Problematikat komplekse për hartimin
e “Historisë së Letërsisë Shqiptare”

Problematikat komplekse për hartimin<br />e “Historisë së Letërsisë Shqiptare”
Rishkrimi i “Historisë së Letërsisë Shqiptare” mbetet synimi themelor i shkencës sonë letrare. Debatet e zhvilluara gjatë 20 viteve të fundit, kanë treguar se problematika e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme për kulturën tonë kombëtare, është më komplekse sesa duket. Ky debat është i përqendruar, deri tani, kryesisht në kritikat për botimet e mëparshme, pa u ndalur në aspekte thelbësore të metodologjisë së konceptimit të “Historisë së Letërsisë Shqiptare”.

Përvoja shumëvjeçare, në fushën e Teorisë së Letërsisë, më jep bindjen shkencore se nuk mund të bëhet kthesë në hartimin e historisë së letërsisë, pa u thelluar në korpusin teorik, që orienton në njohjen e specifikës së sistemit letrar, dhe specifikës së sistemit të studimit letrar.
 Ky referim nuk është konceptuar si zgjidhje përfundimtare e një varg aspektesh, që unë i konsideroj thelbësore në hartimin e një historie të re të letërsisë, por si parashtrim, edhe në trajtë provokimi, i disa çështjeve teorike, pa zgjidhjen e të cilave kjo ndërmarrje nuk do të ishte e suksesshme.

1. Shkencën e letërsisë, e ka shoqëruar herë pas here dilema: a duhet të ketë histori të letërsisë ?
Çështja dhe statusi i “Historisë së Letërsisë” u komplikua më shumë gjatë shekullit XX. Përpunimi i teorive moderne, që sollën pikëpamje të ndryshme mbi  mënyrën e kuptimit dhe interpretimit të letërsisë, e bëri problematikën e Historisë së Letërsisë më komplekse dhe debatuese. Pikëpamje të ndryshme shfaqen si ajo e Claude Levi-Strauss, që  e trajtonte jo si një disiplinë më vete, por si metodë që nuk zotëron një objekt të caktuar. Ose, sipas Roland Bart, qëllimi i shkencës së letërsisë nuk është të shpjegojë kuptimin e një vepre, çka do ta “komprometonte” atë, por të ishte një shkencë e formës; sipas tij, ajo nuk do të interpretonte simbolet, por vetëm polivalencat e tyre. Kjo shkencë nuk do t’u referohet më kuptimeve të plota të veprës, por anasjelltas, boshllëqeve që përbëjnë të tërën..

Teoria e mohimit të Historisë së Letërsisë ndeshet edhe në ditët tona. Ka pikëpamje, sipas së cilës letërsia nuk ka histori, pra si rrjedhojë nuk është e nevojshme historia e letërsisë, përderisa objektet e saj janë dhënë njëherë e përgjithmonë. Sipas këtij koncepti do të duhej të pranonim se poezitë e Naimit, Fishtës, De Radës, skicat e Migjenit, etj. nuk kanë lidhje me historinë, sepse ato jetojnë, lexohen deri në ditët tona. Duke iu referuar vetëm disa prej pikëpamjeve teorike, deri në ditët e sotme, dallojmë tre qëndrime kryesore : I pari, që vlerëson dhe konfirmon vlerën e një historie të letërsisë; I dyti, që mohon ekzistencën, statusin e saj; Qëndrimit i tretë, dyshues, që e sheh historinë e letërsisë, si disiplinë shkencore në dekadencë.

Sipas mendimit tonë, çdo dyshim për natyrën dhe funksionin e Historisë së Letërsisë, do të thotë mohim edhe i Shkencës së Letërsisë, e cila tashmë është pjesë e sistemit të shkencave, që kanë si objekt jetën komplekse njerëzore. Historia e Letërsisë, si disiplinë e kësaj shkence, ndjek letërsinë në proceset e gjata të zhvillimit historik, duke zbuluar, përmes hetimit të formave artistike, evolucionin shpirtëror dhe krijues të një populli.

