Një investim në një fushë sportive që synon të vendosë atë ekzistuese dhe të amortizuar në standardet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-s pritet të zërë vend në Bashkinë Durrës.

Kjo e fundit njoftoi një procedurë prokurimi me objekt kontrate “Ndërtim i fushës se futbollit ne Katund te Ri” 66.6 milionë lekë apo 666 mijë euro.

Relacioni i projktit nënvizon se nëpërmjet kësaj ndërhyrje synohet rehabilitimi dhe zhvillimi i fushës së futbollit me standardet e FSHF dhe UEFA.

“Projekti parashikon krijimin e një fushe futbolli me dimensionet 105x 86 m, si dhe ambienteve ndihmëse të sajë si dhomat e ndërrimit, nyjet sanitare, amfiteatrin për qëndrimin e vizitorëve që do të ndjekin shfaqet dhe rrethimit të fushës për sigurinë dhe mirë administrimin e saj. Objektivi i këtij projekti është rikonceptimi i hapësirës publike të fushës së sportit në Katund të Ri, duke synuar rigjenerimin e ambienteve të jashtme që do të promovojnë jetën në komunitet dhe hapësira të dedikuara për aktivitetet sportive në zone” thuhet në relacion.

I njëjti parashikon ndërhyrje në risistemimit të hapësirave të hyrjes, zhvillimit të aktiviteteve sportive, dhomave të ndërrimit dhe zonës së vizitorëve. Thelbësore në këtë ndërhyrje është dhe sistemimi i rrjetit të kullimit të fushës dhe shtrimi i sajë me material të përshtatshëm sipas standardeve të sipërcituara. Sipas Bashkisë në përfundim të investimit, banorët e zonës do të kenë mundësi të aksesojnë një hapësire publike të r kualifikuar e cila përmbush nevojat për zhvillimin e një jete më cilësore.

Fusha e lojës do të ketë përmasa 100–105 m gjatësi dhe 64–68 m gjerësi, në përputhje me kërkesat e Kategorisë 2. Sipërfaqja do të jetë 100% bar natyral, i mirëmbajtur dhe i përshtatur sipas kushteve klimatike. Vijëzimi do të jetë vetëm me ngjyrë të bardhë sipas Ligjeve të Lojës së IFAB. Në përputhje me rregulloren e FSHF-së (Neni 5), asnjë vijë tjetër nuk duhet të jetë e dukshme dhe asnjë objekt nuk duhet të vendoset më afër se 21 m mbi fushë.

Në vijën anësore pas asistentit të parë të arbitrit do të vendoset një zonë stërvitjeje për ngrohjen e lojtarëve të zëvendësimit. Sipërfaqja e saj do të jetë e njëjtë me atë të fushës kryesore, pra bar natyral.

“Stadiumi i Kategorisë 2 në Katund i Ri do të përmbushë të gjitha kërkesat e përcaktuara nga FSHF dhe UEFA, duke garantuar një impiant të sigurt, funksional dhe modern, të përshtatshëm për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Objektivi i projektit është rikualifikimi i plotë i hapësirës sportive për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe sociale, duke përmbushur standardet e kërkuara nga FSHF dhe UEFA dhe duke e kthyer në një pol zhvillimi për komunitetin”, thuhet në relacion./ Monitor

Projekti i fushës së re sportive në Katund të Ri