Pronat, BB: Qeveria dështoi
Bum ankesash në Strasburg

Pronat, BB: Qeveria dështoi<br />Bum ankesash në Strasburg
Banka Botërore parashikon që moskthimi ende i pronës tek pronarët e ligjshëm dhe mungesa e titujve të pronësisë të kthehet në një pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE. Marrja e pronës në Shqipëri mbetet ende një ëndërr. Kështu e përshkruan situatën lidhur me pronat Banka Botërore në raportin e saj. Ajo shkon më tej kur thekson se shkak për këtë situatë është “kaosi proceduarial, ligjor dhe korrrupsioni”.
Numri i pronarëve, për të cilët marrja e pronës dhe e titujve të pronësisë mbetet një ëndërr është jo i vogël. Njëri prej tyre, Drini Kurti thotë për programin shqip të Deutche Welle: “Nuk i kam marrë ende pronat në Krujë, që i trashëgoj nga prindërit e mi, të shpronësuar nga regjimi komunist. Janë bërë shumë padrejtësi: janë fallsifikuar dokumenta, janë marrë pronat e të tjerëve. Ku nuk kam shkuar për të marrë pronat e mia.. në qeveri, në Parlament, në gjykatë por asgjë nuk kam arritur. Të gjithë më kanë sorollatur dhe të drejtën time nuk e kam gjetur.”

"Qeveria dhe gjykatat kanë dështuar në çështjen e pronave"
Kjo situatë është në bazë të konstatimit të Bankës Botërore se “qeveria dhe gjykatat në Shqipëri kanë dështuar në zgjidhjen e çështjes së pronës.” Raporti i BB vë në dukje se një dështim i tillë ka filluar që me regjistrimin e paplotë fillestar të titujve të pronësisë, mungesën e kartelave të sakta kadastore dhe informacioni të paplotë për pronësinë. Dhe më pas është rënduar nga zbatimi i paplotë ose moszbatimi i legjislacionit, të hartuar enkas për kthimin ose kompernsimin e ish pronarëve, pronat e të cilëve u konfiskuan nga regjimi i kaluar.
Dështimi i shtetit dhe i gjykatave për të zgjidhur çështjen e pronës ka sjellë ndërkohë vetëgjyqësi, konflikte dhe përçarje sociale, vëren BB. Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” thotë për DË se janë shtuar së tepërmi konfliktet dhe vrasjet për pronën.
“Rastet e konflikteve për tokën dhe pronën janë 4979 në fshat dhe 3163 në qytet. Të dyja bashkë e kalojnë shifrën e 8 mijë vetëve. Është fjala për raste kur ka gjak të derdhur, kur ka të vrarë ”thotë Z. Toro.

Ndërtime të paligjshme dhe prona të papërdorshme.
Banka Botërore në raportin e saj e sheh edhe ekzistencën e qindra ndërtimeve të paligjshme në Shqipëri pikërisht me moszgjidhjen e çështjes së pronës. 1/3 e gjithë ndërtimeve të kryera në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve, thekson raporti, janë të paligjshme. Sipas raportit përgjegjësia “për këtë situatë bie mbi autoritetet shtetërore që nuk kanë penguar zënien e paligjshme të tokës”.
Krahas numrit të madh të ndërtimeve të paligjshme mungesa e titujve të pronësisë ka sjellë në Shqipëri edhe një fenomen tjetër: pronat e papërdorshme. Pronarët që nuk i kanë marrë këto tituj nga Kadastra nuk mund t'i përdorimn për ndërtime apo investime pronat e tyre. Kjo sjell edhe frenimin e investimeve të huaja, aq të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut -shpresë që ëndrra të bëhet realitet
Banka Botërore në raportin e saj konstaton se një numër në rritje i pronarëve i janë drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg për të marrë pronat e tyre.
“Deri tani ka 530 ankimime të pranuara për t'u shqyrtuar nga kjo Gjykatë. Gjatë vitit të kaluur janë dhënë 26 vendime pro pronarëve. Gjithsesi Strasburgu ka tërhequr vëmendjen se çështja e pronave duhet zgjidhur brenda Shqipërisë përndryshe shteti shqiptar do të ndëshkohet.” thotë Agim Toro nga shoqata “ Pronësi me Drejtësi.” Fitimin e proceseve gjyqësore në Gjykatën e Strasburgut nga pronarët, Banka Botërore, në raportin e saj e konsideron “ një mënyrë për të rritur ndërgjegjësimin e BE për shqetësimet që lidhen me të drejtën e pronës në Shqipëri.”
Zgjidhja e problemit të pronës, kthimi i saj tek pronarët e ligjshëm është një nga 12 prioritetet që BE pret të zbatohet nga Shqipëria, për të merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Shqipërisë ky status i është refuzuar nga BE dy vjet rradhazi për shkak të krizës politike dhe mungesës së dialogut politik mes palëve.

(aq/DW/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Makina me turistë bie në kanalin e Butrintit, dy persona të plagosur! Njëri prej tyre në gjendje kritike

Makina me turistë bie në kanalin e Butrintit, dy persona të plagosur! Njëri prej tyre në gjendje kritike