Prokuroria: Prendi vrau Faik
Myrtajn dhe manipuloi provat
Arrest dhe shefit të IT së Qeverisë e shoferi i Prendit
I. Rama: Jo imunitet për 3 deputetë të PS|VIDEO

Prokuroria: Prendi vrau Faik <br />Myrtajn dhe manipuloi provat <br />Arrest dhe shefit të IT së Qeverisë e shoferi i Prendit<br />I. Rama: Jo imunitet për 3 deputetë të PS|VIDEO
TIRANË- Një ndër katër të vrarët e 21 janarit, Faik Myrtaj, është qëlluar me armë zjarri të llojit pistoletë dhe ajo armë ishte e komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Deklaratën prokurorja e përgjithshme Ina Rama e bëri gjatë konferencës së posaçme për shtyp ku shoqërohej nga ambasadori amerikan Arvizu.
Lidhur me fshehjen e të dhënave të serverit të kryeministrisë, gjykata ka prerë sot paradite urdhërarrestin për drejtorin e IT në Këshillin e Ministrave, Armando Kasaj. Një tjetër fletëarresti nga gjykata e Tiranës është prerë për një funksionar të dytë të gardës. Ai është shoferi i komandantit të gardës, Margarit Kume.
Prokurorët e çështjes, Adriatik Cani,Blerim Tominaj kërkuan arrest me burg për të tre, por gjyqtari Shkëlqim Mustafai dha masën e sigurisë arrest shtëpie.


NDREA PRENDI QËLLOI MBI FAIK MYRTAJ
“Nga aktet e ekzaminimeve balistike të kryera si në laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë, ashtu edhe në laboratorët e kriminalistikës së FBI në SHBA, rezulton e provuar tej çdo dyshimi se nga arma personale e shtetasit Ndrea Prendi, pistoletë tip Beretta e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z, janë realizuar 11 qitje në drejtim të turmës. Një nga predhat që është qitur nga arma e shtetasit Ndrea Prendi, ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj. Predhat e tjera të qitura prej tij janë gjendur në pemët dekorative dhe në muret e zyrave të UNHCR. Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, ky person duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit tjetër nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke patur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij. Modifikimet e bëra në armën e tij pas ngjarjes, janë provuar plotësisht nga ekzaminimet më të specializuara të kryera nga ekspertët e FBI”, tha kryeprokurorja

SHOFERI KUME NDIHMOI SHEFIN
“Kjo është dhe arësyeja që shtetasi Margarit Kume, me detyrë shofer i Komandantit të Gardës, procedohet për krimin “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal”, thuhet në deklaratën e prokurores së përgjithshme.

U FSHI SERVERI I KRYEMINISTRISË
Gjithashtu, Prokuroria ka hetuar edhe në drejtim të fshirjes së pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të Këshillit të Ministrave. Ekzaminimet më të specializuara të lobaratorëve të FBI-së, konfirmuan përtej çdo dyshimi se në datë 21.01.2011, nga ora 19:24’ deri 19:36’, nga pajisja regjistruese e këtij sistemi, janë kopjuar të dhënat e regjistruara duke i hedhur në një pajisje të jashtme, (që mund të jetë Hard Disd, USB, DVD dhe DVD-Writer). Në momentin që kanë ndodhur ngjarjet, kanë qenë në punë 11 kamera, të cilat kanë qenë të programuara të kryejnë filmime të cilësisë së lartë. Filmimet e regjistruara nuk u vunë dhe janë vënë ende në funksion të hetimit të Prokurorisë, dhe në dt. 22 janar 2011, ora 00.51, pajisjes i është bërë formatim të Hard Diskut duke fshirë kështu çdo regjistrim që kish bërë deri në atë kohë (përfishrë dhe filmimet e ngjarjeve gjatë protestës).
“Për këtë arësye , Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka proceduar duke kërkuar në gjykatë masë sigurimi arrest në burg, për shtetasin Armando Kasaj, si specialist përgjegjës i IT, i cili teknikisht ka kryer veprimet e mësipërme, në funksion të pengimit të zbulimit të së vërtetës, krim ky i parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal si dhe per shperdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, tha Ina Rama.

