Qeveria ka dyfishuar buxhetin për nxitjen e punësimit të të rinjve përgjatë vitit të ardhshëm, duke e çuar në 12 milionë euro. Gjatë një takimi me modele suksesi të të rinjve që kanë përfituar nga programet e arsimit profesional, garancia rinore dhe start-upet, kryeministri Edi Rama, tha se objektivi brenda këtij mandati, është që të përfitojnë 60 mijë të rinj vetëm me garancinë rinore.
“Në 5 vite, 42 mijë të rinj janë punësuar përmes zyrave tona të punës. 7500 individë që kanë përfituar nga programet. Objektiv që 60 mijë të rinj të mbështeten brenda këtij mandati aplikim mbresëlënës për bankën digjitale të krijuar së fundmi”, tha Rama.
Në një kohë kur teknologjia po rritet vrullshëm, kreu i qeverisë u dha një këshillë të rinjve shqiptarë.
“Celulari mund të bëjë mrekulli por nuk do të arrijë kurrë të gatuajë. Sa më shumë që do vijnë robotët, aq më shumë i rritet shumë paga njeriut të ditur që gatuan, shërben, e bën punët që deri vone janë parë nga lart-poshtë. hidraulik rrobaqepës etj”, tha kryeministri.
Gjatë viteve 2021 -2025 mbi 27 mijë të rinj kanë ndjekur kurs profesional, 2200 të tjerë kanë përfituar nga garancia rinore, ndërsa mbi 200 të rinj janë mbështetur me grante nga programet e Start-up-eve. Ndërkohë, nga 1 janari 2026 pritet hapja e një portali unik të punësimit ku do të mund të aplikohet menjëherë për vendet e lira të punës.
Kryeministri Edi Rama si dhe ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj, zhvilluan sot një takim me të rinj të punësuar nga programet e nxitjes së punësimit, konkretisht përmes portalit puna.gov.al.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj përmendi edhe buxhetin e vitit 2026 të miratuar ditën e djeshme në seancën maratonë të zhvilluar në Kuvend.
“Prej një muaji jemi duke biseduar për buxhetin e vitit 2026, si ai na çon drejt objektivave që i kemi vënë vetes për vitin 2030. Jemi përqendruar në dy kategori: te pensionet dhe te pagat që janë rritur dhe që synojmë t’i rrisim në vijim. Por shumë pak kemi biseduar se çfarë duhet të bëjmë për të rinjtë. Në buxhetin e vitit 2026 ne kemi një dyfishim të fondeve për të gjitha programet e nxitjes dhe punësimit. Janë 12 milionë euro në dispozicion të të rinjve sepse vërtet besojmë se duhet të mbështesim pensionistët që kanë kontribuuar për këtë vend, të punësuarit që rrisin të ardhurat e buxhetit, por nëse nuk investojmë tek të rinjtë ndalon i gjithë ky zhvillim”, tha Ibrahimaj.
Ndër të tjera ajo shtoi se 2 mijë profesionistë janë të punësuar nëpërmjet këtyre programeve.
“12 mln euro janë të dedikuara për programet e nxitjes së punësimit që kanë të bëjnë me aftësimin. 2 mijë profesionistë janë të punësuar nëpërmjet programeve që ose financohen 100% nga buxheti i shtetit nëse janë të papunë ose 50% nëse janë të punësuar në një punë dhe duan të marrin këto kapacitete”, tha ajo.
Komente