2. Teoritë  e  konceptimit të  historisë  së  letërsisë
Është folur për katër revolucione në studimin  e letërsisë, si :
1. Kalimi nga paradigma metodologjike idealiste te ajo pozitiviste;
2. Kalimi nga paradigma metodologjike pozitiviste tek anti-pozitiviste, e brendshme, ose formale, shtrirë në shumë variante: formaliste, gjuhësore, stilistike, retorike, kritikë e re etj.;
3. Lëvizja nga paradigma formale te strukturore, e cila është e radikalizuar në praktikën teoriko-metodologjike semiotike, duke krijuar në këtë mënyrë një tërësi evoluese të plotë (veprën letrare si një strukturë dinamike të hapur, për të cilën janë të rëndësishme tre përbërës themelorë – vepra/tekst në vetvete, autori dhe lexuesi i saj;
4. Kalimi nga matrica metodologjike strukturore-semiotike në atë dialogjike, ndërdisiplinore dhe kontekstuale, dominante në teoritë poststrukturaliste dhe postmoderniste.
Kështu, shekulli XX afirmon disa teori, që, në raport me njëra tjetrën,  janë ose paralele, ose të kundërta dhe polemizuese. 

 A është sot studimi historiko-letrar në krizë?
Çlirimi i shkencës letrare, në 20 vitet e fundit, nga skematizmi ideologjik, si dhe kontaktet me studime bashkëkohore, kanë ndryshuar dukshëm pikëvështrimin dhe interpretimin e letërsisë. Megjithatë, sipas nesh, pikërisht ky realitet i ri i studimeve të sotme, është ende problematik. Pse?  Të gjitha dilemat që ka hartimi i “Historisë së Letërsisë Shqiptare” gjejnë zgjidhje vetëm nëse në sistemin tonë të të menduarit është e qartë skema universale, e cila njeh Shkencën e Letërsisë të realizuar në tre fusha kërkimi  :
a. Fusha  teorike, domethënë studimi logjik dhe sintagmatik i letërsisë, i tekstit letrar.
b. Fusha aksiologjike, domethënë kritere të qasjes dhe të vlerësimit kritiko-estetik. 
c. Studimi historiografik, domethënë vështrim në planin diakronik, paradigmatik.

3. Përcaktimi i raportit midis historiografisë letrare dhe metaligjërimeve të tjera, mbetet një aspekt themelor i dallimit të natyrës dhe funksionit të Historisë së Letërsisë. Dihet se historiografia letrare është një realizim ndërdisiplinor, një nga fushat më të hapura, më bashkëpunuese, më krahasimtare dhe interpretuese.  Nëse e gjithë praktika historiografike letrare tregon lidhjet me disiplina të tjera, që i përkasin sferës së njohjes së letërsisë, si teoria, kritika, poetika, stilistika, tekstologjia, letërsia krahasimtare (si metodë studimi) etj.; me disiplina të karakterit humanist, si filozofia, filologjia, historia e arteve, historia kombëtare, historia e religjioneve, antropologjia, sociologjia, studimet kulturore;  si dhe me disiplina të një sfondi më të gjerë të shkencave ekzakte,  si statistika, semiotika e përgjithshme, paleografia etj., kjo do të duhej të mos cenojë konceptin mbi thelbin e letërsisë, çka lidhet ngushtësisht me realizimin e  Historisë së Letërsisë.

     4. Realiteti  historik dhe realiteti i të kuptuarit letrar të historisë
Ndikimet apo paralelet që historianët e letërsisë kanë synuar të hetojnë te autorët në raport me zhvillimin historik, janë të ndryshme. T.S.Eliot ishte kundër konceptit të ngushtë kronologjik të historisë së letërsisë. Harold Bloom e shihte idenë e “traditës” në dritën e konceptit strukturalist dhe teorisë frojdiane. J.Kristeva me konceptin e “intertekstualitetit”, ndryshoi nocionet tradicionale të traditës dhe të ndikimit letrar, duke sugjeruar që të gjitha veprat, tekstet, janë, në të vërtetë, zhvendosje të shumëfishta nga tekstet e tjera, qofshin këto letrare apo dhe jo letrare.
     Nëse do t’i referoheshim Historicizmit të K.Popper sipas të cilit përshkrimi i ndryshimit dhe çka mbetet e pandryshuar gjatë ndryshimit (thelbi), janë të ndërvarura, kjo do të thotë se, në një farë kuptimi, thelbi (letërsia) gjithashtu parakupton ndryshimin, që këtej dhe historinë.

