Procesi/ Presidenti dhe kriminel i dënuar, vendimi historik ndaj Trump për rastin e yllit porno

Procesi/ Presidenti dhe kriminel i dënuar, vendimi historik ndaj Trump për rastin e yllit porno

Në orën 10:07 të mëngjesit, fytyra e Donald Trump u zhduk nga monitorët e vendosur në sallën e gjyqit dhe mbi tryezën e mbrojtjes, ndërsa emri i tij hyri në historinë e Amerikës më 20 janar, ai do të jetë i pari president i dënuar penal që do të bëjë betimin si President i Shteteve të Bashkuara. Gjyqtari i Gjykatës Supreme të Nju Jorkut, Juan Merchan, sapo kishte lënë sallën në heshtje të plotë. Lidhja me video me presidentin e zgjedhur, i shoqëruar nga avokati i tij, Todd Blanche, u ndërpre ndërsa Trump ende shikonte kamerën me një shprehje të ashpër. Publiku nuk pati kohë as të ngrihej në këmbë, siç e kërkon protokolli kur gjykata largohet.

Kështu përfundoi një ditë historike. Seanca që mbylli çështjen Stormy zgjati më pak se dyzet minuta. Mjaftoi për t’i lejuar akuzës dhe mbrojtjes të kryenin përplasjen përfundimtare, Trump-it të përsëriste historinë e “gjuetisë së shtrigave” dhe “turpit për sistemin” dhe gjykatësit të shpallte vendimin. Merchan zgjodhi formulën e “pezullimit të pakushtëzuar të dënimit”: Donald nuk do të shkojë në burg, nuk do të jetë nën mbikëqyrje dhe nuk do të paguajë gjoba. Ai shpjegoi se ky trajtim i veçantë nuk do të ishte aplikuar për “qytetarin Donald Trump”, por ndërkohë “ishin qytetarët e këtij kombi që vendosën që ju të gëzoni mbrojtje si klauzola e supremacisë dhe imuniteti presidencial”. “Të qenit i zgjedhur – shtoi ai, duke iu drejtuar të pandehurit si ‘zoti Trump’ dhe jo si ‘presidenti i zgjedhur’ – nuk e zbut krimin dhe nuk e justifikon kryerjen e tij.”

Në maj, Trump ishte shpallur fajtor për 34 akuza të lidhura me pagesat e fshehta për një aktore pornografike, Stormy Daniels, e cila në vitin 2016, gjatë fushatës elektorale, kërcënoi të zbulonte se kishte pasur marrëdhënie me të. Krahasuar me procesin, kishte më pak tension. Kontrolli i sigurisë u bë vetëm në hyrje dhe jo në katin e pesëmbëdhjetë, ku u zhvillua seanca përfundimtare, ndryshe nga gjatë procesit kur Trump ishte i pranishëm në sallë, i shoqëruar nga djali i tij Eric, nusja Lara dhe e gjithë elita republikane. Prokurori i qarkut, Alvin Bragg, mbërriti tre minuta para fillimit dhe u ul në rreshtin e dytë, që dikur ishte i destinuar për publikun.

Ilustruesit, të cilët kishin për detyrë të vizatonin momentet e procesit për t’i dorëzuar mediave (fotografitë dhe xhirimet ishin të ndaluara edhe dje), u ulën aty ku dikur ishte juria popullore. Shumë vende ishin bosh. Fotografët, të lejuar të hynin për një seancë të shkurtër fotografike, të cilët tetë muaj më parë ishin vendosur dy metra larg të pandehurit, kësaj here u kënaqën me pamjen e zbehtë të tij në monitor, me dy flamuj amerikanë pas tij. Ata humbën shprehjet e ngrysura të Trump gjatë gjithë seancës.

Prokurori Joshua Steinglass përmendi “qëndrimin kërcënues të të pandehurit ndaj gjykatësit, akuzës, jurisë dhe familjeve të tyre”. Ai përshkroi një klimë të përgjithshme frike në Amerikë dhe shumë vetë në sallë kujtuan konferencën e fundit për shtyp të presidentit të zgjedhur, kur ai u tha gazetarëve se kishte fituar të gjitha proceset, dhe askush nuk pati guximin ta kundërshtonte. Avokati i Trump, Blanche, njoftoi apelim, edhe pse për Shtetin e Nju Jorkut, vendimet e formës së prerë nuk mund të apelohen. Por Blanche, në qeverinë e ardhshme, do të jetë zëvendësministër i Drejtësisë.

Trump foli për rreth pesë minuta: “Ky proces – tha ai – ka qenë i tmerrshëm, nuk duhej të ishte sjellë as në gjykatë, shumë ekspertë mendojnë si unë.” Ai përmendi në favor të tij ish-gjyqtarë të ndjerë dhe komentatorë televizivë, duke shkaktuar të qeshura të lehta në publik. “Ata krijuan këtë çështje – vazhdoi ai – sepse donin të shkatërronin reputacionin tim, por padyshim nuk ia dolën. Qytetarët më votuan. Kam fituar në të gjitha shtetet kyçe.” Në audiencë, David Zere nga televizioni streaming i ekstremit të djathtë Real Americas Voice, tund kokën dhe komenton me zë të ulët: “E kuptova në këtë sallë, në maj, se Trump do të fitonte. Njerëzit janë me të.”

Pasi i uroi presidentit të zgjedhur për mandatin e dytë, gjykatësi u ngrit dhe u largua nga salla, i ndjekur nga Bragg dhe ekipi i tij i prokurorëve. Agjentët hapën derën qendrore dhe ftuar publikun të largohej./La Repubblica

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Shpërndante kanabis në lagjet e qytetit, arrestohet një 24-vjeçar

Durrës/ Shpërndante kanabis në lagjet e qytetit, arrestohet një 24-vjeçar