Prona, 30 romë do të nxirren nga
shtëpia, përmbarimi u lë 5 ditë afat

Prona, 30 romë do të nxirren nga<br />shtëpia, përmbarimi u lë 5 ditë afat
TIRANË - Tridhjetë persona që flenë dhe zgjohen brenda katër dhomave të improvizuara, pjesë e një godine disa vjeçare. Ata flenë ku të munden, edhe në korridorin e shtëpisë, pasi dhoma nuk i merr të gjithë. Në të gjithë shtëpinë e tyre kanë vetëm një tualet. Ndërsa tani pas 55 vitesh ata janë të detyruar të largohen nga vendi ku janë rritur ,pasi shtëpia që ata kanë do t’i kthehet ish pronarit, në bazë të aktit normativ që u miratua në nëntor të vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për 30 pjesëtarë të fisit Sulejmani, të cilat janë strehuar në një banesë në lagjen e njohur si “Brraka”, në rrugën “Mine Peza”. Ata duhet të dalin jashtë, pasi godina ku ata banojnë, duhet t’i kthehet pronarit. Banorët e banesës njëkatëshe i përkasin komunitetit rom. Ata thonë se jetojnë prej 55 vitesh në atë lagje dhe askush nga institucionet lokale apo qendrore nuk i dëgjon për të gjetur një zgjidhje. Nëse dalin nga banesat ata rrezikojnë të mbeten në rrugë të madhe.

Më e madhja e kësaj familje është Dallëndyshe Sulejmani, thotë  se në banesën njëkatëshe ka pesë kurora, të cilat rezikojnë të mbeten pa strehim. Pasi dje ka shkuar përmbarimi dhe u ka lënë një afat prej pesë ditësh për të dalë nga banesa e tyre. “Kam 50 e një vite këtu, u linda dhe u rrita këtu. I kam rritur fëmijët ku me bukë dhe ku pa bukë. Prindërit e mi shtëpinë e kanë marrë që në kohën e Enver Hoxhës” shprehet gruaja 51 vjeçare.

Ajo shprehet se kur është bërë gjyqi për marrjen e shtëpisë ata nuk janë thirrur fare në seancën e gjyqit. Dallëndyshe Sulejmani thotë se nëse i nxjerrin nga shtëpitë ata nuk kanë ku të shkojnë. “Nuk dalim jashtë se nuk kemi ku të shkojmë, jetojmë duke mbledhur kanaçe dhe me bukë na mban lagja këtu, ata na sjellin  sa herë. Ne jemi këtu 5 kurora. Ne kemi jetuar me krahët tanë, nuk i kemi kërkuar askujt ndihmë, të gjithë këtu në lagje na kanë dhënë, ku një gotë sheqer dhe ku një gotë oriz” thotë 51 vjeçarja.

Ajo shprehet se ata nuk largohen sikur ta dinë se vdesin.  “Ku ti çojmë fëmijët. Burri më ka vdekur herët. Dy djemtë e mij  jetojnë këtu me gratë dhe me fëmijët. Kam edhe gocën me fëmijët që sapo është ndarë nga burri. Le të lahet me gjak ky vend dhe të vdesim të gjithë, por prej këtej nuk largohemi” shprehet Dallëndyshe Sulejmani.

TË JETOSH ME KANAÇE

Luljeta Sulemjamani është nuse në fisin Sulejmani, i cili jeton në banesën që u tentua t’i nxjerrin jashtë. Ajo tregon mënyrën si jeton ajo dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Luljeta rrëfen se është martuar që në moshën 12 vjeçare dhe është nuse në fisin Sulejmani që prej 24 vitesh. Ajo shprehet se jeton duke mbledhur kanaçe dhe shishe plastike nëpër kazanët e plehrave të Tiranës.

“Unë kam 24 vite nuse në këtë shtëpi. Jam martuar që 12 vjeç dhe kam 5 fëmijë. Jetojmë duke mbledhur kanaçe dhe bidonë plastikë. Dal bashkë me fëmijët çdo ditë sepse nuk kemi menyrë tjetër për të jetuar” thotë 36 vjeçarja. Ajo thotë se shpesh herë edhe është zënë me punëtorët  e pastrimit të bashkisë, pasi ata sipas saj i kanë marrë shishet plastike që ajo ka mbledhur.

“Shpeshherë jam zënë me ata të bashkisë sepse nuk m’i lënë thasët me bidonë, m’i marrin. Prandaj dhe i lëmë këtu afër shtëpisë, që t’i ruaj se na vijnë dhe i marrin” thotë ajo. 36 vjeçarja shprehet se shpesh herë ka ngrënë ushqim në plehra për të shuar urinë. Ata janë të sigurtë që për pesë ditë do jetojë në shtëpinë ku janë rritur, më pas fati i tyre nuk dihet.

Lajmi u përditësua

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin