Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka pezulluar përkohësisht nga detyra prokurorin e Durrësit Anton Pali duke e dërguar për riedukim pasi gjatë procesit të vetingut i janë identifikuar probleme profesionale.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar të mërkurën, (08 maj 2024) komisioni ngriti pikëpyetje mbi disa vendimmarrje të tij në rolin e prokurorit, ku në veçanti shqetësimi lidhej me vendimin për mbylljen pa akuzë të një hetimi të kryer në vitin 2017 mbi projektin e incineratorit të Elbasanit, projekt që dyshohej për veprat penale të pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Sipas relacionit të procesit të vetingut, puna e Palit mbi këtë çështje ngrinte pikëpyetje se pse ai nuk kishte hetuar kompanitë nënkontraktore, të cilat, në një hetim të mëvonë, rezultuan se ishin në masë kompani joreale, të krijuara për të lëshuar fatura përmes të cilave ish-ministri Lefter Koka akuzohet se përfitoi miliona euro ryshfet, raporton BIRN
“Është e paqartë se si është konkluduar me pushim të hetimit, kur prokurorja e mëparshme kishte konkluduar se kishte korrupsion aktiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale,” u tha në relatim.
Ndërkaq Pali kaloi pa probleme kriterin e pastërtisë së figurës dhe hetimi administrativ nuk vërejti problematika mbi pasurinë e tij.