Brenda vitit 2026, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pritet të implementojë një nga teknologjitë më të avancuara të përdorura nga agjencitë ligjzbatuese për hetime operative: pajisjen IMSI Catcher, e cila shërben për identifikimin dhe gjurmimin e telefonave celularë në një zonë të caktuar.

SPAK ka siguruar financimin e dy projekteve madhore për forcimin e kapaciteteve operative dhe teknike, konkretisht: prokurimin e pajisjes përgjuese IMSI Catcher dhe modernizimin e sistemit të përgjimit përmes përditësimit në versionin më të fundit, rritjes së kapaciteteve të ruajtjes së të dhënave dhe shtimit të modulit për interceptimin e të dhënave IP. Këto projekte, me vlerë totale 5.1 milion euro, janë miratuar më datë 09.06.2025 nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar.

Konkretisht, pajisja e përgjimit IMSI Catcher ka një çmim të vlerësuar prej 1.8 milionë euro. Ndërkohë, projekti i dytë parashikon upgrade të sistemit të përgjimit, me një vlerë prej 3.3 milionë euro, që përfshin përmirësimin e sistemit në versionin më të fundit MC22, shtimin e modulit për IP Data (MPD) si dhe rritjen e memories së brendshme për ruajtjen e të dhënave (Data Storage).

Këto investime synojnë të rrisin ndjeshëm kapacitetet teknologjike të SPAK në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Çfarë është IMSI Catcher?

IMSI Catcher është një pajisje e avancuar elektronike që përdoret nga agjencitë ligjzbatuese për identifikimin dhe gjurmimin e telefonave celularë në një zonë të caktuar. Ajo funksionon duke simuluar një stacion bazë të rrjetit celular (antenë telefonike), duke bërë që telefonat pranë saj të lidhen automatikisht me pajisjen. Në këtë mënyrë, autoritetet mund të identifikojnë IMSI-në (International Mobile Subscriber Identity), kodin unik që identifikon çdo kartë SIM, si dhe të gjurmojnë vendndodhjen e pajisjeve dhe të analizojnë të dhënat teknike të komunikimit.

Kjo teknologji përdoret gjerësisht në hetime për krimin e organizuar, terrorizmin dhe trafikun ndërkombëtar. Pajisje të tilla janë zhvilluar fillimisht në vitet ’90 nga kompani të specializuara në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende europiane, ndërsa sot prodhohen nga kompani të ndryshme të teknologjisë së sigurisë dhe përdoren nga policitë dhe shërbimet inteligjente në shumë vende të botës.

Pajisja e përgjimit IMSI Catcher

Një pajisje e tillë përdoret edhe nga Policia e Shtetit në operacionet për kapjen e personave në kërkim dhe kryerjen e veprimeve hetimore, vetëm me autorizim të prokurorit dhe me vendim të gjykate. Me një pajisje të tillë në duar, SPAK mund t’i kryejë vetë përgjimet dhe nuk do të jetë e nevojshme që të kërkojë ndihmë nga Policia e Shtetit.