TIRANE – Do të ketë një projekt të ri për ndërtimin e xhamisë në Tiranë. Ky është vendimi i marrë sot nga komisioni me anëtarë të përbashkët të Bashkisë Tiranë dhe Komitetit Mysliman, i ngritur enkas për këtë çështje, i cili miratoi kështu propozimin e myslimanëve.

Për këtë, do të krijohet edhe një komision që do të përbëhet nga 6 anëtarë, edhe ky i miksuar mes Bashkisë dhe Komitetit. Në takimin e sotëm u vendos gjithashtu që në përzgjedhjen e projektit të ftohen arkitektë të propozuar nga Komiteti Mysliman.

Në një njoftim për shtyp të Bashkisë sqarohet se anëtarët e komisionit për Xhaminë janë njohur fillimisht me të gjitha projektet e sjella në konkursin e zhvilluar rreth një vit më parë. Pasi kanë parë propozimet e studiove konkurruese, anëtarët e komisionit vendosën unanimisht se nevojitet një projekt i ri për Xhaminë, e cila të përshtatet me truallin e ri ku do të ndërtohet si dhe të reflektojë trashëgiminë kuturore shqiptare, në dizajnin e saj.

Në këtë mbledhje, Komisioni u njoh edhe me propozimin e Komunitetit Mysliman, për angazhimin e një studio arkitekturore, për hartimin e projektit. “Sipas përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, Kryearkitekti dhe drejtuesi i kësaj studioje, me një veprimtari 28-vjeçare, Muharrem Hilmi Shenalp, ka ardhur në Shqipëri dhe është njohur me truallin e Namazgjasë. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila në 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Komisioni vendosi të miratojë propozimin e Komunitetit Mysliman dhe të ftojë arkitektet e propozuar prej tyre, për t’i intervistuar. Në këtë mbledhje u miratua edhe komisioni i përbërë nga 6 anëtarë, përfaqësues të Komunitetit Mysliman dhe të Bashkisë së Tiranës, që do të përgatisë termat e referencës për intervistën.

(im/shqiptarja.com)