Programi i FRD-së: Pagesë ish
të përndjekurve, ligj i ri për pronat

Programi i FRD-së: Pagesë ish<br />të përndjekurve, ligj i ri për pronat
Sipas programit minimal të partisë, Fryma e Re Demokratike do te jetë forcë e qendrës së djathtë, opozitare e së majtës, besnike e qytetarëve, garante e shtetit ligjor, e stabilitetit, e demokracisë, e mbrojtjes së institucioneve kushtetuese, e familjes dhe pronave të ligjshme, përfaqësuese e denjë e interesave të qytetarëve, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ajo krijohet si një forcë reale e qendrës të djathtë për të qenë aktive në Kuvendin i Shqipërisë. Pak ditë më parë Shiptarja.com publikoi një pjese të programit.

PAGESË PËR ISH-TË PËRNDJEKURIT
Premtimet e partisë së re të qendrës së djathtë nisin me shtresën më të margjinalizuar, veçanërisht, nga të qeveritë e djathta, që erdhën në pushtet me moton e antikomunizmit. Për shtresën e ish të përndjekurve politikë, premtimi kryesor është të paraqesë një parlament ligjin për dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve të policisë politike (lustracioni), kryerjen e procesit te hapjes se dosjeve, si dhe dëmshpërblimin e viteve të burgut dhe të internimit, permes një ligji për uljen e moshës për pagesën e plotë menjëherë dhe shlyerjen brenda një kohe më të shkurtër se ligji aktual të detyrimeve, pas një llogaritje më të mirë e të drejtë të detyrimit.

PRONAT, JO SHITJE E TOKËS
FRD premton që brenda vitit, të hartohet një ligj i ri për pronat, duke e sjellë atë në standardet e Bashkimit Evropian dhe ta miratojë me konsensus sa më të gjerë politik, ku përfaqësuesit e pronarëve të jenë palë. Njëherësh duhet të ndalohet menjëherë shitja e tokës pronë shtetërore; të plotësohet gjithë kuadri ligjor për çështjen e pronësisë në Shqipëri; të përfundojë procesi i njohjes së pronës për të gjithë ish-pronarët; të kryhet lirimi i shtëpive të ish-pronarëve; të përcaktohen e të shpallen pronat për kompensim fizik; të përcaktohen, sipas vlerës së tregut, çmimet dhe afatet për kompensimin monetar, kur prona për arsye publike dhe në përputhje me ligjin, nuk mund të kthehet fizikisht. Premton të krijohet Fondi Kombëtar i kompensimit të pronarëve dhe ndarja e tij jo nëpërmjet shortit, po nëpërmjet zbatimit të drejtë të detyrimeve që rrjedhin nga ligji i ri për pronësinë në Shqipëri.

XHANDARMËRI PËR RENDIN
Për rritjen e stabilitetit dhe të sigurisë publike FRD thotë se është e domosdoshme rritja e profesionalizmit të Policisë të Shtetit dhe depolitizimin tërësor të saj dhe zhveshjen nga militantët dhe krahinalizmi, si dhe garantimin e statusit të punonjësve të rendit public, do kërkojë që të krijohet xhandërmaria, si forcë e armatosur, në mbrojtje të rendit dhe në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve (lëndë narkotike, armë, klandestine, trafiku njerëzorë etj);

KLSH, GJYKATË LLOGARIE
Në sistemin e drejtësisë dhe të shtetit ligjor do të ndryshohen dhe reformohen disa mekanizma funksionale të pushtetit gjyqësor, për të garantuar drejtësinë dhe rifituar besimin e humbur tek ajo, permes ritjes së transparencës për publikun, garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë reale të pushtetit gjyqësor nga politika dhe kontrollit të pasurisë e gjykimet e dhëna, nëpërmjet fuqizimit të institucioneve të vetëkontrollit dhe administrimit të gjyqësorit heqjen e imunitetit ndaj hetimeve, ekzekutimin brenda afateve ligjore të vendimeve nga përmbarimi; futja me ligj, sipas përvojës perëndimore, e investigimit dhe hetimit, sidomos të çështjeve penale, me prokuror dhe hetues "privat" veprim që do të risi së tepërmi përgjegjësinë e organit të akuzës dhe cilësinë e hetimit dhe gjykimit, duke ulur dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë;, si dhe shndërrimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Gjykatë Llogarie.

