Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kërkoi rishikimin e kuadrit ligjor për veprat penale që cenojnë zgjedhjet e lira, duke propozuar ndryshime në disa dispozita të Kreut 10 të Kodit Penal për të përcaktuar më qartë rastet me rrezikshmëri më të lartë për procesin zgjedhor dhe për të parashikuar masa më proporcionale dënimi.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve hetimore, përmirësimin e analizës së provave dixhitale, shtimin e burimeve njerëzore në prokurori, krijimin e një rrjeti të përhershëm koordinimi mes institucioneve dhe rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.

“Kuadri ligjor për veprat që cenojnë zgjedhjet e lira. Disa nga dispozitat e Kreut X të Kodit Penal mund të rishikohen për të përcaktuar më qartë kur sjellja paraqet rrezikshmëri më të lartë për procesin zgjedhor, duke parashikuar si rrethana rënduese apo forma të cilësuara rastet kur veprat kryhen ndaj më shumë se një zgjedhësi e të tjera. Parashikimi i formave të cilësuara dhe rishikimi përkatës i masave të dënimit do të mundësonte një përgjigje penale më proporcionale

Shumë kallëzime apo referime nuk vijnë me të dhëna të mjaftueshme. Kjo nuk do të thotë se kallëzuesi duhet të marrë rolin e Prokurorisë, por informacioni fillestar duhet të jetë sa më i qartë për Prokurorinë. Hetimi i krimit kërkon forcimin e kapaciteteve të hetimit për analizën e pajisjeve elektronike, rrjeteve sociale, materialeve audio dhe pamjeve filmike. Hetimi kërkon mbështetje më të mirë teknike dhe kapacitete të dedikuara për provat dixhitale.

Një sfidë tjetër lidhet me ngarkesën e përgjithshme të prokurorive dhe mungesën e burimeve njerëzore, pasi disa prokurori vijojnë të funksionojnë nën kapacitetin e tyre organik. Vlerësohet të merret në konsideratë mundësia e krijimit të një rrjeti kombëtar operacional për integritetin zgjedhor, si një mekanizëm i përhershëm koordinimi, ku Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, KQZ dhe Policia të shkëmbejnë informacione mbi rreziqet zgjedhore gjatë gjithë ciklit zgjedhor. Mbetet e nevojshme forcimi i kapaciteteve zbuluese, parandaluese dhe hetimore të Policisë së Shtetit për veprat penale që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor. Roli i Policisë është thelbësor në çdo aspekt”, tha Çela.


Lajmi kryesor:

Braho në Komision: Task-Forcë e përhershme për krimet zgjedhore! Të ashpërsohen dënimet, hetimet deri te përfituesit realë! Kriminelët në kërkim? Mund të nisim vetë me arrestimet (VIDEO)