TIRANE - Partia Socialiste publikon qëndrimin për kryeprokuroren që i dorëzoi sot presidentit të Republikës Bujar Nishani.
Largimi i Prokurores së Përgjithshme nga detyra para përfundimit të mandatit është i kundërligjshëm, do ishte “de facto“ një shkarkim. Kështu shkruan kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi në një letër drejtuar presidentit Nishani.

Sipas njoftimit zyrtar nga zyra e shtypit të Partisë Socialiste, Ruçi ia dorëzoi letrën presidentit, gjatë takimit që Nishani pati sot për konsultime në lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm. Në letër Ruçi shkruan se Bujar Nishani rrezikon të shkelë Kushtetutën, pasi sipas tij nuk janë partitë politike ato që përcaktojnë lerat që duhet të mishërojë Prokurori i Përgjithshëm.

“Nuk janë partitë ato që përcaktojnë vlerat që duhet të mishërojë Prokurori i Përgjithshëm. Këto vlera i përcakton Kushtetuta e Republikës, prej të cilës ju duhet të udhëhiqeni. Me “takimet konsultuese” ju rrezikoni ta shkelni kushtetutën në frymë dhe në gërmë.”

Duke iu referuar deklaratës së presidentit, se mandati i kryeprokurores aktuale përfundon në nëntor, Ruçi sqaron se “funksioni i prokurorit është pa mandat të kufizuar sepse kur është emëruar Ina Rama, Kushtetuta s’e parashikonte kufizimin për këtë funksion.”

“Çdo veprim i kryer në kundërshtim me këto standarde kushtetuese dhe që do të materializohej në zëvendësimin antikushtetues të Prokurorit të Përgjithshëm me synim zgjidhjen e problemeve politike afatshkurta jo vetëm që do ishte një akt ndaj institucioneve të Republikës dhe me pasoja të rënda, por gjithashtu do të kthehen në precedent negativ për kufizimin në të ardhmen të mandatit të çdo organi tjetër kushtetues.”, thuhet në letrën e bërë publike në orët e pasdites së sotme nga zyra e shtypit të PS.

Sipas Gramoz Ruçit, Kushtetuta nuk e njeh fuqinë prapavepruese të një amendamenti, përveçse kur vetë legjislatori kushtetues e parashikon atë. “Kuvendi kishte detyrën e nxjerrjes së dispozitës tranzitore pas ndryshimeve kushtetuese më 2008, por ende sot nuk e ka bërë këtë.”, vijon më tej letra.

Në përfundim të letrës, Ruçi, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i bën ftesë presidentit që përpara çdo diskutimi e veprimi për figurën e ardhshme të Prokurorit të ri të Përgjithshëm, të qartësoni qëndrimin tuaj lidhur me afatin kushtetues të mandatit të Prokurores së Përgjithshme të Republikës aktualisht në detyrë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)