SHKATËRRIM TË MONOPOLEVE NË BIZNES
FRD mendon se rruga më e shpejtë dhe më efikase për kapërcimin e krizës ekonomike nuk është ndërhyrja shtetërore, as në nivel biznesi e as në nivel sektori, por eliminimi i pengesave për një zhvillim të ekonomisë, e drejta e pronës si institucioni më i rëndësishëm që përbën pengesën kryesore për investimet private dhe zhvillimin. Sipas saj Reformimi i ekonomisë shqiptare, kërkon hapësirë për biznesin, i cili, nuk duhet të ketë pengesa në nismat e tij si dhe luftë kundër monopoleve, që duhet të zhduken për ti hapur në treg vend konkurrencës të lirë. Për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe kapërcimin e krizës me pasojat e saj, lipset një reformë e sistemit financiar. Përveç amnistisë fiskale, duhet reformuar dhe vetë sistemi fiskal sepse, për të pasur një ekonomi të zhvilluar, është i rëndësishëm sigurimi i të ardhurave për buxhetin e shtetit. "Organet e ngarkuara me këtë detyrë tek ne : Dogana dhe Tatimet janë kthyer në vegla të politikës, në çerdhe nepotike e militantësh, që ndryshojnë sipas partisë në pushtet e drejtorit. Për rritjen e të ardhurave buxhetore, duhet zgjeruar baza tatimore e luftuar evazioni. Deri tani është kryer një pseudoreforme fiskale, që godet të varfërin, duke thelluar varfërinë, e si pasojë ka ulur likuiditetin dhe konsumin duke shtuar krizën"-thotë FRD. Sipas saj, vetëm pas njohjes reale të të ardhurave të çdo familjeje shqiptare, mund të flitet për një reformë fiskale sipas modeleve perëndimore. Reforma fiskale që kërkojmë të ndërmerret, duhet që krahas vendosjes së taksës mbi të ardhurat personale, të hartohet një legjislacion i plotë për deklarimin e tyre, i cili si kudo në perëndim të njoh shpenzimet që zbriten, përfshirë dhe taksat lokale, për të llogaritur të ardhurat neto- që taksohen. "Ne jemi të vendosur për caktimin e një dyshemeje-rreth 5500 euro për familje me femije, nën të cilën nuk duhet të paguhet ky tatim. Ligji, duhet të parashoh, dhe rimbursimin kur shpenzimet e një familjeje kalojnë deklaratën fillestare. Po kështu dhe për tatim-fitimin duhet një legjislacion i ri, si kudo në botë, duke njohur shpenzimet e firmave për të kryer aktivitetin"-thuhet në programin e FRD-së.

JO MË TOKË ME 1 EURO
Për bujqësinë FRD mendon se është e nevojshme një kthesë rrënjësore me shumë aspekte: si në organizimin qeveritar me vetëm një Ministri që të marrë përsipër zhvillimin rural të bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore dhe të shtohet (me shumëfishim) buxheti i saj; të zbatohen format të kreditimit për ata që punojnë në bujqësi (grante dhe ulje të përqindjes së interesit të kredive që administrohen nga bankat). "Por veprimi më i rëndësishëm dhe urgjent që do ndihmojë bujqësinë shqiptare, është unifikimi i legjislacionit për tokën ku momentalisht janë në fuqi më shumë se 13 ligje, përfshirë atë 7501, që rregullojnë marrëdhëniet e tokës dhe të pronës, dhe një pafundësi vendimesh që nuk e mbrojnë por përkundrazi, që kanë krijuar spekulime, padrejtësi dhe konfuzione. Shteti nuk duhet të shes më tokën, ta japi me qira e as ta fali me 1 euro që është veprim spekulativ e i dënueshëm. Ligji duhet të rregullojë njëherë e mirë, shitblerjen, tjetërsimin, ndërtimin në të dhe në tokën bujqësore, ruajtjen e fondit të tokës bujqësore, legalizime e të tjera. Po kështu me qenë se përmasat të vogla të fermave kanë prurë mospunimin e tokës, shteti duhet të stimuloi qiradhënien me mbështetje e lehtësi fiskale të dy palëve si dhe masa fiskale që toka të punohet".

