Deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Rama lidhur me projektin TID në Durrës, i cili është prezantuar si rijetëzim i bulevardit “Epidamn”.

Në podcast-in “Flasim”, kryeministri tha se zona ku do të zhvillohet projekti është “pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore”. Objektivi, tha Rama, është “hyrja në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”.

Por Zhupa thotë se pretendimet nuk qëndrojnë dhe projekti është klientelist. Sipas postimit të saj, ligj për trashëgiminë është bërë nga subjekti që sot përfiton prej projektit.

“Asnjë nga pretendimet e Edi Ramës për projektin TID nuk qëndron dhe nuk janë të vërteta. Projekti është klientelist dhe nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë dhe identitetit të Durrësit.  Së pari, ligji për trashëgiminë kulturore që i referohet Rama se i rrjedh detyrimi për të bërë TID, është i hartuar dhe i sponsorizuar nga vetë AADF, është hartuar në marrëveshje me Kumbaron më 19 korrik 2016. Madje vetë AADF ka deklaruar se ka shpenzuar rreth 190 mijë dollarë për përgatitjen e tij. Pra, një ligj i bërë nga vetë subjekti që sot përfiton nga projekti, nuk mund të përdoret si arsye “detyrim ligjor” për të justifikuar domosdoshmërinë e projektit TID. Një ligj i tillë, i kontestueshëm dhe antikushtetues në thelb, nuk përbën arsye të mjaftueshme”, shkruan Zhupa.

Duke cituar fjalët e kryeministrit lidhur me ndërhyrjen shtetërore në zonat e trashëgimisë kulturore, Zhupa thotë se banesat historike po trajtohen si ndërtime pa leje duke cenuar trashëgiminë dhe pronën e ligjshme.

“Së dyti, kur Rama shprehet se “shteti po ndërhyn kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore”, faktet në terren tregojnë të kundërtën. Në Durrës, banesat historike me pronarë të identifikuar, në zona të konservimit dhe jo informale, po trajtohen njësoj sikur të ishin ndërtime pa leje. Kjo nuk është luftë kundër informalitetit, por cenim i trashëgimisë dhe i pronës së ligjshme”, vijon deputetja.

Sërish, duke iu referuar shpronësimeve, të cilat janë në qendër të shqetësimeve të banorëve për vlerat poshtë çmimit të tregut, Zhupa thotë se pronat janë larg amfiteatrit dhe nuk lidhen me monumentin. Ajo thekson se nuk ka pasur matje e verifikime reale në terren dhe projekti s’ka interes publik e as kombëtar.

“Së treti, nuk bëhet fjalë për prona brenda amfiteatrit apo në perimetrin e tij të drejtpërdrejtë, të cilat mund të shpronësohen me çmim të drejtë tregu për interes publik. Bëhet fjalë për prona shumë larg amfiteatrit, deri në zonën e shkollës “Jani Kukuzeli”, që nuk kanë asnjë lidhje me nxjerrjen në pah të monumentit. Projekti TID është hartuar pa matje dhe verifikime reale në terren. Të ashtuquajtur “ekspertë italianë” të angazhuar nga AADF kanë punuar mbi Google Maps, duke i konsideruar banesat e rregullta si “shtesa” dhe duke i trajtuar ndërtesat e konservuara si “prishje imazhi”, vetëm pse nuk janë ndërtuar të reja. Ky projekt ka karakter selektiv dhe klientelist. Nuk është një plan për interes publik apo kombëtar. Nëse do të ishte i tillë, banesat historike do të ruheshin dhe restauroheshin, jo të zhdukeshin”, shkruan Zhupa.

Në fund, deputetja Zhupa ka një thirrje për pezullimin e projektit aktual dhe hartimit të një tjetri që mund të ruajë trashëgiminë kulturore.

“Pezulloni projektin dhe të bëhet një projekt që realisht mund t’i shërbejë dosjes së UNESCO sepse një nga kriteret thelbësore është ruajtja e peizazhit historik dhe moscenimi i vlerave identitare. UNESCO nuk mbështet shembje dhe rikrijime të qyteteve me hapësira të gjelbra, por restaurime të vlerave historike. Trashëgimia kulturore nuk mbrohet duke e fshirë, por duke e ruajtur”, përfundon postimi i deputetes.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Shkurt, 08:56

    A është vlerësim për Shqipërinë pjesëmarrja në Bordin e Paqes?