Ministria e Arsimit dhe Shkencës, reagon lidhur me tenderin “Furnizim me Laboratorë kompjuterikë në arsimin bazë” bërë në vitin 2008, në kuadër të projektit “Cilësi dhe Barazi në Arsim” i financuar nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare. Në reagimin e saj MASH vëren se raporti është paraprak dhe kishte të bënte me vitin 2010, dhe për të cilin janë marrë masat ndaj vonesave dhe problemeve të tjera të realizimit të projektit. Sipas MASH nga një kontroll i ri që KLSH ka kryer MASH ka zbatuar sipas ligjit të gjitha rekomandimet e lëna, lidhur me këtë kontratë.


DEKLARATA E MASH
Saktësojmë se tenderi i zhvilluar në vitin 2008, është fituar nga subjekti përkatës, me 46 për qind të çmimit të ofertës financiare, me 3.738.542 USD dhe j o me 10 milionë dollarë, ashtu si thuhet nga shtypi.

Raporti të cilit i referohen gazetat dhe televizionet, është pjesë e raportit paraprak dorëzuar në MASH nga KLSH në mars të vitit 2010. Janë edhe tre raporte të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për këtë tender, deri në raportin përfundimtar, i cili ka rekomanduar detyrat dhe masat që duhet të merrte Ministria e Arsimit dhe Shkencës për këtë çështje.
Për vonesën e realizimit të projektit, kompania është penalizuar me 10 për qind të vlerës, sipas përcaktimit të kontratës.
Për diferencë numerike ,të pajisjeve sipas kontratës së nënshkruar, kompanisë i është mbajtur shuma respektive e barazvlefshme me koston e këtyre pajisjeve të munguara, që nuk korrespondon me 46 laboratorë më pak, por me një laborator më pak dhe disa paisje e aksesorë.
Të vetmet paisje jashtë specifikimeve teknike ishin UPS dhe për këtë subjektit, nuk i është pranuar produkti, dhe i është mbajtur vlera përkatëse nga shuma totale.
Për materialet e padorëzuara dhe jashtë specifikimeve, është mbajtur TVSH-ja dhe taksa doganore e paguar më parë nga MASH.
Kontrolli i fundit ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në periudhën shtator-dhjetor 2011, ka përfshirë edhe verifikimin e realizmit të detyrave të lëna nga ky institucion, për këtë projekt.
KLSH në raport, shprehet se, MASH ka zbatuar sipas ligjit të gjitha rekomandimet e lëna, lidhur me këtë kontratë.