Prononcim për mediat i Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta 

Z. Meta, ju vutë një afat të ri për përmbylljen e reformës, çështje javësh. A ka mazhoranca një plan B kur flitet për këtë afat të ri për ta përmbyllur brenda disa javëve?
Unë dua të konfirmoj edhe një herë rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të paketës të ndryshimeve kushtetuese. Duhet të ishte bërë dje, jo sot, akoma më keq të bëhet nesër, sepse ka disa afate të cilat janë bërë publike edhe më parë dhe të cilat lidhen edhe me vetë axhendën e procesit integrimit evropian të vendit tonë, duke qenë se është bërë tashmë publik synimi për të kërkuar rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe dihet që tashmë miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i reformës në drejtësi është një kusht nga ana e BE-së.

Në këtë drejtim unë dua të nënvizoi faktin që diferencat tashmë që kanë mbetur janë mjaft të vogla dhe ato do të shuhen plotësisht pas paraqitjes sot në mos gabohem nga ana e ekspertëve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it të interpretimit të paanshëm dhe profesional nga ana e tyre të dallimeve të deritanishme. Dihet që shumicën e çështjeve i ka ezaurauar në mënyrë të qartë dhe të thelluar Komisioni i Venecias, që është i gjithëpranuar.

Prandaj mesazhi dhe apeli im është të fillojmë sa më shpejt procedurat për miratimin e paketës kushtetuese, që i hap rrugë reformës në drejtësi. Të përqendrohemi të gjithë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim dhe t’i përmbahemi atyre afateve që kemi rënë dakord edhe me Bashkimin Evropian edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerët tanë kryesor që na kanë asistuar që nga dita e parë e nisjes së kësaj reforme dhe që do të na mbështesin edhe më tej në synimet që ka vendi.
Z. Meta ju thatë se si Kryetari i Kuvendit do të bëni gjithçka që është brenda përgjegjësive tuaja për të arritur konsensus. Deri ku do t’i kërkoni opozitës të lëshojë dhe deri kur do t’i kërkoni Partisë Socialiste të lëshojë në emër të këtij konsensusi?

Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë mjaft e angazhuar në mënyrë konstruktive në gjithë këtë proces, por është e rëndësishme që në fund fare kjo reformë të miratohet, të jetë e standardeve ndërkombëtare, kjo është e domosdoshme. Unë besoj që certifikimi i këtyre standardeve nga ana e Komisionit të Venecias dhe përfundimisht edhe i çështjeve që kanë mbetur për t’u debatuar deri sot nga ana e EURALIUS-it dhe OPDAT-it, përfundimisht krijon të gjitha kushtet që këto ndryshime kushtetuese të votohen në Parlament pa vonesa.

Z. Meta, lidhur me një propozim që ka ardhur nga ish-Kryeministri, z. Sali Berisha për të bërë një ndryshim ligjor që parashikon mbajtjen e armëve nga qytetarët shqiptarë. Çfarë mendimi keni për këtë propozim?

Mendoj që miratimi i Reformës në Drejtësi absolutisht do të japë një mundësi të jashtëzakonshme për zbatimin e ligjit në vendin tonë siç dëshirojmë të gjithë qytetarët e tij.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur nga aksidentet