Prokuroria: Dy vjet burg Metës
Fjala e Gjykatës më 16 Jana

TIRANË – Afro një vit pas publimit të videos së përgjimit, Gjykata e Lartë vendos mbylljen e gjykimit për Ilir Metën. Më 16 janar kjo Gjykatë do të japë vendimin e saj lidhur me akuzën që rëndon mbi ish zv.kryeministrin dhe ministrin e jashtëm, Ilir Meta të artikuluara nga Prokuroria e Përgjithshme. Sot, prej më shumë se 4 orë është zhvilluar seanca e fundit në ngarkim të Metës. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga Ardian Dvorani pasi ka dëgjuar prokurorinë dhe mbrojtjen ka vendosur që të shpallë më 16 Janar, ora 13 vendimin nëse Meta do të dënohet apo do të deklarohet i pafajshëm pas publikimit të video - përgjimit me Dritan Priftin.


PROKURORIA: DY VJET BURG PËR ILIR METËN
Prokuroria e përgjithshme ka dhënë sot pretencën e saj lidhur me gjyqin ndaj ish ministrit Ilir Meta me akuzën për korrupsion. Në seancën e sotme në Gjykatën e Lartë prokurori i çështjes, Bujar Sheshi ka kërkuar 2 vite burg dhe një gjobë prej 1 milion lekësh për Metën, pas publikimit të videos së bisedës mes tij dhe Dritan Priftit. Prokurori Sheshi rindërtoi në mënyrë të detajuar të gjithë ngjarjen që, sipas tij e ngarkon Metën me akuzën për korrupsion. Sheshi tha se, dëshmia e Priftit është e besueshme dhe Meta ka ndikuar pranë Priftit për dhënien e një koncensioni në Shushicë si edhe për naftën bruto. Sipas prokurorisë Meta do të paguajë të gjitha shpenzimet proceduriale.


MBROJTJA: DUAM PUSHIMIN E ÇËSHTJES
Avokatët e Ilir Metës kundërshtuan pretencën e Prokurorisë dhe kërkuan pushimin e çështjes ndaj klientit të tyre. Në konkluzionet e tyre, avokatët pretendojnë se akuza e Prokurorisë nuk vërtetohet.


AKUZA DHE VIDEO
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta akuzohet për korrupsion aktiv dhe abuzim me detyrën, pas publikimit të videos së përgjuar nga ish ministri i Energjetikës në zyrën e këtij të fundit më 1 mars të 2010. Gjatë bisedës përmenden përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas zotit Prifti i ishin ofruar në këmbim të nje licence hidrocentrali. Videoja u publikua në emisionin "Fiks Fare" të Top Channel mbrëmjen e 11 janarit 2011.
Seancën e kaluar më 17 dhjetor, 2011, Gjykata pranoi të gjitha provat shkresore të mbrojtjes ndërsa hodhi poshtë prokurorinë për disa nga provat që prej saj, konsideroheshin të rëndësishme.
Gjykata rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për dëgjimin në seancë të një dokumenti orgjinal që gjendet në laptopin e sekuestruar nga Prifti dhe transkriptimin e videos Meta -Prifti, në emisionin "Top Story" të drejtuar nga Sokol Balla.
Trupi gjykues pranoi të merrte në cilësinë e provës nga ana e akuzës, vetëm laptopin , USB-në dhe orën që ka shërbyer si kamera gjatë video-përgjimit të famshëm.


PRIFTI PERBALLE METES
Me një deklaratë për shtyp  Dritan Prifti, paralajmëroi dje se do të bëjë publike një video tjetër për Metën. Ish - deputeti i LSI-së, aktualisht i pavarur, deklaroi se
Meta po bën shantazhe përpara pretencës së sotme, dhe paralajmëroi se sapo të mbyllet kjo çështje, Metës do t'i hapet një tjetër.

"Sa të mbyllen hetimet shqiptarëve do ia tregoj unë këtë video. Do t'i tregoj pjesët me zë dhe figurë që censuron Meta dhe si ai trajton marrëdhëniet me miqtë dhe ndërkombëtarët. Meta s'ka shpëtim. Pasi t'ia mbyllë gjykata me lekë këtë çështje, atij do t'i hapet tjetra menjëherë", është shprehur ish-deputeti i LSI.

Nga ana tjetër Meta dje nuk ka preferuar të komentojë pretencën e organit të akuzës ditën e sotme, por dhe nje kthim të mundshëm të tij në qeverisje pas vendimit të Gjykatës së Lartë. "Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje tashmë ordinere që i takojnë vitit të kaluar. Jemi këtu për t'u marrë më çështje të mëdha dhe tepër serioze që i takojnë të ardhmes dhe ju siguroj se angazhimi dhe performanca e LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes do të jetë vërtet tepër premtuese", është shprehur dje Meta.

(aq/sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave