Prononcimi i Bashës në takimin me të rinjtë:

Jo vetëm këtu por anembanë Shqipërisë njerëzit po ngrihen, njerëzit po zgjohen, njerëzit po mobilizohen.

Sepse më 18 shkurt nuk kemi thjesht një protestë opozitare, por fillimin e një lëvizjeje popullore për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur dhe mundësitë për çdo shqiptar; për të rinjtë e goditur rëndë nga situata e arsimit të lartë. Për pacientët dhe familjarët e tyre të goditur rëndë nga korrupsioni në shëndetësi. Për qindra e mijëra shqiptarë që shpresuan 300 mijë vende pune dhe që sot detyrohen të marrin rrugët e emigrimit apo të shtyhen drejt dëshpërimit.

Për mijëra e mijëra shqiptarë që nuk marrin ndihmën që meritojnë nga shteti i tyre, nga taksat e tyre. Nuk marrin asnjë lekë ndihmë ekonomike dhe zgjohen e bien në gjumë pa drita, pa energji elektrike. Për sipërmarrjen që lëngon dhe shkon drejt mbylljes, në vend që të shkojë drejt hapjes dhe shumëfishimit.

18 shkurti është një ditë shprese, një ditë besimi dhe bashkimi, fillimi i një lëvizjeje të madhe që nis me një vendim të madh, që do ta marrim së bashku më 18 shkurt në Tiranë.

Një vendim që do ta çojmë pastaj në çdo cep të Shqipërisë. Vendimi që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do të diktojmë një qeverisje ndryshe, një qeverisje të qytetarëve, një shtet ndryshe, jo shtetin që vret mundësinë, shpresën e çdo të riu dhe i detyron të emigrojnë apo të shkojnë në parcelat e drogës, por shtet i cili financon arsimin e tyre, financon përvojën e tyre të punës dhe mbështet hapjen e vendeve të punës, në radhë të parë për rininë.

Një shtet që mendon për rininë dhe nuk vepron kundër rinisë. Këtë do të garantojë Partia Demokratike përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Për këtë ua jap fjalën sot, jo vetëm këtyre të rinjve, por të gjithë të rinjve shqiptarë. Akti im i parë do të jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë.

Paratë e prindërve, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për të financuar plotësisht universitetet publike dhe nuk do të ketë asnjë student që do të mbetet pa studiuar, të mbetet pa hyrë në Bachelor apo në Master sepse nuk paguan dot.

Do të ketë tarifa të përballueshme sepse paratë e taksapaguesve nuk do të zhduken në xhepat e klientëve të lidhur me Edi Ramën, por do të shkojnë për të financuar arsim të lartë dinjitoz dhe plotësisht të pagueshëm dhe të përballueshëm për çdo të ri dhe të re shqiptare.

Stazhe pune të paguara për një vit për 10 mijë të rinj në vit. Këto janë zgjidhjet që do të japë qeveria ime që vitin e parë. Po, kushtojnë 24 milionë euro në vit që 10 mijë shqiptarë të mos rrinë kafeneve por të fillojnë një stazh pune të paguar nga shteti muaj për muaj për një vit, me anë të cilit do të krijojnë njohje, do të krijojnë përvojë pune, do të jenë më të aftë për të hyrë në një treg pune që do të jetë i çliruar nga ankthi dhe stresi, nga taksat e larta dhe kërbaçi.

Por që të vijnë të gjitha këto, ne duhet të heqim pengesën kryesore, kanë marrë peng Shqipërinë, kanë marrë peng mundësinë e çdo shqiptari.

Fërkojnë duart kur rinia largohet nga Shqipëria sepse e dinë që rinia është rreziku më i madh për qëllimin e tyre kryesor. Dhe qëllimi i tyre kryesor është ta mbajnë Shqipërinë kështu sic është , por ne nuk do ti lejojmë. Rinia po bashkohet qytetarët po bashkohen. 18 Shkurti do të jetë nisja e një lëvizje që do të përfundojë me fitore e cdo qytetari shqiptar.

I garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë që po na bashkohen e do të na bashkohen si asnjëherë tjetër në 18 Shkurt, se kjo do të jetë një lëvizje madhështore popullore paqësore, demokratike por e pandalshme. E pandalshme derisa të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Me zgjedhje të lira dhe të ndershme, platforma e qytetarëve, shteti për qytetarët, qeveria për qytetarët do të triumfojë. Partia Demokratike do të shkojë e sigurtë drejt fitores dhe ndryshimit një herë e përgjithmonë të mënyrës sesi bëhet politikë në këtë vend. Kasta e korruptuar dhe e inkriminuar do të përmbyset. Pushteti do ti kthehet qytetarëve.

Tani bashkë me të rinjtë e zonës 7 do të shkojmë derë më derë për të ftuar cdo qytetar, se, njeri pa halle, edhe në këtë zonë në mes të Tiranës,  nuk ka. Dhe për ti dhënë jo thjesht një ftesë për protestë, por një ftesë për një zgjim të madh qytetar.

Më 18 Shkurt, ngrihemi për zgjim të madh qytetar. Në dorë do ta kenë qytetarët, nuk do ta kenë më në dorë pushtetarët e korruptuar.

Pyetje: Zoti Basha duket sikur keni gjetur shkopin magjik dhe mezi prisni 18 Shkurtin,  të rrëzoni qeverinë?​
Basha:
 Nuk kam shkop magjik unë. Nuk ka zgjidhje magjike. Nuk ka premtime fallco dhe gënjeshtra nga Lulzim Basha. Por kam bindjen më të thellë se kur qytetarët ngrihen, kur rinia ngrihet, kur bashkohemi nuk ka  qeveri të korruptuar e të inkriminuar ta mbajë peng Shqipërinë, ta mbajë peng rininë, ti mbajë peng prindërit e tyre, të mbajë peng interesin publik.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Mjeti përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital