DURRËS- Një pallat 9-katësh është vendosur nën sekuestro preventive ditën e sotme te Shkëmbi i Kavajës, për shkak se ka dyshime që leja e ndërtimit është marrë në shkelje me ligjin.

Burime zyrtare i thanë Shqiptarja. com se pallati 9-katësh kap vlerën me vlerë 1.5 milionë euro dhe administrator ëshë Jashar Arrëza, e ndërsa mësohet lidhur me këtë, është vënë në hetim ish-kryetari i komunës Rrashbull H. G., nën akuzën për veprën penale “Shpërdorim detyre”. 

"Në vijim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, në ngarkim të shtetasit H. G., ish-kryetar e komunës Rrashbull, pas informacioneve që dispononte Policia,  veprimet janë intensifikuar më tej për verifikimin e lejeve të ndërtimit të lëshuara për çdo objekt.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro preventive”, si dhe në bashkëpunim me IKMT-në u urdhërua pezullimi i punimeve që kryheshin në  objektin pallat 9-katësh + papafingo +1 kat nën tokë, me administrator shtetasin J. A., banues në Durrës, ndërtim në zonën e Shkëmbit të Kavajës", njofton policia.