Nga ana tjetër koncepti i Adorno, sipas të cilit marrëdhënia e letërsisë me realitetin nuk është marrëdhënie identifikimi, por diferencimi, sipas nesh e pakapur në studimet tona letrare,  i jep një nuancë të re kuptimit mbi raportin letërsi-histori.    
 Problemi është teorik dhe mund të zgjerohet më tej : a është e vërtetë se gjatë zëvendësimit të periudhave historike-politike ndodh edhe ndryshimi i menjëhershëm i stileve dhe parimeve estetike të letërsisë? Sqarimi i këtij raporti, përbën një nga çështjet themelore, që do të vendoste mbi një bazë shkencore marrëdhënien midis historisë dhe evolucionit të formave letrare. Trajtimi i veprave thjesht në analogji dhe në rendin  e ngjarjeve historike, ka cenuar thelbin e historiografisë letrare. Nëse duhet folur, për shembull, për risi të prozës së Koliqit, të poezisë së Lasgushit, apo të Migjenit, etj. këto dukuri artistike nuk mund të vështrohen thjesht dhe vetëm si pasojë e fenomeneve historike, por si zhvillime specifike letrare  dhe si shkak për zhvillime të tjera në letërsinë e kohës…. Teksti i Historisë së letërsisë shqiptare nuk është historia e historisë, por historia e zhvillimeve të brendshme të gjinive, poetikave, strukturave të letërsive, në periudhat e lulëzimit të letërsisë, nga fillimet e deri në ditët e sotme.

5. Problemi i metodologjisë dhe i metodave të studimit
Nëse flasim për konceptin e metodës në shkencën e letërsisë, mund  t’i referohemi pohimit të Hegelit, sipas të cilit “metoda duhet t’i përgjigjet objektit tek i cili aplikohet” edhe pikëpamjes së Todorovit se “Metoda krijon objektin e vet”. Këto dy koncepte bëjnë të qartë se lidhja midis letërsisë dhe metodave të studimit të saj nuk është diçka e rastësishme;  zbatimi i metodave të caktuara krijon mundësinë që letërsia të mbetet objekti i studimit me thelbin e vërtetë të saj. Përvoja e historive letrare, te ne, ka treguar se përdorimi i një metode të gabuar, ose të pamjaftueshme, si për shembull sociologjizmi vulgar, ka deformuar objektin, domethënë ka bërë që letërsia të përfytyrohet e devijuar nga thelbi i vërtetë estetik i saj. Kjo lidhet vartësisht edhe me konceptin e metodologjisë (meta-shkencë). Midis disa përcaktime, do të ishim për kuptimin e metodologjisë si përcaktuese e parimeve të studimit shkencor, pra si teori që përcakton bazën filozofike të metodave.

Ajo ndërton marrëdhëniet midis letërsisë dhe studiuesit të letërsisë. Për shembull, vetëm sa për ta konkretizuar këtë marrëdhënie : Në aspektin metodologjik është e nevojshme të nisemi nga parimi se, historikisht, sistemi letrar priret të thithë ndryshimet dhe risitë që sjellin vepra dhe autorë të caktuar; nga ana tjetër edhe vetë asimilimi është një hap i vogël në procesin e gjerë të ndryshimit, që reflektohet nga një periudhë letrare në tjetrën, apo dhe brenda një gjinie apo lloji letrar (siç ndodh me romanin, që në zhvillimet estetike të sotme është prirur të asimilojë tipare të dramës.) Është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet midis një modeli poetik (për shembull një gjinie) dhe gjithë sistemit të letërsisë të shihen si një nga kushtet për vazhdimësinë e të dyjave.  Këto dy teza (që nuk janë të vetmet) i përkasin pikërisht kuptimit mbi funksionin e metodologjisë së shkencës së letërsisë, ato orientojnë historianin në përzgjedhjen e metodave të studimit të letërsisë sonë, sipas specifikave të fazave letrare.

Nëse çdo studim historiko-letrar niset nga parimi metodologjik se zhvillimi, ecuria historike e letërsisë është ndryshim i vetë sistemit letrar dhe i parimeve të ndërtimit të saj, si dhe nga fakti se letërsia jonë kombëtare lindi në një kontekst  social-historik-kulturor, se ajo ekziston në kohë dhe në hapësirë të caktuar, atëherë shumëllojshmëria e metodave të studimit të saj nuk është problemi, por, sipas nesh, zgjidhje e problemit  para historianëve të letërsisë.

