PROKURORIA-PERGJITHSHME-GODINA
-Familja Permakaj i zuri pritë familjes Markaj, duke lënë të vdekur dy prej anëtarëve të saj e duke plagosur 3 të tjerë-
TIRANË, 4 Korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pukë kërkon burgim të përjetshëm për dy vëllezër, 25 vjet burgim për vëllain e tretë, si dhe 23 vjet burg për djalin e xhaxhait të tyre, të gjithë të akuzuar për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, ngjarje e cila ka ndodhur në fshatin Qelëz, Pukë, në 29 qershor 2012.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, mësohet se pas hetimit ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit Anton Permarkaj, Sokol Permarkaj, Bardhok Permakaj (vëllezër) dhe Fran Permakaj (djali i xhaxhait të tyre), u kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të anëtarëve të familjes Markaj.
Nga goditjet e të pandehurve kanë mbetur të vdekur shtetasit Paulin dhe Hilë Markaj, si dhe të plagosur shtetasit Tone Markaj, Angjelina Markaj dhe Alfons Markaj. Në vendngjarje kanë qenë edhe tre anëtarë të tjerë të familjes Markaj, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar dëmtime.
Në konkluzionet e saj në përfundim të hetimit, Prokuroria Pukë kërkoi nga gjykata, që Anton Permaka dhe Sokol Permakaj, të dënohen me burgim të përjetshëm, Bardhok Permakaj, të dënohet me 25 vjet burg, ndërsa Fran Permakaj, të dënohet me 23 vjet burg.
Konflikti mes famijeve Permarkaj dhe Markaj kishte nisur disa kohë më parë se të ndodhte ngjarja kriminale, për shkak të një toke që i ishte lënë në përdorim familjes së të pandehurve./a.ke/