Prononcim për media pas ngjarjeve të sotme në seancën parlamentare i nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla

U bë e disata herë që Partia Demokratike dhe deputetët e saj mundohen të kthehen në një avaz të vjetër për Kuvendin e Shqipërisë. Këtë gjë e kanë bërë, nëse mbani mend, edhe një vit më parë kur atëherë kishte filluar puna e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. Tashmë gjithë Shqipëria e di që në javët në vijim është gati që paketa e reformës në drejtësi ti vijë Kuvendit dhe arsyeja pse janë kaq të nervozuar dhe të nevrikosur, në dukje, për të bllokuar punimet e kuvendit nuk është fare gjithçka shitet sot. Nuk ka të bëjë fare as me një deputet të përjashtuar nga grupi parlamentar dhe nga Partia Socialiste, sepse ne kemi qenë të qartë dhe të prerë që ditën e parë, çështja ‘Armando Prenga’ i përket vetëm sistemit gjyqësor. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë distancuar prej ditës së parë dhe i’a kanë lenë këtë drejtësisë. Por të gjithë e dimë kush e kontrollon gjyqësorin në këtë vend. Ka ndonjë shqiptar që nuk e di që gjyqësorin në këtë vend e kontrollon Sali Berisha dhe Partia e tij Demokratike? Sigurisht që të gjithë shqiptarët e dinë. Fakti që po afron reforma në drejtësi iu duhet të krijojnë një alibi për të bllokuar punimet e Kuvendit, për të bllokuar pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit për të votuar reformën në drejtësi dhe kthehen tek kënga e vjetër e bllokimit të punimeve, në emër të një kauze që nuk e kanë.   


Përsa i përket çështjes së amendimit të ligjit për integritetin e funksionarëve publik dhe atyre të zgjedhur, unë bëj pjesë tek ata që quhen deputetë të vjetër të Kuvendit tashmë dhe e di fare mirë që një ligj që sapo është miratuar me konsensus, as më pak se dy muaj më parë, tashmë është në fazën e implementimit. Nuk janë ligjet si ndërtimet pa leje në Kamëz, ku vjen njëri hedh një kat, vjen një tjetër hedh dhe një kat tjetër dhe pastaj vjen komshiu hedh dhe ai një kat tjetër. Ligjet janë ligje dhe duhen implementuar. Ligji për integritetin ka kaluar përmes një procesi ku ne kemi marrë në konsideratë të gjitha propozimet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Pra ligji që kemi miratuar ka ardhur si pasojë e shumë propozimeve të ardhura. Në atë kohë nuk i kanë pasur këto propozime. Jam shumë i sigurtë që pas një muaji do sjellin një kat tjetër shtesë, në ndërtimin e tyre pa leje. Se e kanë politikë dhe filozofi, janë parti e ndërtimeve pa leje. Janë parti që nuk dinë sesi bëhet një ligj dhe nuk dinë si implementohet një ligj. Ndërkohë përsa i përket projekt –akteve, pra vendimeve që do marri Kuvendi për pjesën nënligjore të procesit, ju e dini fare mirë se ju mediat na keni transmetuar njësoj si mua si kolegun tim Bylykbashi, ka pasur një frymë shumë konsensuale procesi i përgatitjes. Ku dhe në këtë proces të drejtën e propozimeve të drafteve paraprake e kanë ekspertët e Partisë Demokratike dhe mbi draftet e tyre do të punonim. Kemi thënë dhe unë dhe kolegu Bylykbashi që këtë proces do ta kalonim me konsensus dhe brenda afateve që na ka lënë parlamenti. 


Ka një qerre me propozime, por përsa i përket projekt-akteve, pra ato që lidhen me aktet nënligjore ne do ti marrim në shqyrtim dhe afati dy mujor nuk është shkelur. Do ti marrim ti lexojmë me kujdes, do të bëjmë dhe ne nënvizimet tona. Paraprakisht po ju them me atë që kam arritur të shoh sot, ka çështje që tejkalojnë prerogativat që ka përcaktuar ligji. Por më lejoni që para se të flas unë si politikan, do t’i shqyrtojmë me shpejtësi me ekspertët tanë dhe do të japim dakortësinë tonë. 


E kemi thënë prej ditës së parë, ne jemi të bindur që procesi i dekriminalizimit duhet të ecë përpara dhe do të ecë përpara. Shqetësimi i tyre është që gjithë balta e hedhur në gjithë këto muaj do të bjerë poshtë për shumë kolegë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, apo të zgjedhurve lokalë. Se kanë qenë të gjitha gënjeshtra dhe shpifje përkundrejt përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Çështjen e kriminelëve duhet ta adresojnë shumë shpejt dhe në partinë e tyre. 


Përsa i përket listave të një personi që ka probleme të theksuara psikike, duhet të pyesni atë, unë po ju flas këtu për ligjin. Ligji është shumë i qartë për këtë çështje, aktet do të bëhen, vetdeklarimi është një proces shumë i rëndësishëm. Ndërsa përsa i përket amendamentit, ne e kemi kaluar ligjin me konsensus dhe nuk kemi ne një proces ligjor si ndërtim pa leje në Kamëz. Procesi ligjor ecën me shkallë, është miratuar ligji, ligji duhet të implementohet, për implementimin e tij duhet të miratohen dhe aktet dhe kaq. Sa herë që i teket Partisë Demokratike, sa herë që ka debate në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, sa herë që deputetë të caktuar brenda grupit parlamentar të PD vënë në dyshim ‘lidershpin’ e Lulzim Bashës, Partia Demokratike i kthehet dhunës në sallën e Kuvendit. Sa herë Jozefina Topalli i thotë Lulzim Bashës ti Lulzim nuk ban, vjen Partia Demokratike në seancë dhe prish punimet në Kuvendin e Shqipërisë. 


Do ketë masa disiplinore për deputetët që hodhën vezë në parlament?

Është pjesë e procesit të respektimit të Rregullores së Kuvendit. Deputetë të caktuar të Partisë Demokratike sot kanë hedhur edhe fyerje banale ndaj përfaqësuesve të qeverisë apo deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ajo që do ti bëja thirrje Lulzim Bashës sot është që të distancohet nga deputetë të Partisë Demokratike që kanë thyer rëndë Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Morën peng një 22-vjeçar pasi u përplasën me makinë, në pranga 2 autorët në Tiranë (EMRAT)