Shërbimi i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë tashmë vjen më afër qytetarëve. Vetëm përmes një telefonate, ata do të marrin tashmë mbështetje 24/7. Veç numrit të gjelbër, shtohen edhe 4 numra të rinj, të cilët do të afishohen në hyrje të pallateve.

Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale nga kryeministri Rama, shpjegohet edhe sesi funksionon komunikimi me operatorët.

Me të marrë mesazhin ose telefonatën, kërkesa regjistrohet, mund të dokumentohet problematika edhe duke dërguar një foto. Më pas, identifikohet zona dhe problemi kalon te një ekip që më pas vjen në terren.

Zgjidhja, në varësi të problemit, gjendet brenda 24-48 orëve.

“Mirëmëngjes dhe me përmirësimin e shërbimeve të UKT-së, që tashmë ofron mbështetje 24/7 dhe 4 kanale të reja komunikimi për t’iu përgjigjur më shpejt nevojave të qytetarëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Gjithashtu UKT ka edhe laboratorë të posaçëm për analizën e cilësisë së ujit.

Gjatë vitit 2025, operatorët e UKT morën mbi 106 mijë telefonata dhe u kthyen përgjigje rreth 54 mijë prej tyre.