ARRESTI ME BURG
“Nisur nga pasojat tepër të rënda të kësaj ngjarjeje, veprimet e këtyre personave konsiderohen me rrezikshmëri tepër të lartë shoqërore dhe për këtë arësye, masa e sigurimit arrest në burg e kërkuar nga ana jonë, është masa më e përshtatshme. Në ndryshim nga vlerësimi ynë si prokurori, gjykata ka vendosur që ndaj shtetasve të mësipërm të merret masa e sigurimit arrest shtëpiak. Organi i prokurorisë, në kuadër të një hetimi gjithpërfshirës dhe të gjithanshëm të çështjes, çmon se duhet të vazhdojnë hetimet për të arritur në një konkluzion përfundimtar nëse veprimet e dhunshme në protesën e dt 21 janar, kanë qenë të organizuara dhe, nëse po, cilët janë personat organizatorë.”

HETIMI PËR ORGANIZATORËT
Kryeprokurorja bëri të ditur se do t’i kërkohet Kuvendit heqja e imunitetit për 3 deputetët, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare.
“Për këtë pistë hetimore, hetimi i është ngarkuar shërbimeve të policisë gjyqësore Policisë të Shtetit, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.
Këta të fundit, në përfundim të hetimeve të kryera për këtë vepër penale, kanë përpiluar relacionin përfundimtar për rezultatet e hetimit, duke u sugjeruar prokurorëve pezullimin e hetimeve për veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme” parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal, pasi sipas tyre, janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore por nuk kanë mundur të zbulojnë organizatorë apo nxitës të dhunës të ushtruar gjatë protestës së datës 21.01.2011.Pavarësisht këtij sugjerimi, organi i prokurorisë, në kuadër të një hetimi gjithpërfshirës dhe të gjthanshëm të çështjes, çmon se duhet të vazhdojnë hetimet për të arritur në një konkluzion përfundimtar nëse veprimet e dhunshme kanë qenë të organizuara dhe, nëse po, cilët janë personat organizatorë”, tha kryeprokurorja, e cila njoftoi edhe kërkesën drejtuar Kuvendit për të sqaruar pozicionin e deputetëve në 21 janar.

PYETJE PËRGJIGJET PËR GAZETARËT

Sa vështirë e parashikoni këtë çështje kur të arrestuarit janë në arrest shtëpie dhe jo në burg?

Ne do të ndërmarrim hapat tanë ligjor për të kundërshtuar vendimin e gjykatës. Sepse ka qenë jo i drejtë. Hapat e të tjerë do të jenë hap pas hapi. Nuk mund të themi se kjo masë do të ketë këtë impakt. Provat që janë mbledhur për këta njerëz janë të forta tw qwndrueshme dhe nuk mund të hidhet poshtë akuza.

A ka bashkëpunim mes jush dhe Edi Ramës?
Pyetja është e pasaktë. E para nuk kam deklaruar që urdhërat nuk janë zbatuar për gabime në shkresa. Kam biseduar me drejtorin e policisë së shtetit për këtë gjë. Unë nuk mendoj se kjo tregon për bashkëpunim dhe deklaroj me shumë siguri se nuk ka ndonjë bashkëpunim.

Si i konsideroni akuzat e kryeministrit për përfshirjen tuaj dhe a do të jetë arreste të tjerta?
Roli im në ngjarjen e 21 janarit dhe hetimin është vetëm ai i prokurores së përgjithshme. Ky është pozicioni im dhe nuk e quaj të arsyeshme qw nw kwtw moment të jap informacione për arrestime të mëtejshme. Kjo është në proces hetimi do japim informacion në kohën e duhur.
Ka disa indicie që ne i nxjerrim nga të dhënat që kemi marrë deri më sot. Që disa deputetë të PS kanë imponuar dhunë. Dhe për këtë kërkuam heqjen e imunitetit për tre deputetë.
Hetimi është bërë për organizatorët nga policia dhe ata thonë se nuk mund të identifikojnë organizatorët. Kjo e shkruar me doikument zyrtar. Prokuroria i ka kërkuar policisë së shtetit që të bëjë hetime shtesë në mënyrë që të identifikojmë organizatorët. Dhe ne sot duam të kemi një informacion të qartë se kush e ka bërë protestën. Ne do të bëjmë çdo veprim hetimor për të arritur te e vërteta. Por hetimi do të nxjerrë gjithçka

