Projekt/buxheti 2017, Ahmetaj:
Eshtë buxheti i qytetarit

Projekt/buxheti 2017, Ahmetaj:<br />Eshtë buxheti i qytetarit
TIRANE - Ministri i Financave, Arben Ahmetaj prezantoi sot para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Projekt/buxhetin e vitit 2017, që sikurse e theksoi ai, është buxheti i konsolidimit të rritjes ekonomike, financimit të reformave, uljes së borxhit dhe rritjes së pagave e pensioneve.
 
Një fokus të veçantë gjatë prezantimit të tij, Ahmetaj i kushtoi qytetarëve dhe masave në favor të rritjes së përfitimeve të tyre.
 
Buxheti 2017, është buxheti për qytetarin, tha Ahmetaj, i cili renditi një sërë masash në favor të qytetarëve:
 
•Së pari është taksimi i ndershëm në periudhën 2014-2017. Janë ulur taksat për  97% të të punësuarve dhe këtu i referohem taksimit progresiv në ndryshim nga tatimi i sheshtë.
 
•Taksimi progresiv ka ulur barrën për qytetarin. Listë pagesa në total është 623 mijë persona të cilët kanë paga nga 0-130 mijë lekë në muaj, që do të thotë, se vetëm me këtë politikë, kemi lehtësuar barrën fiskale për 623 mijë qytetarë që shkojnë në punë çdo mëngjes.
 
• Me taksat progresive të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale është 860 milionë lekë në muaj. Me taksën e sheshtë, të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi të ardhurën personale do të ishin 1.9 miliard lekë, praafërsisht 1.1 miliard lekë në muaj që për shkak të taksës progresive, nuk shkojnë në buxhetin e shtetit po rikthehen mbrapsht qytetarëve në xhepat e tyre, për konsumin e familjeve të tyre. Në vit, kjo shumë shkon afërsisht 110 milionë dollar. Kemi kthyer në xhepat e qytetarëve 1 miliard lekë në muaj, ose 12 miliard lekë në vit, ose rreth 50 mld lekë në katër vite, 500 mln USD mbrapsht. Pra qytetarët shqiptarë që na besuan, kanë përfituar 500 milion USD më shumë.
 
• Vetëm në një vit e rritëm fondin e pagave 2.2 herë më shumë se qeveria e mëparshme. Fondi i rritjes së pagave 2010-2013 ka qenë 3.2 miliard lekë; fondi i rritjes së pagave vetëm në një vit, në 2017 (me efekt 12-mujor) do të jetë 7.2 miliardë lekë, janë shifra nominale të drejtpërdrejta.
 
• Pagat për mësuesit. Janë 326,638 punonjës të sistemit arsimor që përfitojnë mesatarisht 10% rritje page në vitin 2017. Paga mesatare bruto për një mësues të shkollës 9-vjeçare në 2013 ka qenë 61,100 lekë, në 2017 bëhet 64,650 mijë lekë. Për mësuesit e shkollës së mesme, nga 64,100 lekë në 2013, shkon në 68,000 lekë në 2017.
 
• E njëjta gjë edhe për sistemin shëndetësor të lënë pas dore në shumë e shumë kohë. Për vitin 2017 reforma e ndërmarrë për rritjen e pagave në administratën publike shoqërohet edhe me rritjen e pagave të sistemit shëndetësor publik. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 10%, përfitojnë 18,415 personel mjekësor dhe infermierë nga të cilat 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar është 1.5 miliardë lekë.
 
• Me sistemin e vjetër nuk ka ekzistuar koncepti i pensionit social. Në 2013, mbi 1,775 përfitues do të ishin lënë në mes të rrugës. Sot, ekziston koncepti i pensionit social, përfitimi drejtpërdrejtë për qytetarin. Në 2016 është dyfishuar numri i përfituesve; në 2017 numri i përfituesve të pensionit social shkon në 5,070 qytetarë.
 
• Kategoria e ish-ushtarakëve. Zgjidhet përfundimisht problemi i 5,130 ish-ushtarakëve të cilët kishin detyrim 1 miliard lekë ndaj shtetit për shkak të diferencës në llogaritjen e pensioneve.
 
•Për herë të parë në këtë mandat sëmundja nuk tatohet. Që prej fillimit të vitit 2014, TVSH e ilaçeve dhe shërbimeve mjekësore është zero. Efekti i kësaj mase në buxhet është rreth 2.1 miliardë lekë në vit që ia kemi kursyer qytetarëve që kanë përdorur shërbimin mjekësor apo kanë marrë ilaçe. Imagjinoni, janë 21 milionë dollarë që vetëm nëpërmjet një lëvizje fiskale, heqjes së tvsh për ilacçt dhe shërbimet mjekësore, u janë kthyer mbrapsht në xhep qytetarëve.
 
•Në total janë rreth 63 miliardë lekë për periudhën 2013-2017 që programi i qeverisë u ka kthyer qyetetarëve nëpërmjet këtyre masave dhe sigurisht që nuk do lë pa përmendur, indeksin e çmimeve të shëndetësisë në rënie që nga viti 2013.
 
“Politikisht do të thoja se është një premtim i mbajtur dhe nuk jemi ende në përfundim të rrugës së shëndetësisë falas, por jemi në një trend jashtëzakonisht të konsoliduar për qytetarët që megjithë problemet që ka sistemi, kanë mundësi t’i prekim me duart e tyre këto përmirësime” – përfundoi Ministri.

(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS