Prokuroria në Mal të Zi heton mënyrën e jetesës së funksionarëve

Prokuroria në Mal të Zi heton mënyrën e jetesës së funksionarëve

Presidenti Milo Gjukanovic me gruan e tij Lidija

Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi aktualisht është duke punuar në katër raste, në të cilat hetohet mënyra e jetesës së disa funksionarëve, përkatësisht mospërputhja mes të ardhurave të tyre dhe jetës luksoze që bëjnë.

“Në të gjitha rastet janë krijuar lëndë penale, që janë në fazën e hetimit”, thonë nga prokuroria për Radion Evropa e Lirë dhe shtojnë se atyre u ka paraprirë një njoftim i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Nga fundi i vitit 2020, kjo agjenci ka krahasuar të dhënat e pasurisë së zyrtarëve me bazat e të dhënave në dispozicion dhe ka konstatuar disa mospërputhje mes të ardhurave dhe pasurisë që kanë raportuar.

Ky hap është bërë me vetiniciativë, pasi Ligji aktual për Parandalimin e Korrupsionit në Mal të Zi nuk e ka këtë normë juridike. Ajo është pjesë e një ligji të ri, i cili është ende në formë drafti.

“Monitorimi i mënyrës së jetesës përfshin krahasimin e të ardhurave dhe pasurive të deklaruara, në raport me konsumin, vendbanimin dhe pronën e zyrtarëve publikë, të bashkëshortëve dhe të fëmijëve”, thuhet në këtë draft.

Dhe, pikërisht mënyra e jetesës është në fokus të katër rasteve që janë nën vëzhgimin e Prokurorisë Speciale - dy prej të cilave kanë të bëjnë me ministra të ish-Qeverisë, një me një polic dhe një me një person përgjegjës nga sektori joqeveritar.

Pasuria e familjarëve të ish-ministrit të Policisë

Ish-ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Mevludin Nuhoxhiq, 9 dhjetor 2019.

Familja e ish-zyrtarit publik M.N. është një prej atyre që janë nën vëzhgimin prokurorial.

“Më 10 maj, 2022, Agjencia [për Parandalimin e Korrupsionit] ka dorëzuar një njoftim në prokurori, ku thuhet se familjarë të caktuar të ish-zyrtarit publik M.N. janë pronarë të pronës së paluajtshme, e cila nuk korrespondon me të ardhurat e tyre reale”, bën të ditur Prokuroria Speciale.

Radios Evropa e Lirë në Podgoricë iu konfirmua jozyrtarisht se bëhet fjalë për Mevludin Nuhoxhiqin, ish-ministër i Punëve të Brendshme, tani deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila udhëhiqet nga Millo Gjukanoviq.

Në rastin e anëtarëve të familjes Nuhoxhiq, Prokuroria Speciale konstatoi “ekzistencën e bazave për dyshim” për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Informacionet, të dhënat dhe dëshmitë janë mbledhur nga Administrata e Kadastrës së Budvës, Zhablakut dhe Podgoricës. Nëpërmjet policisë janë marrë informacione edhe nga M.N. dhe vajzat e tij. Policia ka marrë urdhrin që të bëjë kontrolle përmes [agjencisë ndërkombëtare të policisë] INTERPOL dhe t’i mbledhë provat e nevojshme”, thonë nga Prokuroria Speciale.

Në raportimin e Nuhoxhiqit për pasurinë, i cili gjendet në ueb-faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, nuk ka të dhëna për pasurinë e vajzave të tij, sepse, sipas ligjit ekzistues, zyrtarët publikë nuk janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë e fëmijëve që nuk jetojnë me ta.Agjencia, në disa raste në vitet e kaluara, ka thënë se Nuhoxhiq ka shkelur Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit, duke mos e deklaruar pasurinë e tij të plotë.

Nuhoxhiq thotë për REL-in se bëhet fjalë për prona të vajzës së tij, Bellma, e cila zotëron dy banesa, një në Podgoricë dhe një në Budvë. Vajza tjetër, Xhenana, sipas tij, ka 1.000 metra katrorë tokë në Zhablak.

Rasti i ish-ministrit Kenan Hrapoviq

Ish-ministri i Shëndetësisë, Kenan Hrapoviq.

Kenan Hrapoviq, ish-ministër i Shëndetësisë nga Partia Socialdemokrate, një partner koalicioni i Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit, gjithashtu ka shkelur ligjin duke mos deklaruar të gjithë pasurinë e tij.

Prokuroria Speciale, siç konfirmohet për REL-in, ka më shumë se dy vjet që po heton mënyrën e jetesës së anëtarëve të familjes së Hrapoviqit, përkatësisht të vajzës Sellma.Hetimet kanë nisur pasi Qendra për Edukim Qytetar, në prill të vitit 2021, ka bërë një kërkesë tek Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, për të rishikuar mënyrën e jetesës së familjes Hrapoviq, pas disa raportimeve të mediave, që kanë sugjeruar se “anëtarët e kësaj familjeje kanë një mënyrë jetese që i tejkalon të ardhurat e tyre të raportuara”.

Kërkesa është bërë pasi Sellma ka publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, që kanë treguar se ajo ka vizituar Majamin, Nju Jorkun, Dohën dhe Abu Dabin, brenda një kohe të shkurtër.REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan