Prokuroria refuzon dokumentin
sekret të PS kundër Flamur Nokës

Prokuroria refuzon dokumentin<br />sekret të PS kundër Flamur Nokës
Prokuroria e Përgjithshme ka refuzuar një dokument të depozituar nga Partia Socialiste në procesin e hetimit të deputetit demokrat Flamur Noka. Në hetimin që po bën për këtë të fundit në kuadër të dekriminalizimit, Prokuroria ka thënë se dokumenti nuk mund të konsiderohet si provë, pasi është e paqartë. “Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme po kërkon informacione mbi kallëzimin e bërë nga një grup deputetësh, në ngarkim të subjektit Flamur Noka. Kallëzimi është shoqëruar me një material, i cili nuk mund të konsiderohet provë dhe është i paqartë. Për këtë arsye, Prokuroria do të kërkojë materiale shtesë në strukturat e specializuara, për të vlerësuar nëse ka vend ose jo për hetim të mëtejshëm”,-njoftoi dje Prokuroria e Përgjithshme.

Burime pranë Partisë Socialiste sqarojnë për Shqiptarja.com se dokumenti në fjalë, është një akt që ruhej në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ku dega e Sigurimit të Shtetit të Kukësit, në vitin 1991, informonte drejtorinë përgjegjëse në Ministrinë e Brendshme lidhur me disa probleme të dala gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit nga disa shtetas në Kukës. Ky dokument përmban rrëfimin e Flamur Nokës pas rikthimit në atdhe pranë autoriteteve shqiptare, ku tregonte ofertën e UDB-së, refuzimin dhe kthimin. Por Prokuroria e përgjithshme, nisur me logjikën e tanishme ligjore që një material i SHISH nuk mund të përdoret si provë rënduese nga organi i akuzës, por si vetëm si indicie, e ka refuzuar materialin e PS-së, dhe po kërkon informacion plotësues nga organet ligjzbatuese.

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Flamur Noka, po hetohet nga prokuroria me kërkesë të Partisë Socialiste, pasi nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin se është ndaluar nga UDB. Sipas pretendimeve të mazhorancës, por që asnjëherë nuk janë kundërshtuar nga PD e nga vetë Noka, deputeti demokrat ka pranuar se ka marrë një ofertë zyrtare për të qenë agjent i UDB, ku i është kërkuar qëndrimi në ish- Jugosllavi në vitin 1991, dhe duke i siguruar një punë të mirë atje. Kjo ka ndodhur gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit nga ana e Nokës, i cili në atë kohë jetonte në qytetin e tij të lindjes, Kukësin kufitar. Në deklaratat e tij zyrtare para policisë shqiptare në vitin 1991, ai ka pranuar se UDB i ka bërë ofertë të qëndrojë në ish- Jugosllavi, duke i siguruar punë të mirë, por ai ka kërkuar të kthehet në Shqipëri. Në deklaratën e tij, nuk thuhet se ai nuk ka pranuar të punojë për UDB në Shqipëri. Për të gjitha këto, PS nuk është e shqetësuar për kontaktin e tij me shërbimin sekret jugosllav, por për faktin se pse ai nuk ka deklaruar faktin që ka qenë i ndaluar disa ditë prej tyre.


Redaksi online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi