Pronat e Kishës, Bumçi:
Qeveria po zvarrit katolikët

Pronat e Kishës, Bumçi:<br />Qeveria po zvarrit katolikët
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Politikën e Jashtme, deputeti demokrat Aldo Bumçi, akuzoi qeverinë shqiptare se po zvarrit Kishën Katolike, duke mos ngritur një Komision të Përbashkët, ashtu siç parashikon marrëveshja e shtetit shqiptar me Vatikanin.
 
“Lidhur me Marrëveshjen Ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, pse nuk është ngritur komisioni i përbashkët? Unë e di që jeni takuar, por pse nuk keni ngritur komisionin? Shqetësimi ka ardhur nga nivelet më të larta të Kishës Katolike këtu, para pak ditësh, e më thonë “ne takohemi, por nuk na jepet asnjë zgjidhje”. Unë kam shqetësim të drejtpërdrejtë pranë opozitës. Komisioni i përbashkët është institucion që ngrihet në bazë të marrëveshjes. Ata nuk marrin përgjigje, shkojnë nga kryeministria në ministri, nga ministria në kryeministri, dhe asnjë zgjidhje,”-tha Bumçi.
 
Por Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, tha se në këtë drejtim është punuar me takime dy palëshe, por nuk shpjegoi se pse nuk është ngritur komisioni.
 
“Lidhur me marrëveshjen mes Kishës katolike dhe Shtetit shqiptar, më duhet të them se ajo është bërë para disa kohësh. Për herë të parë, me kërkesë të kryeministrit kemi thirrur në Ministrinë e Jashtme drejtuesit e Kishës Katolike, jo një herë, por disa herë gjatë kësaj periudhe. Kemi dëgjuar problemet e tyre, dhe kryesisht janë të karakterit pronësor. Çështja e pronave është një çështje e vështirë në Shqipëri, sepse diku ka vendime gjykatash që urdhërojnë komunitetin të lirojë ambiente, diku ka vendimi të komisionit të pronave, të cilët kanë hyrë në territoret e njohura historikisht si të kishës. Problematikat që paraqitën përfaqësuesit e Kishës Katolike në Shqipëri, dhe avokati i kishës, ishin kryesisht të kësaj natyre. Ajo që bëmë ne, dhe që vazhdojmë ta bëjmë, është në proces, pasi problemet pronësore nuk zgjidhen me një dëshirë të mirë apo me një akt të vetëm. Duhet të evidentojmë problematikën. Ata paraqitën një dosje të plotë të gjitha pretendimeve pronësore që sipas tyre ju ishin atakuar. Për këtë ne kemi njoftuar kryeministrinë, pasi zgjidhja e këtij problemi shumë të vështirë, kërkon bashkëpunimin e disa organeve, si Ministria e Drejtësisë, gjykatat, e kështu me radhë. Jemi në fazën që po evidentojmë se cilat probleme mund të zgjidhen me një akt të ekzekutivit, cilat mund të zgjidhen me vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dhe cilat pastaj janë probleme të pazgjidhshme. Marrëveshja është prej disa vjetësh, është herë e parë që mblidhemi dhe ka impenjim për ta zgjidhur. Unë nuk e di pse ngrihet ky shqetësim, pasi unë që e kam drejtuar këtë aktivitet, nga drejtuesit e kishës, kemi drejtuar vetëm vlerësime, falënderime dhe fjalë të mira që më në fund ky problem po futet në rrugë institucionale”,-tha Qirko.
 
Kisha Katolike u kontaktua nga Shqiptarja.com, por nuk mbajti një qëndrim zyrtar nëse ka apo jo një pakënaqësi të kishës ndaj qeverisë shqiptare.  

Redaksia Online
Shqiptarja.com
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Rusi/ Nis gjyqi ndaj 4 gazetarëve, akuzohen se kanë punuar për organizatën e Navalnyt

Rusi/ Nis gjyqi ndaj 4 gazetarëve, akuzohen se kanë punuar për organizatën e Navalnyt