… aty ku Edi Rama ka një zonë të piketuar ta gllabërojë zonat me potencial”, tha Muçi.
Akuza të pabaza i cilësoi kreu i grupit të PS, Taulant Balla.
“Neni 28 i ligji aktual përcakton se me propozim të ministrit, KKRT miraton zonat me përparësi, kështu ka qënë. Pse gënjen që po hiqet autonomia vendore… ka qenë kështu”, tha Balla.
Në projektligj propozohet gjithashtu që çdo subjekt që kërkon të ndërtojë një hotel apo strukturë tjetër akomoduese duhet të marrë fillimisht një certifikatë paraprake kategorizimi.
Pa këtë dokument nuk mund të miratohet leja e ndërtimit. Kategoritë, klasifikimet dhe kriteret përkatëse do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke i dhënë qeverisë mundësi t’i ndryshojë pa ndërhyrë sërish në ligj. Për shembull yjet e hoteleve tanimë do të përcaktohen me vendim të këshillit të ministrave.
Hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese duhet të regjistrojnë elektronikisht klientët. Të dhënat do të përfshijnë numrin e vizitorëve, netët e qëndrimet, shtetësinë dhe rezidencën, gjininë dhe moshën.
Komente











