TIRANË- Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim projektligjin e buxhetit 2021, i cili ka si objektiv rimëkëmbjen e ekonomisë me 5.5% vitin e ardhshëm dhe rritje të ardhurave me rreth 12% krahasuar me vitin aktual.
Sipas projektbuxhetit, rigjallërimi i ekonomisë është i bazuar tek rritja e investimeve publike, financimi i nevojave të pandemisë, si dhe procesi i rindërtimit. Për vitin që vjen të ardhurat totale janë parashikuar në nivelin e 479 miliardë lekëve, me një rritje prej 32.5 miliardë lekë me të pritshmin e këtij viti. Por realizimi i këtij objektivi kërcënohet nga disa faktorë.
“Është e vërtetë që të ardhurat varen nga pandemia që mos të kemi një mbyllje dhe e dyta nëse të gjithë do të paguajnë taksat. Padyshim informaliteti dhe çështjet që lidhen me evazionin janë problem i kësaj ministrie, por ne kemi thënë që vetëm me miradministrim rrisim me 1.5% të ardhurat”, u shpreh Denaj.
“Masat e marra dhe politikat e buxhetit 2021 janë politika që realizojnë objektivin për rimëkëmbjen ekonomike. Kjo do të shikohet në 6 mujorin e parë të vitit, me ecurinë dhe problemet e pandemisë, sidoqoftë ka koeficiente sigurie për të përballuar problematikat që mund të dalin”, tha Angjeli.
Komisioni i Ekonomisë nuk kaloj pa debate sa i takon objektivave të qeverisë dhe nivelit të varfërisë në vend.
“Sa është numri i njerëzve që këtë vit kanë rënë në varfëri ekstreme?”, pyeti deputeti Roshi.
“Rreziku për të qenë i varfër ekziston në çdo vend të botës edhe përpara pandemisë. Parashikohet që mesatarja e vendeve të BE është 16.9%. Në vitin 2017-2018 sipas INSTAT ka matur nivelin e të ardhurave dhe të jetesës që krahason me vendet e botës dhe të rajonit, rrezikun për të qenë i varfër në Shqipëri. Niveli i varfërisë në vend është llogaritur 23.4%, Rumani 23.5%, Hungari 12.8%”, iu përgjigj ministrja Denaj.
“Çfarë po thua moj, varfëria është ekstreme dhe ju më tregoni INSTAT-in?”, pyet Roshi.
“Të tregoj INSTATIN pasi ju si deputet i pari duhet të lexoni INSTAT-in”, thotë Denaj.
Ky projektbuxhet do të miratohet në parim në seancën parlamentare të së enjtes dhe më pas do të rikthehet përsëri në komisione për shqyrtimin nen për nen ku do të merren në konsideratë edhe kërkesat e ministrive të ndryshme. Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar mbi 14 miliardë lekë fonde shtesë, Ministria e Turizmit pa përmendur shifra por ka kërkuar mbështetje, po ashtu edhe Ministria e Brendshme.
Jo për TV “Të gjitha kërkesat që do të bëhen nga ministritë do ti shikojmë me vëmendje pasi po të ishte ashtu do të na duheshin 3 buxhete për ti realizuar. Ndaj ne do ti shohim me realizëm se çfarë janë të domosdoshme”, u shpreh Angjeli.