RROGOZHINE - Një dramë përtej njerëzores, një tragjedi që dhe lotët i ka pak. Vdekja e nënës Violeta Metani 28 vjec dhe foshnjës së saj 4 muajsh tre ditë më parë në një aksident fatal pranë vendit të quajtur Mbikalimi i Golemit është vetëm një pjesë e kësaj ngjarje të dhimbshme. Vdekja e dyfishtë u përjetua pas hekurave të burgut nga i ati i foshnjës dhe bashkëshorti i Violetës, Sulejman Metani i cili për një tekë ose dicka më tepër të një prokurori në Kavajë të quajtur Dritan Nushi, nuk u lejua të merrte pjesë qoftë dhe për pak minuta në ceremoninë mortore të përcjelljes në banesën e fundit të dy të dashurve të tij. Drejtoritë e burgjeve që lënë të lirë në emër “të sjelljes shembullore në qeli” vrasës dhe kriminelë, këtë herë kanë ditur të zbatojne në mënyrë rigoroze ligjin për të dënuarin... me tre vite burg babanë e një fëmije që s'e pa kurrë.

BABAI SE PA KURRE DJALIN E TIJ
I ati i foshnjës Sulejman Metani nuk pati mundësinë ta shihte as të vdekur djalin e tij. Në kohën kur lindi Sajmiri, i ati nodhej në burg. Ndoshta një foto e të voglit është i vetmi imazh i të atit që s'i dhe kurrë një puthje djalit të tij. Se pa as të gjallë dhe as të vdekur, as arriti ta përcillte dot në varr të voglin.

Por dhimbja nuk përfundon këtu, pa nënë dhe me baba në burg kanë mbetur dhe tre fëmijë të tjerë të ciftit Metani 2,3 dhe 7 vjec.
Violeta Metani jetonte në zonën pranë Urës së Shkumbinit në Rrogozhinë. Shtëpia e ciftit ku ishte grupi i xhirimit të A1 Report dhe “Shqiptarja.com” paraqiste skamjen dhe varfërinë esktreme porsa shkel oborrim, shtëpia e ciftit ka vetëm një suvatim të lehtë dhe dy dhoma, ndërsa brenda sa kalon pragun dhe hyn në dhomë shfaqet krevati i  Sajmir Metanit, foshnjës që u viktimizua së bashku me nënën.

AKSIDENTI I DYFISHTE, SI NDODHI TRAGJEDIA
Mesdita e 6 shtatorit ishte ndryshe për Violetën. Ajo la mënjanë punët e zakonshme që bënte cdo ditë, rregullimet në këtë shtëpi të varfër që vetëm shtepi s’mund t’I thuash. La pas dhe punën tjetër, atë të mbledhjes se hekurishteve në lagje nga shitja e të cilave ushqente katër te miturit. Me foshnjën në krah ajo u nis drejt Burgut të Durrësit për të takuar bashkëshortin kur një makinë e shtpi për vdekje atë dhe djalin e saj 4 muajsh.
Policia fajësoi viktimën për aksidentin, të afërm të saj dhe ata të autorit të aksidentit kanë bërë paqe tashmë. Këta njerëz të varfër kuptojnë më shumë se kaq, gjejnë humanizëm dhe përtej tragjedisë. “Asnjë shofer nuk do të bëjë aksident” shprehet kushëriri i parë i Sulejmanit, Agim Halili.

PADREJTESI TE DREJTESIA

Refuzimi i prokurorit për t’i dhënë qoftë dhe një orë leje babait të foshnjës nuk është e para padrejtësi që gjejnë te drejtësia këta njerëz të varfër. Pak kohë më parë kur ndodhi dhe sherri mes vëllezërve, të tjerë gjykatës kërkuan jo pak, por dhjetë miljon lekë nga këta njerëz që dhe bukën nuk sigurojnë dot për të nxjerrë të riun nga burgu.

VELLAI: E KAM FALUR ME KOHE VELLANE TIM
Dhe më tej padrejtësitë vijojnë, vëllai i tij Albert Metani pohon se edhe zyrtarisht dhe publikisht e ka falur vëllanë e tij. Sherri mes vëllezërve ndodhi në gjendje të dehur 9 muaj më parë. Sipas Albertit, Sulejmani e ka gjuajtur vetëm me disa shpulla në fytyrë. Në gjendje të dehur Alberti bëri denoncim në polici. Dhe dy shpulla i kushtuan Sulejmanit 3.5 vite burg nën akuzën plagosje e rëndë me dashje.

APELI I FAMILJAREVE
Familjarët bëjnë apel: Mos jepni pafajësi, por nxirreni nga burgu Sulejmanin dhe mbajeni në arrest shtëpie babanë e tre fëmijëve që tashmë janë në mëshirë të fatit, s’kanë as bukë!!!

………….. Ishte kjo një histori jete mizore në një familje shqiptare të goditur mizorisht nga varfëria, fatkeqësia dhe padrejtësia. Të gjitha bashkë janë shumë më tepër se përmasat e një tragjedie. Këtu s’ka vend për indiferencë!

(nertila spiri/shqiptarja.com)