Komandant, telegrafikisht ta bëra një përmbledhje me zhvillimet e ditëve të fundit. Të jesh i sigurt ti dhe ata që po të persekutojnë ty se ç'prej paraburgosjes tënde gjendja nuk është përmirësuar. Bile, dje e kemi përjetuar një humbje spektakulare në Kuvendin e Kosovës.

Komandant,

Si fillim me lejo të të njoftoj se dje e kemi pësuar një humbje spektakulare në Kuvendin e Kosovës përballë fundamentalistave të Lëvizjes Vetëvendosje, që ishin të mbështetur edhe prej disa kuajve të Trojës. Këta të fundit Komandant, siç thotë populli, votë i bëjnë në kojshi e glacat tek ne.

Kështu ndodhi edhe në seancën e së enjtes. Ndonëse parimisht të gjitha partitë normale politike shqiptare ishin të bashkuara, nuk mundem dot që t'i bënim 80 vota. Shkuam deri tek numri 70 por jo më tepër. Por nuk mjaftoi. Këtë duhet ta thërrasim me emrin e vërtetë. Dështuam. Po të garantoj Komandant se krahas me Albin Kurtin më së shumti këtij dështimi i janë gëzuar strukturat paralele në veri.

Është e vërtetë se neni 5 i Ligjit për Amnistinë do t'ua falte atyre të gjithë mëkatet që i kishin bërë këto 14 vitet e fundit në lidhje me cenimin e rendit kushtetues të Kosovës, duke i përfshirë këtu edhe krimet ekonomike, mirëpo mungesa e këtij ligji i bën ata që edhe më tutje ta cenojnë rendin kushtetues, rendin ekonomik dhe secilin rend tjetër të mundshëm.

E cka të bëjmë, kur gjendemi në ketë situatë? Ose duhet t'i shkojmë prapa Albinit dhe Liburnit - për ketë të fundit ekzistojnë legjenda se njëherë kur e kishte zënë një pritë ishte pshurrur nder veti nga frika - dhe ta shohim se ku do të na çojë çmenduria e tyre, ose duhet që t'i përshtatemi realitetit në terren, duke i pranuar veriorët si qytetarë të Republikës së Kosovës. Me beso Komandant, se ndoshta po e zgjas pak më tepër se sa duhet rreth kësaj çështje e ti i ke hallet tuaja, që disa ditët e fundit po diskutonin i madh e i vogël për Ligjin për Amnistinë, kurse isha i bindur se të njëjtin e kishin lexuar me vëmendje vetëm Ambasadat e huaja të vendosura në Kosovë.

Nuk e di se si do të përballën tash liderët e vendit me zyrtarin e lartë amerikan Philip Reeker, i cili këto ditë po qëndron në vendin tonë. Do t'i kërkojmë falje se nuk po e ndihmojmë vendin tonë aq sa duhet? Do t'i themi se politikat tona të mëdha po i udhëheq një tufë fundamentalistësh të çmendur? Do t'i themi se të njëjtit kanë arritur deri në një masë ta shtrijnë ndikimin edhe brenda partive tonë? Do t'i themi se tek një pjesë e kanë shtrirë ndikimin, e tek një pjesë nuk kanë nevojë që ta shtrijnë fare ndikimin sepse edhe ashtu e huqin votën në rastin më të mirë, kurse në rastin më të keq nuk kanë respekt për mandatin e tyre...

Tash Komandant me lejo te kthehem në temë. Këto javët e fundit pothuajse kam përjetuar kallje të muskujve të gojës në bashkëbisedim me ndërkombëtarë, qofshin ata miq apo jo bash miq, duke provuar t'i bindë se ajo çfarë po bën Eulex'i me luftimin e krimeve të luftës është krim ne veti. Më në fund në ketë kauzë na është bashkuar edhe avokati amerikan Terree Boëers, i cili në vitet e 90'ta ka qenë prokuror në Tribunalin e Hagës, ku ka shërbyer për pesë gjashtë vite. Pra, me pak fjalë e kemi angazhuar edhe një avokat ndërkombëtar. Nuk është se ti ke nevojë për mbrojtje gjyqësore më profesionale. Definitivisht e ke edhe ketë nevojë, por para së gjithash ne kishim nevojë për një profesionist që në gjuhën angleze do t'i thoshte ata që i thoshim ne miqtë tuaj. Kishim nevojë që dikush në gjuhën angleze t'u thoshte të gjithë atyre që po të mbajnë në burg se ti po mbahesh në paraburgim në mënyrë të paprecedent. Dhe shumë gjëra të tjera. Sepse, Komandant, po është tepër e rëndësishme se kush po i thotë gjërat. Shumë më shumë e rëndësishme se çka po thotë.

