Çdo notë e fëmijëve apo largim i tyre nga orët e mësimit do t’u raportohet online prindërve. Regjistri elektronik, pjesë e klasës inteligjente është ngritur për herë të parë në gjimnazin “Çajupi” të kryeqytetit për t’u shtrirë më pas sipas Ministres së Arsimit në çdo shkollë të vendit. Kreu i qeverisë Edi Rama siguroi se Teknologjia e Informacionit do të krijojë standarde të barabarta për të gjithë nxënësit, pavarësisht nivelit ekonomik dhe rrethit ku jetojnë. Përmes batutës, kryeministri u kujtoi nxënësve koston e Teknologjisë së Informacionit, pamundësinë për të gënjyer prindërit.
“Sigurisht që ju mund të mos iu vijë fort mirë, që falë këtij sistemi dhe programeve që do të përfshihen brenda këtij sistemi, mami me babin do ta marrin vesh në kohë reale, a jeni në mësim, apo s’jeni në mësim, në momentin kur mësuesja do shënojë notën në regjistrin e saj elektronik, nota do t’i dali mamit ose babit në celular. Këto janë gjëra që, me thënë të drejtën, janë të këqijat e teknologjisë. Nuk keni çfarë të bëni. Se nuk mund t’i ketë teknologjia, të gjitha të mira.
Por, pa dyshim, për ju do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme që përmes këtyre instrumenteve, por dhe përmes kësaj marrëdhënieje së re që do të krijohet mes shkollës e familjes”, ka pohuar kryeministri Rama. Kurse Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka pohuar se prioritet i punës së qeverisë është pikërisht një shkollë ku teknologjia dhe dija bashkohen për të formëzuar personalitetin dhe aftësitë intelektuale të nxënësve në të dymbëdhjetë vitet e shkollimit të tyre në arsimin parauniversitar.
“Sot dhe në ditët në vijim ne do të kemi një standard të ri që do të thotë, falë teknologjisë dhe koncepteve të projekteve inovative, ne do të mundësojmë që iShkolla, iKlasa, iLënda të jetë një realitet në gjithë formimin tuaj duke mësuar që avantazhet e teknologjisë, mjetet e saj të jenë në përdorimin tuaj jo vetëm për të kënaqur atë që ju e keni, lundrimin në internet, por për t’i kthyer si një mjet të rëndësishëm të edukimit tuaj cilësor, jo vetëm në lëndën e informatikës, por në të gjitha lëndët.” – u shpreh ministrja Nikolla. Nga ana tjetër kryeministri Rama u shpreh se për shkollën ka nisur tashmë një epokë e re dhe se po vihet në zbatim zotimi për të mos bërë dallim mes nxënësve që mësojnë në periferi dhe atyre në qendër.
“Erdhi dita për të qenë së bashku dëshmitar të një epoke të re për shkollën, të një rruge të transformimit rrënjësor të marrëdhënieve mes shkollës e familjes, mes çdo nxënësi e botës së dijes, mes mësuesve e nxënësve. Ne jemi shumë krenarë që sot i hapim rrugë jetësimit të një tjetër zotimi që është se do kapërcejmë të gjithë hendeqet që ndajnë qendrën me periferinë kur vjen puna tek edukimi, që ndajnë rrugën e të ardhmes për shkak të pamundësive ekonomike”, tha Rama. Më tej kryeministri u shpreh se, me këtë risi do të krijohen kushtet që marrëdhënia e shkatërruar mes shkollës e familjes të rindërtohet. Prindërit dhe mësuesi të bëhen aleatë mes tyre.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)