TIRANE- Hetuesit e çështjes së Nazime Vishës pritet të kompletojnë për 10 ditë të gjithë dosjen hetimore ndërsa burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se disa elemente dhe prova të reja kanë përkeqësuar pozitat e Vishës. "Provat dhe dëshmitë e reja të administruara japin dhe përforcojnë një tjetër version nga ai që pretendon e pandehura dhe brenda datës 16 Shtator do të ketë një rivlerësim të akuzës dhe të gjitha gjasat janë që institucioni I akuzës të kërkojë dhe rivlerësimin e masës së arrestit të të dyshuarës", - tha dje një burim i mirëinformuar për çështjen. Të njëjtat burime kanë saktësuar se pika më e dobët e alibisë së Nazime Vishës janë komunikimet telefonike me viktimën Fiqiri Muça. Pasi kanë administruar telefonin e Muçës hetuesit kanë arritur të vërtetojnë se Muça ka patur një komunikim të ngjeshur telefonik mes tij dhe një numri "Vodafon Club" natën e vrasjes dhe gjatë kohës që Muça po shkonte me taksi në fshatin Krrabë.

GJYSHJA

Një tjetër dëshmi e rëndësishme e administruar nga prokuroria është edhe dëshmia e gjyshes së Nazimes. E pyetur në lidhje me një numër telefonik ajo ka pranuar se ishte numri i saj dhe se e përdorte vetëm ajo. Por ky numër telefonik i administruar tashmë nga autoritetet duket se rezulton një numër nga I cili janë bërë shumë thirrje në drejtim të telefonave të Fiqiri Muçës përpara se të ndodhte vrasja. "Një javë, tre ditë, dy ditë përpara vrasjes rezulton nga tabulatet se ka patur një komunikim të ngjeshur telefonik mes numrit që është administruar dhe numrit të Fiqiri Muçës", - thanë dje burime të mirëinformuara. Hetuesit kanë administruar numrin telefonik të Fiqiri Muçës dhe e kanë çuar telefonin e tij për ekspertim. Rezulton nga tabulatet se ai ka patur në këtë periudhë shumë këmbime sms me dy numra Vodafone nga muaji Maj e në vazhdim. Hetuesit dyshojnë se Nazime Visha ka vazhduar të komunikojë me Fiqiri Muçën edhe pas muajit Maj, muaj në të cilin fejesa e saj u prish, e që sipas Nazime Muçës shkaku ishin presionet që Fiqiri Muça i bënte të fejuarit të saj.

Krrabë

Hetuesit e çështjes kanë informuar dy ditë më parë avokaten e Nazime Vishës se nga e hëna e javës tjetër e dyshuara do të përcillet edhe njëherë për në fshatin Krrabë për të rindërtuar edhe njëherë dinamikën e ngjarjes. Këtë përpjekje hetuesit po e bëjnë për të "kopsitur" elementet e fundit hetimorë në lidhje me dinamikën e krimit. Pas kësaj procedure hetimore hetuesit do të rimarrin për herë të fundit në pyetje të dyshuarën dhe do ta pyesin imtësisht në lidhje me të gjitha pikat e "errëta" të ngjarjeve të cilat mbeten ende të paqarta.

(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)