Pronat, Toro: Strasburgu
do të ndëshkojë Shqipërinë

Pronat, Toro: Strasburgu<br />do të ndëshkojë Shqipërinë
TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësim me Drejtësi”, njëherësh dhe ish-nënkryetar i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agim Toro, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” deklaroi se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronarëve po ecën me ritme shumë të ngadalta. Për më tepër ai ka nënvizuar faktin se kompensimi financiar është një tallje për këtë shtresë që nuk po gjen zgjidhje për 23 vite me radhë, si dhe fondi për kompensimin fizik ende mbetet një mister. Ai nënvizoi se ende nuk dihet se ku janë parcelat për pronarët, çfarë tokash janë, sa vlerë tregu kanë, pavarësisht se ka vendime të Këshillit të Ministrave për këtë qëllim.

Toro përmend vendimet e Gjykatës së Strasburgut, të cilat duhet të zbatohen, pasi ka penalizime dhe se në mars të këtij viti qeveria shqiptare duhet të raportojë për zbatimin e këtyre vendimeve. Duke sjellë një shembull se një pronar sipas vendimit të kësaj gjykate duhej të kishte marrë 2 milionë euro që nuk i ka marrë, nga dje shteti shqiptar do të paguajë për këtë pronë 160 euro në ditë kamatëvonesë. Sipas tij shtyrja e verifikimit të titujve të pronësisë është një vendim shumë i rëndësishëm i qeverisë, por ajo duhet të veprojë ndaj të gjithë atyre që kanë abuzuar me këto prona. Pasi përkthehet në kosto financiare, e cila është 20 miliardë euro pa legalizimet. Toro ka kritikuar qeverinë në lidhje me mungesën e transparencës por dhe moskonsultimeve me shoqatën për kompensimin e pronave.
 
Ju keni qënë nënkryetar i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Çfarë është bërë deri më tani?
Po them për vitin e fundit, atë që sapo mbyllëm. Kompensimi financiar u realizua sipas vendimit të qeverisë. U shpërnda një fond prej 300 milionë lekësh, i cili për mua ishte një skandal. Ky fond u shpërnda pikërisht në fund të vitit, më 20 dhjetor.
 
Po për kompensimin fizik të pronarëve, pasi është folur shumë se po merren masa dhe për më tepër është përcaktuar një fond toke..?
Kompsimi fizik ka qënë një problem gjithnjë mes qeverisë dhe pronarëve. Ai nuk ka filluar akoma, pavarësisht se ka disa vendime të Këshillit të Ministrave për të vënë në dizpozicion të pronarëve disa sipërfaqe toke, për të cilat nuk ka të dhëna, nëse janë të lira apo jo, nëse janë pronë me origjinë dhe gjëndje shtetërore, nëse janë shpërndarë duke zbatuar ligjin 7501 ose jo dhe nëse janë të zëna me ndërtime pa leje ose jo. Në këto kushte ajo që mund të thuhet është se vetëm duket sikur ka disa sipërfaqe por që nuk i shërbejnë askujt, pasi nuk dihet....
 
Pra ju thoni që është sipërfaqja e përcaktuar nga qeveria për kompensimin fizik të pronarëve...?
Sipërfaqja e tokës për kompensim është, por nuk dihet ku janë parcelat e përcaktuara për këtë qëllim. Plus kësaj nuk ka akoma një vendim të Këshillit të Ministrave për të përcaktuar kriteret dhe mënyrën e shpërndarjes së këtij fondi toke. Në këtë aspekt, i mundshëm akoma është vetëm kompensimi financiar. I cili është në shifra jashtëzakonisht minimale dhe për mendimin tim është vetëm një tallje me pronarët dhe një vatër e të thënit që mund të shërbejë për të ushqyer korrupsionin. Fakti që në 20 dhjetor 2013 u shpërnda fondi 300 milionë lekësh për vitin 2013 ku mënyra e shpërndarjes, në themel të saj kishte numrin dhe datën e vendimit, vendimi më i vjetër më i pari në radhë për të marrë kompesimin, nuk u respektua. Fitoi ai që ishte në radhë në numrin 355 që do të thotë që 305 veta që ishin para tij në radhë u përjashtuan nga kompensimi.
 
Tashmë qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka përcaktuar në buxhetin e ri të shtetit për vitin 2014 një fond të kompensimit financiar për pronarët. Ju jeni të kënaqur?
E njëjta shumë, pra 300 milionë lekë është përcaktuar nga qeveria e re dhe për vitin 2014. Por që në ndryshim nga vitet e mëparshme, viti 2014 do të ketë ndëshkime të mëdha për shtetin shqiptar nga Gjykata e Strasburgut. Në bazë të të dhënave që ka shoqata jonë “Pronësim me Drejtësi” janë rreth 85 vendime të cilat do të dalin deri në muajin qershor nga kjo gjykatë shumë e rëndësishme evropiane për pronarët, mbi bazën e ankesave që kanë mbërritur atje nga qytetarët shqiptarë.

Në një kohë që vetëm dje, më 6 janar qeveria duhej t’i paguante një familjeje që ka fituar gjyqin në Gjykatën e Strasburgut shumën mbi 2 milionë euro, por asnjë nuk është bërë i gjallë deri më tani. Të mos harrojmë që duke filluar që nga dita e sotme(dje) shtetit do ti duhet t’i paguajë kësaj familjeje rreth 160 euro kamatvonesë në ditë. Kjo tregon veçse një papërgjegjshmëri të plotë të institucioneve dhe organeve që merren me këtë problem. Kjo tregon as më shumë dhe as më pak fytyrën e shtetit shqiptar përpara Gjykatës së Strasburgut, Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
 
Ju po thoni se institucionet evropiane do të kërkojnë llogari nga pala shqiptare në lidhje me zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Sreasburgut...?
Absolutisht po. Të mos të harrojmë që në muajin mars të këtij viti shteti shqiptar është i detyruar të raportojë në Këshillin e Evropës për këtë problem, për Gjykatën e Strasburgut dhe zbatimin e vendimeve të saj. Në këtë kuadër ne shikojmë një indiferentizëm të theksuar për të mbajtur ato premtime që u dhanë gjatë fushatës elektorale, ku prona do t’i kalonte pronarit të ligjshëm.
 
Pronarët kanë kërkuar me insistim shtyrjen e afatit të verifikimit të titujve të pronësisë, pasi ende kishte dosje të pashqyrtuara dhe për më tepër ishte abuzuar me to. Qeveria e kryesuar nga Rama me vendim shtyu afatin. Komenti juaj?
Verifikimi titujve të pronësisë ka qënë gjithnjë një problem shqetësues dhe është një element i domosdoshëm. Është marrë një vendim nga qeveria për shtyrjen e afatit. Por nuk mjafton vetëm shtyrja e afatit. Ne mendojmë që duhet që ligjet të veprojnë për t’i hequr titujt e pronësisë të gjithë atyre njerëzve që kanë marrë prona në mënyrë abuzive dhe korruptive. Nëse nuk luftohet korrupsioni me pronat, atëherë, për mendimin tonë, nuk ka asgjë në vijë shteti shqiptar. Të mos harrojmë se çdo pronë që nuk kthehet, transformohet në një faturë financiare që duhet të paguhet nga ana e shtetit shqiptar për pronarët. Dhe në këtë kuadër kostot financiare do të kapin shifrën e rreth 20 miliardë euro, pa përfshirë legalizimet.
 
Pra ende nuk keni përcaktuar diçka të detajuar për kompensimin fizik të pronarëve...?
Nuk dihet ku janë këto toka për të cilat është vendosur se do të jenë për fondin e kompensimit fizik për pronarët. Madje nuk dihet dhe sa është ky fond egzaktësisht. Të sqarohen këto gjëra. Vlerë tregu a kanë këto toka, pra të kërkohen në treg dhe të mos jenë toka jashtë funksionit dhe të papërdorshme dhe pa vlerë tregu.
 
Po me qeverinë e re apo me kryeministrin Rama keni komunikuar si shoqatë për çështjen e kompensimit...?
Eshtë ndërprerë çdo lloj marrëdhënieje me qeverinë. Ajo është duke u mbyllur në një guackë, dhe nuk ka as transparencën më të vogël për këtë proces. Ne si shoqatë u përjashtuam nga marrja pjesë në këtë proces shumë të rëndësishëm dhe që ka të bëjë vetëm me ne, atë të kthimit dhe kompensimit të pronave.
 

 Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit