PARIS, 1 korrik /ATSH-ANSA/ - Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy u vendos sot nën mbikëqyrje me dyshimin për shpërdorim detyre, një masë e pazakontë për një ish-shef të shtetit. Hetuesit e Zyrës franceze Antikorrupsion do të marrin në pyetje Sarkozynë për një afat kohor që mund të zgjasë deri në 24 orë. Kjo masë vjen në kohën kur po flitet pothuajse nga të gjithë për dëshirën e Sarkozysë për të rihyrë në politikë dhe të marrë kryesimin e UMP-së. Një veturë e zezë me xhama të errët, që transportonte ish-shefin e shtetit francez, mbërriti në drejtorinë e përgjithshme të policisë gjyqësore në Nanterre. Sarkozy akuzohet për korruptim gjyqtarësh.
Po kush është në të vërtetë Nicolas Sarkozy?
Ambicioz, i vendosur, dinak, pa paragjykime dhe shpeshherë posedues i ndërgjegjshëm. Një karakter hiperaktiv, që i meritoi të gjitha epitetet që nga ''hiperpresidenti'' deri te ''SuperSarko'' përgjatë gjithë pesë viteve që kaloi në drejtimin e Francës. Por, rruga e re Nicolas Sarkozysë drejt Elizesë, që deri tani dukej normale, mund të bllokohet nga drejtësia. Sarkozy është i pari ish-president në historinë e Republikës Franceze, i cili vendoset nën mbikëqyrje dhe shoqërohet në polici për të dëshmuar për dyshimin për korruptim gjyqtarësh në shkëmbim të informacioneve. Prishja e skemave nuk përbën një gjë të re për njeriun që pushtoi Elizenë mes viteve 2007-12. Djali i një aristokrati hunfgarez të imigruar në Francë, Sarkozy, i lindur në 28 janar 1955 në Paris, ka qenë edhe i pari president francez me origjinë të huaj. Sarkozy nuk studjoi në ENA, shkolla prestigjioze që ka formuar përherë elitën e vendit, por është diplomuar për Drejtësi në vitin 1978 duke punuar më pas si avokat. Ai ka qenë edhe i pari president që është divorcuar, që është rimartuar (me Carla Brunin në vitin 2008) dhe që ka patur një fëmijë (Giulia) gjatë mandatit presidencial. Është një personazh që ka ndarë gjithmonë më dysh opinionin publik francez, pasi 62 për qind e tyre nuk duan që ai të rikthehet në politikë. Darka në Fouquet's pas fitores në zgjedhjet presidenciale, udhëtimi për muajin e mjaltit me jahtin e një miku milioner, ora Rolex dhe një farë ekzibicionizmi i kanë mërzitur francezët. Për të mos folur për gjuhën pak "presidenciale", sidomos në rastin kur e uli shumë nivelin e saj kur iu drejtuar dikujt me fjalët ''m'u hiq sysh, trap!'' apo kur u shndërrua edhe në një ''rap'' duke refuzuar t'u jepte dorën njerëzve. Karriera e tij politike, e filluar që 19 vjeç në krah të neogolistëve ka qenë e gjitha një ngjitje brilante. Në vitin 1983, kur ishte vetëm 28 vjeç, u bë një nga kryebashkiakët më të rinj në moshë të Francës. Në këtë kohë ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Neuilly-sur-Seine. Në moshën 34 vjeç ishte deputet, 38 vjeç ishte ministër dhe 52 vjeç u bë president./ a.jor.