TIRANE - Qeveria synon të zgjerojë gamën e magazinave doganore të llojit “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops), duke parashikuar mundësinë e krijimit të këtyre dyqaneve edhe në pikat kufitare tokësore dhe detare.

Një projektligj i sugjeruar nga ministria e Financave ka mbërritur në Kuvend dhe së shpejti do të paraqitet për shqyrtim në komisionet parlamentare përkatëse.

Sipas ministrisë, zgjerimi i mundësisë për të pasur “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops) edhe në pikat kufitare tokësore dhe detare, përveç atyre në aeroport, përputhet me nevojat e reja për ta zhvilluar këtë sektor, duke vlerësuar mundësinë e çeljes së aeroporteve të reja ose pikave të reja kufitare, detare, tokësore apo ajrore për qëllime turistike ose tregtare etj.