Komandant, me lerë të të rrëfej ese para disa ditësh ishin në një emision në KTV, dy ambasadorë, ai i Gjermanisë dhe ai i Britanisë së Madhe.

Ambasadori i Gjermanisë po i tregonte opinionit publik vendor se si Gjermania pas luftës së dytë botërore kishte kaluar nëpër një proces të purifikimit/pastrimit. Pra, sipas këtij ambasadori, e njëjta gjë na pret edhe neve, dhe për ketë duhet ta ulim kokën.

Komandant, ambasadorin gjerman unë nuk e njoh personalisht, por jam i sigurt se shumë persona që unë dhe ti i njohim dhe i kemi miq, e njohin ketë ambasador.

Prandaj, unë po të shkruaj ty, e po besoj që e lexojnë edhe miqtë tanë, e edhe ambasadori Gjerman, se: Krahasimi i Kosovës së sotshme me Kosovën posthitleriane, është absolutisht ofendues dhe është banal. Nëse ka analogji të pasluftës me atë të Gjermanisë së vitit 1945, atëherë është ajo e Serbisë së vitit 1999.

Ja një rrëfim të shkurtër Komandant, për ty, për ambasadorin Gjerman dhe miqtë tanë që janë edhe miq të ambasadorit:

- Ian Kershaë, historian britanik, në librin e tij The End (Fundi), rrëfen në mënyrën më eksplicite të mundshme, deri në detaje, kapitullimin e Hitlerit dhe futjen e trupave aleate nga të katër anët drejt Berlinit. Komandant, dhe ju miq të tjerë, është groteske gara që e bëjnë trupat ruse me njëra tjetrën në njërën anë dhe me trupat britanike dhe amerikane në anën tjetër se kush i pari do ta pushtoj Berlinin dhe kush i pari do ta kap majën e Reichstag'ut, për ta ngulur flamurin. Rusët i kishin mashtruar paksa amerikanët, e amerikanët nuk i kishin besuar skepticizmit britanik, dhe e kishin kapur Berlinin. Historiani Kershaë jep fakte se si ushtari rus që e ngrit flamurin rus ne Reichstag në të dy duart kishte pasur orë dore. A e din pse: sepse kishte qenë, përveç se një ushtar i armatës së kuqe, edhe një plaçkitës dhe një hakmarrës. Kershaw, që është njëri prej historianeve më të mirë të kësaj periudhe, tregon se në Gjermani prej ushtarëve rus ishin dhunuar rreth dy milionë femra gjermane. Tregon se femrat gjermane në mënyrë që ti ikin dhunimeve serike ishin të detyruara që në mesin e ushtarëve rus ta zgjidhnin një "dashnor" i cili pastaj do t'i mbronte prej kolegëve të tyre. Jo vetëm kaq, Komandant, qytete të tëra ishin rrafshuar prej trupave aleate për tokë, pasi që gjermanët ishin dorëzuar.

Pasi kanë kaluar kaq dekada historian të caktuar, kryesisht jogjerman, kanë filluar të publikojnë fakte mbi krimet ruse pas pushtimit të Gjermanisë.

Mirëpo:

-Marrë parasysh barbarinë që kishin shkaktuar trupat e Hitlerit, prej Stalingradit, e deri në Afrikën e Veriut, e deri në Francë, e në Britani të Madhe;

-Marrë parasysh përpjekjen titanike të Hitlerit për ta zhdukur prej faqes së dheut një popull të tërë, duke i mbajtur dhezë furrat e druve me eshtrat e njomë të fëmijëve jahudi;

-Marrë parasysh qorrsokakun njerëzor, në të cilin e kishte shpier Fyhreri popullin e tij, që për nga shkalla e monstruozitetit i kishte shtyer deri në kufi të rinj barbarinë dhe tmerrin;

gjermanët qenë detyruar ta përpinin çdo poshtërim dhe cdo krim që u bë pastaj në kurrizin e tyre.

Komandant, tash pas 14 vjetësh, ambasadori Gjerman në vendin tonë, arrestimin tënd dhe të komandantëve të tjerë, po provon ta krahasoj me arrestimet dhe proceset gjyqësore të organizuara në Nyremberg. Nuk e di se cili je ti Komandant, në sy të ambasadorit gjerman? Herman Goering? Apo ndonjë tjetër...


Nga Berat Buzhala