Mund të përcaktohet disa grupime metodologjike të studimit, si :
- teoritë vlerësuese, që mbështeten në parimin mimetik, që vlerësojnë raportet me realitetin;
- teoritë që vlerësojnë karakterin ekspresiv të imagjinatës së autorit;
- teoritë që kërkojnë vlerën letrare në cilësitë gjuhësore formale të veprave;
- teoritë, që mbi bazën e këtij kriteri të fundit, i gjejnë vlerat e veprave te  përjetimet e studiuesit.
Problemi është se si historiografia jonë letrare do të ndërtojë marrëdhëniet e këtyre qasjeve me dukurinë letrare dhe ç’vend zë secila qasje në studimin kompleks të letërsisë sonë.

6. Njohja e specifikës së Historisë së  letërsisë përmes  Teorisë  dhe  Kritikës   letrare. 
Perceptimet individuale në hartimin e historive të letërsisë,  kanë bërë që shpesh të mos jetë e qartë specifika e historisë së letërsisë.
 Dihet se Teoria përqendrohet te veçoritë e sistemit letrar, të strukturës artistike, të qëndrushmërive dhe variacioneve të tyre... Historia e letërsisë dhe Teoria kanë ndërveprime reciproke. Kjo nuk do të thotë që teoria është historike, por objekti i saj (letërsia), brenda tipareve thelbësore të qëndrueshme, është një dukuri edhe historike. Raporti midis këtyre disiplinave letrare konkretizohet në faktin se Teoria e shpëton historianin e letërsisë nga interpretimi thellësisht subjektiv. Historia dhe Teoria janë dy mënyra të qasjes ndaj fenomenit letrar, që plotësojnë njëra-tjetrën; ndërsa e para kërkon gjenezën e gjinive dhe formave letrare, evolucionin dhe variacionet e tyre, në kohë dhe në hapësirë, Teoria orienton mbi thelbin e strukturës dhe sistemit letrar, qëndrueshmërinë dhe ndryshueshmëritë e tyre, modelet dhe normat krijuese, etj. Mungesa e kësaj lidhjeje shkencore ka qenë një ndër arsyet kyçe të mangësive të teksteve të mëparshme të historive të letërsisë.

Mund të konstatojmë dy dukuri themelore : Së pari, para viteve ’50 mbizotëron përzierja e këtyre mënyrave të qasjes ndaj letërsisë, mosdallimi i natyrës dhe thelbit të historisë së letërsisë nga kritika letrare. Së dyti, dukuria që vjen deri në ditët e sotme: nuk vlerësohet lidhja specifike midis historisë së letërsisë dhe teorisë së letërsisë, nga një anë, dhe kritikës letrare, nga ana tjetër. Kjo nuk është një lidhje formale, por kushtëzim, sepse vetë natyra e brendshme e letërsisë, kërkon domosdoshmërinë e gërshetimit të studimit historik me parimet e analizës kritike, me poetikat edhe strukturat e brendshme, të përpunuara prej shekujsh nga teoria e letërsisë.

7. Kriteret  në historinë e  letërsisë     
Kriteret e konceptimit të Historisë së Letërsisë sonë, në strukturën e brendshme të saj, sigurisht mund të jenë të ndryshme. Kjo varet si nga specifika dhe funksioni i një historie letrare ashtu edhe nga veçantitë e zhvillimit të vetë letërsisë, nga shtrirja kohore dhe tiparet e zhvillimit të brendshëm e të jashtëm të saj.

Të ndodhur para disa parimeve të hartimit të historisë së letërsisë, historianëve të sotëm u duhet të njohin thelbin e këtyre teorive e shkollave të historishkrimit, për të përcaktuar, mbi baza shkencore, kriteret që i vijnë më pranë zhvillimit të letërsisë sonë kombëtare. Teoritë mbi kriteret e historisë së letërsisë janë nga më të ndryshmet. Kështu :
Pikëpamja se nuk ka histori të letërsisë, ka vetëm histori të njerëzve që shkruajnë.
Pikëpamja se çdo vepër arti ekziston jashtë dhe pavarësisht çdo vepre tjetër.

Pikëpamja se për historianin e letërsisë nuk është i mjaftueshëm vetëm kriteri i studimit të veprave sipas ligjeve të së bukurës, por edhe marrëdhënia me kohën kur ato janë krijuar.
Pikëpamja se  kriteret e një historie të letërsisë, si gjithë shkencat e tjera humanitare, duhet të shihen në marrëdhënien e letërsisë me shoqërinë dhe formën e saj të kulturës, sepse sistemi letrar zhvillohet në gjirin e sistemit kulturor, etj.