PLAN PËR RIGJALLËRIMIN E NDËRTIMIT
FRD thotë se është i domosdoshëm partneriteti me grupet e interesit, për të gjetur urgjentisht zgjidhje, për të rigjallëruar ndërtimin. Ne mendojmë se duhet hartuar sa më parë plani kombëtar i planifikimit të territorit për të vendosur rregull. Për një ringjallje të aktivitetit ndërtimor në Shqipëri duhet që të hartohen sa më parë edhe planet rregulluese të qendrave të banuara në gjithë aspektet e tyre. Gjithashtu ndërtuesit duhet të kenë akses të plotë në ministrinë përkatëse dhe në bashkitë e vendit për të garantuar tregun dhe nismën e lirë, kontaktin dhe praninë e tyre në KRRT, etj të cilat duhet të jenë të hapura për biznesin, po kështu duhet të sigurohen marrëdhënie të rregullta me hipotekat, për shkak të interesit reciprok dhe për mos të bllokuar tregun e ndërtimit, sot në krizë.

ÇMIME POPULLORE PËR ENERGJINË
Për të përmbysur gjendjen në furnizimin me energji elektrike, FRD thotë se duhet të kufizohen humbjet jo teknike, pra energjia e papaguar nga konsumatorët. "Shteti duhet të garantojë çmim për 300 Kilovatorët e parë dhe për kompensimet eventuale,si dhe përfshirjen e një pjese në ndihmën sociale dhe për të varfrit". Ndërsa, duke folur për burimet e reja energjetike, ku mundësitë në Shqipëri janë të mëdha por, që shumica janë bllokuar nga pseudo koncesionet, FRD thotë se: "Shteti duhet të shesë një pjesë të aksioneve të KESH-it e me to të ndërtoj HEC-e të reja, e jo të shesë falas hidrocentralet e veta".

JO RRITJE E MOSHËS SË PENSIONIT
Partia e re mendon edhe për reformimin e programit të Shërbimeve Sociale. Sipas saj, sistemi kontributiv i pensioneve ka pësuar ndryshime që nuk kanë asgjë të përbashkët me reformat e vendeve të BE dhe aspak në dobi të përftuesve. "Jemi kundër ngritjes së moshës të daljes në pension. Ne do të luftojmë që të ruhen modelet kontributive, por, nga 1 me 2 që është përpjesëtimi i pensionit minimal me maksimal të arrihet shkallë-shkallë brenda në 1:4-5 sa janë dhe përpjesëtimi i pagave kontribuese. Njëherazi do të kemi dhe pensione suplementare shtetërore dhe private. E rëndësishme është që kush del në pension të ketë, si kudo në botë, një pension 60-70% të pagës neto"-thotë programi minimalist i FRD-së.

SHTIM FONDEVE PËR ARSIMIN
Për integrimin gjinor, FRD propozon krijimin pranë Ministrisë të punës dhe çështjeve sociale me ligj të posaçëm të një Komiteti të Integrimit Gjinor me përfaqësues të grave parlamentare dhe atyre në qeverisje vendore, si dhe ekspertë të fushës, i cili do të propozoj të gjitha nismat ligjore për të siguruar barazinë gjinore në vendimmarrje.
Për Arsimin dhe Shkencënm FRD synon të përgatisë rininë për demokraci dhe mbi standarde qytetare, duke promovuar dashurinë për vendin e tyre, të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit duke nxjerrë specialistë të përgatitur për të zgjidhur probleme konkrete që lindin në realitetin shqiptar, të pajisë studentët me aftësi që i ndihmojnë për t'iu përshtatur tregut e punës, por të kenë dhe vetëdije për kompetencat individuale, brenda 4 viteve të ardhshëm financimi i arsimit në raport me vlerën e PBB të ritet nga 3.4 % në 5.4 % (me rritjen më të madhe në dy vitet e para), shteti do të jetë financuesi kryesor i shkollave të larta dhe në 10 vitet e ardhshme kjo arrin 250 milionë dollarë në vit, pa përfshirë investimet dhe financimin e kërkimit shkencor.

SHPËRBLIME PËR ARTIN DHE KULTURËN
Për Kulturën dhe Sportet FRD synon që Ministria e Kulturës të jetë realisht një institucion që prodhon politika kulturore dhe kontrollon zbatimin e tyre. Për këtë kërkon shkëputjen nga Ministria e shpërndarjes së fondeve për veprimtaritë në vartësi të saj dhe kalimin këtë Enteve dhe Fondacioneve të krijuar. "Do të ribëjmë një paketë ligjore mbi shpërblimin monetar të artistit duke u mbështetur mbi cilësinë dhe kontributet aktuale. Do të stimulojmë dhe mbështesim politika të diferencuara kulturore midis institucioneve qendrore të artit, institucioneve në qark dhe atyre private".

SHËNDETËSIA, PËR TË GJITHË
Sipas FRD-së, Sistemi shëndetësor duhet të sigurojë kujdes shëndetësor më të mirë dhe të garantuar për të gjithë qytetarët, përmes rritjes së buxhetit për shëndetësinë, askush nuk do të paguajë për shërbimet bazë. "Prioritete në programin e FRD mbeten hartimi i një paketë bazë me listën e shërbimeve, të cilat do t'i ofrohen falas popullatës, ndërsa për shërbimet e tjera specifike, do të ketë trajtim të harmonizuar midis kostos që mbulon shteti dhe kontributeve në sigurimet shëndetësore që paguajnë gjatë viteve individët, që vlen si për shërbimet tek shteti ashtu dhe tek privati, por me të njëjtën kuotë"-thuhet në program.

JO IMPORTIT TË PLEHRAVE
Për Mjedisin FRD thotë se do të luftojë që të plotësohet legjislacioni sipas standardeve të BE dhe të ndalohet menjëherë importi i plehrave, të monitorohen mbetjet urbane dhe industriale, si dhe ujërat sipërfaqësore e nëntokësore dhe të merren masa për rehabilitimin dhe regjenerimin e terreneve dhe zonave të ndotura.

HEQJE TVSH-JE PËR TURIZMIN
Që turizmi të ketë shtrirje gjithë vjetore duhet të stimulohet zhvillimi i turizmit kulturor nëpërmjet rregullatorëve fiskale. Detyrimi i TVSH në nivelin 20% i zbatuar për shërbimet turistike i vendos bizneset turistike shqiptare në pozitë të vështirë dhe të pamundur për të konkurruar në tregun rajonal dhe atë ndërkombëtar. Vendet fqinje në rajon si dhe ato evropiane aplikojnë nivele TVSH përgjithësisht shumë më të ulta ne propozojmë aplikimin së paku në masën 10% si për akomodimin dhe restorantet kur ata janë të licencuar dhe me yjet përkatës.

(sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Shiste kanabis të ndarë në doza në Tiranë, arrestohet 33-vjeçari

Shiste kanabis të ndarë në doza në Tiranë, arrestohet 33-vjeçari