Prokuroria e Përgjithshme dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kanë firmosur një Memorandum Bashkëpunimi për të forcuar koordinimin institucional në luftën kundër piraterisë dixhitale audiovizive.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi mes Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi. Memorandumi parashikon ngritjen dhe funksionimin e një task-force të përbashkët që do të merret me identifikimin dhe ndjekjen e rasteve të piraterisë dixhitale.

Sipas marrëveshjes, AMA angazhohet të kallëzojë në prokuroritë kompetente materialet që mund të përmbajnë elementë të veprave penale, si edhe të informojë Prokurorinë për metodat e reja të piraterisë dixhitale.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme angazhohet të vlerësojë kallëzimet, të kërkojë të dhëna shtesë për një hetim të plotë dhe të bashkëpunojë me AMA-n për dokumentimin dhe referimin e rasteve të piraterisë dixhitale audiovizive.