Ka ardhur ekspertiza balistike për tre viktimat e tjera?
Në përgjigjen që FBI ka sjellë, janë ekzaminuar edhe predhat e viktimës Aleks Nika. Ndërkohë që Hekuran Deda nuk ka pasur një predhë që të mund të ekzaminojej. Sa i përket predhënës së Aleks Nikës, nga laboratori jepet disa shenja njëlloj si predha e Ziver Veizit, por kjo gjw, jo e qartë deri tani. Deri në këtë moment kjo është përgjigja që kemi dhe do tw vazhdojmw hetimet. Vazhdon të mbetet i njëjtë pozicioni i gardistit Agim Llupo që herët qw predha e gjetur te viktima Ziver Veizi ishte e armës së përdorur nga Agim Llupo.
Para një viti patët probleme për fletëarrestet. A patët sot probleme?
Para një viti ne lëshuam urdhërndalimet dhe është e ndryshme nga arrestimet. Ajo që proceduam pas një viti, është se ne kërkuam në gjykatë vendimin e caktimit të masës arrest në burg dhe gjykata vendosi arrest në shtëpi. Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë. Do të shprehim kundërshtitë tona.

ORA 16: 25 PRENDI DEL NGA PROKURORIA
Komandandi i gardes Ndre Prendi ka lene para pak çastesh prokurorine e Tiranes, i shoqeruar nga disa oficere te institucionit qe drejton

ORA 16: 20 ARVIZU MBËRRIN NË  PROKURORINË E PËRGJITHSHME
Ambasadori amerikan Arvizu ka mbërritur në prokurorinë e përgjithshme ku do te mbahet në 16.30 konferenca për shtyp me kryeprokuroren Ina Rama.

ORA 15: 45  DALIN NGA PROKURORIA, KUME E KASAJ
Më pak se 30 minuta pasi kanë hyrë, Margarit Kume e Armando Kasaj, shoferi i komandantit të Gardës dhe shefi i IT të kryeministrsë kanë lënë prokurorinë e Tiranës.

ORA 15: 12 PRENDI E SHOFERI HYJNË NË PROKURORI
Komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi së bashku me shoferin e tij Margarit Kume kanë mbërritur pak çaste më parë në prokurorinë e Tiranës.
Drejtuesi i Gardës së bashku me shoferin shoqëroheshin nga oficerë të Gtardës së republikës. Ata do të merren në pyetje nga prokurorët Adriatik Cami dhe Blerim Tominaj në lidhje me vrasjen e shtetasit Faik Myrtaj. Në prokuori ka mbërritur edhe drejtori i IT së Këshillit të Ministrave.
Sipas ekspertizës së kryer nga FBI, ka dalë se arma e Ndrea Prendit ka goditur protestuesin nga Fieri ndërkohë që në dijeni ka qenë edhe shoferi i tij. Prokurori do ta marrë në pyetje Ndrea Prendin dhe më pas do ti njoftojë akuzën.

HETIMET
Hetimet për 21 janarin 2011 dhe katër vrasjet e protestuesve kanë nisur që vitin e kaluar. Pas mozbatimit të urdhërarresteve vitin e kaluar, prokuroria shqiptare i kërkoi ndihmën FBI dhe nga Amerika ka mbërritur raporti përfundimtar. Ndërkohë prej tre ditësh trupi diplomatik në Tiranë intesifikoi përpjekjet për të mbështetur prokurorinë e përgjithshme në kryerjen e detyrës së saj. Vetë ambasadori Arvizu dha mbështetje për prokurorinë dhe u takua tre ditë më parë edhe me kryeministrin Berisha. Në një intervistë në Top Story të Sokol Ballës ai deklaroi se të gjitha institucionet duhet të pranonin ekspertizën e FBI.

(aq/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash