TIRANE- Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në rregulloren e privatizimit të trojeve shtetërore në bregdet. Rregullorja e re parashikon shlyerjen e tërë shumës së truallit përmes një pagese të vetme, dhe jo periodike.

Nga ana tjetër ndryshimet parashikojnë ulje me 10% të çmimit në rast se pagesa e plotë kryhet nga subjekti brenda një muaji. “Çmimi i truallit së njësisë së ndërtuar apo vlera e pjesës takuese paguhet në mënyrë të vetme, duke u reduktuar në masën 10 për qind, nëse pagesa kryhet brenda 1 muaji, nga njoftimi me shkrim, në përputhje me përcaktimet e pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr. 10186, datë 5.11.2009, ‘Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin’, të ndryshuar”, përcakton Këshilli i Ministrave në rregulloren e re.