KPA ka lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit të Krimeve të Rënda Idriz Mulkurti.
As gjykatësi Idriz Mulkurti dhe as avokati i tij nuk ishin të pranishëm kur KPK njoftoi vendimin për shkarkimin e tij nga detyra. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e hetoi Mulkurtin në të tre kriteret dhe vendosi shkarkimin e tij, për shkak të problemeve të pasurisë.
Gjatë seancës dëgjimore relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari tha se gjyqtari Idriz Mulkurti ishte rivlerësuar në të tri kriteret; për deklarimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe profesionalizimin. Sipas Sanxhaktarit Mulkurtit i ishin gjetur probleme vetëm në kriterin e pasurisë, ndërsa ai kishte rezultuar i përshtatshëm në dy kriteret e tjera.
Njoftim i KPA:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.38/2019, datë 04.09.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Idriz Mulkurti, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 159, datë 14.06.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 159, datë 14.06.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Idriz Mulkurti.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 09.03.2021.
Komente







