24 orë pas masakrës Prokuroria ka mundur të formulojë akuzën ndaj Xhuvanit, ku burimet nga grupi hetimor thanë për A1 REPORT se mbi 26-vjeçarin do të rëndojnë akuzat për: vrasjen e dy personave apo më shumë kryer në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje si dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
26-vjeçari Xhuvani u arrestua dje nga policia ndërsa tentonte të largohej nga vendi i krimit, si i dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit Arbër Demiraj, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, Edison Jahos, Enea Xhaj dhe shtetasit italian Giampaolo Azzola.
Ndërsa për shokun e tij Erald Sina, 24 vjeç, të arrestuar po dje, hetimet kanë konkluduar se ai është përgjegjës për ndihmën e dhënë autorit të vrasjes. Burime nga grupi hetimor thanë për A1 REPORT se ai do të jetë nën akuzë edhe për konsumimin e veprës penale të ushtrimit të prostitucionit, pasi në dëshminë e tij ka pranuar se ka dhënë lekë për marrëdhënie seksuale me një femër e cila ndodhej në lokalin e natës “Ante Grand”.
Po sot, me urdhër të prokurorisë është lënë i lirë 19-vjeçari Alban Ballcaj, pasi sipas akuzës nuk ka prova që e përfshijnë në ngjarje. Ai është djali i tezes i Arbër Demirajt, djalit të ish-prokurorit Skënder Demiraj, i cili mbeti i vrarë aksidentalisht gjatë përleshjes së armatosur në lokalin e natës.
Me veprën penale që ka kryer Xhuvani, atë të vrasjes së 2 e më shumë personave, sipas neni 79 pika DH e Kodit Penal pritet që këtë herë 26-vjeçari të marrë një dënim deri në burgim të përjetshëm, shtuar këtu dhe armbajtien pa leje e kundërshtim e forcave të policisë.
E teksa ngjarja ka ende momente të pazbardhura për mënyrën se si nisi konflikti dhe a ka patur apo jo persona që janë larguar nga lokali menjëherë pas krimit, një burim pranë patrullës “Shqiponja” që bëri dhe arrestimin e atentatorit Xhuvani, tha për A1Report: Ishim me fat pasi Konstandinit i kishin mbaruar fishekët në pistoletën e tij, pasi në të kundërt mënyra se si ai reagonte ndërsa ne donim ta arrestonim mund të na kish qëlluar dhe neve”.
A1Report ka mundur të mësojë detaje të reja në lidhje me dinamikën e ngjarjes, ku rezulton se vrasjet të jenë kryer nga arma e përdorur nga Xhuvani, e cila ka bërë 6 qitje me plumba tjeshpues çka kanë vrarë në mënyrë aksidentale Demirajn dhe shtetasin italian Giampaolo Azzola, të cilët kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)