Siç shihet, në përgjithësi këto kritere i sugjerojnë historianit të letërsisë një bashkëpunim midis letërsisë dhe formave të tilla, si filozofisë, historisë, politikës, fesë etj. Por praktika e hartimit të historive letrare, të kulturave të ndryshme, ka treguar, ose dhe ka hapur mundësinë e zbatimit të kritereve të ndryshme të konceptimit. Kështu :
Kriteri gjinor, që është aplikuar në disa histori të letërsisë franceze.  (Për shembull: Claude-Edmonde Magny: Histoire du roman français depuis 1918,  Édition du Seuil, 1950 )
Kriteri i hartimit të historisë së letërsië shqiptare sipas drejtimeve letrare, atij të romantizmit..  (Rexhep Qosja : Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi, I,II,II, Rilindja, botimi i vitit 1990)
Kriteri monografik, që niset nga pikësynimi për të realizuar një studim të plotë shterrues mbi jetën dhe krijimtarinë e autorëve më të shquar, që përbëjnë një hallkë të rëndësishme në procesin e zhvillimit historik të letërsisë shqiptare, në një nga periudhat më të konsoliduara të saj (,Floresha Dado: Andon Zako Çajupi - Jeta dhe Vepra)

 Kriteri i kombinit të tre ndarjeve të mëdha : të kontekstit historiko-kulturor, të traditës  në jetën letrare, të rrokjes së veprave të mëdha, çka do të bënte që praktika letrare të futet në tërësinë e aktivitetit historik. (Për shembull “L’Histoire de la literature française”,  koleksioni Pichois (Artaud,1968)
Kriteri historik-kronologjik, sipas të cilit  pasqyrimi i letërsisë kombinohet me ndarjet e mëdha të zhvillimit historik : periudha e vjetër, mesjeta, rilindja, periudha moderne, shekulli XIX, XX.
Kriteri : kombinim kriteresh, që do të thotë përfshirje dhe interpretime tekstesh të vjetra, ndarja të letërsisë sipas shekujve, trajtim autorësh të veçantë, interpretim të dukurive artistike, etj. Një koncept i tillë e konsideron historinë e letërsisë  si një ‘gjini hibride’.

Kriteri i konceptimit të letërsisë së përgjithshme, që i jep hapësirë shumë të gjerë historiografisë letrare, dhe del nga kuadri i një letërsie të vetme.
Kriteri krahasimtar, kur letërsia studiohet në plan përqasës me një, apo disa letërsi të tjera. (kjo sidomos kur kemi të bëjmë me letërsi që mbështeten mbi sisteme gjuhësore të njëjta, për shembull letërsitë e gjuhëve sllave, apo latine, etj.)

Kriteri hapësinor, që mund të rrokë studimin e letërsive të një rajoni, për shembull letërsia shqipe në letërsinë ballkanike.
Këto, dhe të tjerë kritere, dëshmojnë se studimi historik i letërsisë mund të realizohet në plane e pikëvështrime nga më të ndryshmet. Struktura e teksteve të hartuar në gjysmën e parë të shekullit XX (nga autorë shqiptarë apo arbëreshë) ishte, pak a shumë, e njëjtë : ajo formësohej nga ndarje që i kushtohen dokumenteve dhe dëshmive gjuhësore, burimeve folklorike të letërsisë dhe, pjesa dërrmuese, analiza të shkurtra mbi vepra dhe autorë të periudhave të ndryshme.

Në tekstet historiko-letrarë të pasçlirimit (gjysma e dytë e shekullit XX) skema e përgjithshme konfirmon, pak a shumë, po këtë strukturë, duke zgjeruar aspektin historiko-kulturor. Kjo e metë, u shfaq edhe në tekste themelore, të karakterit akademik, me gjithë përpjekjet që u bënë për të depërtuar në aspektet formale të zhvillimit letrar.
A mund të sugjerohet struktura e historisë së letërsisë ? Siç u tha më lart, kjo nuk është një çështje skematike, por që lidhet si me konceptin shkencor mbi detyrat dhe objektin e historisë së letërsisë, me kriteret e hartimit të saj, ashtu dhe me specifikat e zhvillimit të letërsisë sonë. Njohja e vetë letërsisë orienton strukturën e historisë së saj. Përcaktimi i kritereve të hartimit të historisë së letërsisë sonë mbetet pika kyçe e diskutimeve. 

(Vijon të dielën e ardhshme me 25 maj 2014)

Redaksia Online

(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit