Për Bashkimin Evropian zgjerimi është një prioritet politik dhe një investim gjeopolitik. Pushtimi i Ukrainës i kanë dhënë kuptim tjetër rëndësisë së zgjerimit dhe për këtë Unioni është gati të presë anëtare të reja shumë shpejt.

Shefja për politikën e jashtme Kaja Kallas e bëri të qartë kur prezantoi raportet për vendet kandidate se nuk është “një luks i këndshëm për t’u pasur” por tashmë një domosdoshmëri.

Ecuria e Kosovës u ndikua nga kriza politike me mosformimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit. Perspektiva për vendin u përshkruajt si e turbullt. Partive politike u kërkohet bashkëpunim ndërsa dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që nuk shënoi përparim këtë vit, mbetet thelbësor për rrugën evropiane të Kosovës thotë raporti. Vendi duhet të ulë edhe më shumë tensionet në veri që sanksionet evropiane ndaj Prishtinës të vijojnë të hiqen më tej.

Serbia nuk ka shënuar asnjë përparim, kjo e ndikuar nga protestat masive kundër korrupsionit. Klasa politike thotë progresraporti jeton me një retorikë përçarëse, ndërsa reformat janë ngadalësuar ndjeshëm. Komisioni vëren se Serbia duhet të kapërcejë ngecjen në gjyqësor si dhe të përmbysë hapat mbrapa që ka bërë në lirinë e shprehjes.

Mali i zi, shteti më i avancuar në Ballkanin perëndimor me integrimin, pritet të mbyllë negociatat në fundin e vitit 2026 dhe kështu i hapet rruga për anëtarësimin e plotë. Komisionerja për zgjerimin Marta Kos njoftoi në konferencën shpjeguese të raportit, lëvrimin e një paketë financiare për Malin e Zi si mekanizëm shpërblyes dhe që fuqizon edhe më tej financat e vendit para anëtarësimit.  

Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për çështjen e minoritetit bullgar. Raporti thotë se Shkupi duhet të veprojë shpejtë për përmbushjen e kritereve të hapjes së grupkapitullit të parë.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, kriza politike në entitetin e Republikës Sërpska dhe shpërbërja e koalicionit qeverisës dëmtuan përparimin drejt BE-së. Pas ndryshimeve të fundit institucionale në Republikën Sërpska, vendi ka mundësi të avancojë reformat në rrugën drejt BE-së, por për hapjen e negociatave autoritetet duhet të finalizojnë dhe miratojnë reformën në drejtësi.

Ukraina synon t’i mbyllë negociatat e anëtarësimit në fund të vitit 2028. Vendi në luftë sipas progress raportit ka avancuar në reforma kryesore duke përmbushur kushtet për hapjen e grupkapitujve 1, 6 dhe 2. Vendit i kërkohet të përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit.

Njëjtë si Kievi zyrtar, edhe Moldavia ka përmbushur kushtet për hapjen e grupkapitujve 1,6 dhe 2 dhe Komisioni pret që shteti të hapë edhe 3 të tjera brenda këtij viti, me synimin që bisedimet të mbyllen në fund të 2028-ës.

Turqia mbetet vend kandidat dhe partnere kyçe për BE-në, por standartet demokratike u përkeqësuan. BE thotë në raportprogres se rifillimi i bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së Qipros është një element kyç i bashkëpunimit me Turqinë. Pavarësia e gjyqësorit ende nuk është adresuar. Negociatat e anëtarësimit me Turqinë mbeten të bllokuara që nga viti 2018.

Në vitin 2024, Këshilli Evropian përfundoi se procesi i anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE ishte, në praktikë, i ndalur. Që atëherë situata është përkeqësuar ndjeshëm, me prapakthim serioz demokratik. Komisioni e konsideron Gjeorgjinë vend kandidat vetëm në emër. Autoritetet gjeorgjiane duhet të tregojnë përkushtim të vendosur për të ndryshuar kursin dhe për t’u rikthyer në rrugën e anëtarësimit në BE.