Jetmir Llani 33-vjeçari nga fshati Shpërdhet i Fushë Mamurrasit është personi i cili policia e lidh me atentatin e një ditë më parë ndaj Gentian dhe Emanuel Shkretës.

Por kush është Jetmir Llani? Ai ka lindur më 18 qershor të 1979 dhe prej kohësh është i skeduar për një sërë veprash penale.

Akuza e parë ndaj Jetmir Llanit do të ishte ajo e "mbajtjes pa leje të armeve luftarake", akuzë nga e cila do lirohej shumë shpejt. E ndërsa vitet ecin, Llani do të skedohet sërish si personazh i botës së krimit por këtë herë me akuzën e vrasjes nga pakujdesia ndaj shtetasit Sokol Allamani.

Për këtë akuzë Llani do të dënohej me 3 vite burgim, por pas arrestimit dhe vuajtjes së dënimit për pak kohë ai do të lihej në arrest shtëpie. Dënimi është apeluar nga Jetmir Llani por më dt. 6 korrik të këtij viti gjykata e apelit e ka lënë në fuqi duke rënduar mbi 33-vjeçarin akuzën e një vrasje.

Përplasja e ndodhur më 5 qershor të këtij viti ndërmjet familjeve Shkreta dhe Llani, ku mbeti i vrarë Indrit Llani do të niste dhe hasmërinë ndërmjet dy fiseve.

Jetmir Llani humbi djalin e tij të vogël, Indritin, ndërsa i vëllai u plagos kur mesditën e 5 qershorit djaloshi së bashku me të vëllanë, kushërirën, nënën e tij dhe xhaxhanë po udhëtonin me makinë. Vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta akuzohen se i kanë dalë para makinës dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku. Pak ditë më vonë policia arrestoi autorët, ndërsa më 19 korrik plumbat i morën jetën Mark Shkretës, 71 vjeç babait të vëllezërve Altin dhe Vladimir. Vrasja u shënua në rrugën Hoxha Tahsim në Tiranë dhe policia akuzoi Jetmir Llanin si autorin e dyshuar.

Jetmiri tregon për A1 Report se nuk kishte qenë në Tiranë ditën e vrasjes dhe që prej 14 korrikut ndodhet në Athinë.

“Kam qenë në Athinë. Më 14 korrik në orën 06. 30 të mëngjesit kam kaluar në Kakavijë drejt Athinës edhe po merrem me vizitat e vëllait. Sa të mbaroj punë do vij në Shqipëri”, tregon Jetmiri në një lidhje telefonike.

Jetmiri tregon se me autorin e vrasjes së djalit të tij, Altinin kishin qenë shokë të ngushtë. “E kisha në krah të djathtë. Lija vëllanë tim në shtëpi dhe merrja atë”- tregon 33-vjeçari duke sqaruar dhe si kishte nisur konflikti.

“Më 4 qershor (një ditë para vrasjes) unë po pija kafe me ca shokë kur mi bie telefonit një komshi dhe më thotë kanë rrahur fëmijën e vëllait tënd. Shkova ke dajat e Altinit për të sqaruar problemin. U thashë nëse fëmija ka vjedhur dhe ju jeni të sigurtë për këtë, ne ju paguajmë por nuk keni të drejtë ta rrihni. Aty na ofenduan dhe ne u larguam. Më vonë vëllai im shkoi te dajat dhe i qëllon me shpulla dhe nisi konflikti. Në mbrëmje më mori Altini në telefon dhe më kërkoi sqarime. I tregova për keqkuptimin dhe u sqaruam”.

Po atë mbrëmje Jetmiri tregon se kishte pirë kafe me dajat e Altinit. Të njëjtën gjë kishte bërë dhe rreth orës 10:00 të paradites së 5 qershorit, pak kohë para vrasjes.

Jetmiri do të shpallej në kërkim policor dhe ishte i dyshuari kryesor i vrasjes së Mark Shkretës në kryeqytet. Fill pas vrasjes së 71-vjeçarit, policia do e lidhte Llanin dhe me ngjarjen e vënies së tritolit në banesën e Shkretajve. Por vetë Jetmiri do mohonte gjithçka në një intervistë për A1Report duke deklaruar, se këto krime sjanë bërë prej tij.

Llani do të arrestohej në Rinas pas kësaj deklarate dhënë në media dhe do të lihej i lirë pa asnjë shpjegim nga policia e shtetit.

Aktualisht ai është person në kërkim nga policia e shtetit, i dyshuar si atentatori i cili vrau Gentian Shretën dhe plagosi Emanuelin.

(eç/shqiptarja.com)