TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme përcjell ngushëllimet për humbjen e kolegut, mikut, imazhit më të mirë të prokurorit këmbëngulës, Xhevat Hana.

Nëpërmjet një mesazhi ngushëlli Prokuroria e Përgjithshme shprehu hidhërimin për ndarjen nga jeta të prokurorit pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë.
“Ndarja e parakohshme është një humbje e madhe për familjen e tij por dhe për kolegët dhe miqtë e tij të shumtë të cilët kanë parë tek ai familjarin e mirë, njeriun korrekt e të përkushtuar ndaj punës, dinjitoz dhe i papërkulur. Xhevat Hana ishte imazhi më i mirë i prokurorit këmbëngulës që ka si mision ruajtjen e fuqizimin e shtetit, fanatik i zbatimit të ligjit gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë, çka e kish shndërruar atë në një shembull të devotshmërisë tek kolegët. – thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë sot nga Prokuroria e Përgjithshme.

“Ndarja me Xhevat Hanën, përveç pikëllimit të thellë për këtë mik e koleg të paharruar, përbën dhe një humbje dhe boshllëk edhe për Prokurorinë Shqiptare që do ta kujtojë këtë figurë të spikatur të drejtësisë me respekt të thellë.” Vazhdon njoftimi për shtyp i cili mbyllet duke njoftuar se Prokuroria Shqiptare do të organizojë ceremoninë e varrimit të Z. Xhevat Hana, në ambientet e Shtëpisë së Oficerëve, Tiranë. Shpenzimet për përcjelljen e kolegut Hana do të bëhen nga institucioni i Prokurorisë. Për ditën dhe orën e saktë do të njoftohet pas mbërritjes së trupit të të ndjerit nga Italia në atdhe.