PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.-Projektligji për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës ka përfunduar dhe ky draft gjatë javës së ardhshme do të diskutohet në Qeverinë e Kosovës.
Këtë e bëri të ditur ministri i FSK-së Haki Demolli dhe Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati gjatë raportimit të tyre në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj.
Pas prezantimit të raportit vjetor të FSK-së për vitin 2014 dhe pas diskutimit të gjerë të anëtarëve të Komisionit për çështje të ndryshme, në këtë mbledhje u diskutua lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Sipas Demollit para miratimit të këtij ligji në Kuvend, duhet të bëhet edhe amendimi i Kushtetutës.
Demolli mes tjerash foli edhe për një varg marrëveshjesh të nënshkruara dhe që do të nënshkruhen në të ardhmen nga ky institucion. Pasi foli edhe për memorandumet me shtetet e tjera dhe për integrimin e FSK-së në institucione ndërkombëtare, Demolli shpalosi synimin e FSK-së drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
Përfaqësues të MFSK-së, mes tjerash theksuan se ky institucion ka shpenzuar 97.7 për qind të buxhetit të planifikuar dhe se janë zbatuar mbi 96 për qind të aktiviteteve të planifikuara./b.j//m.m/












