Prononcimi i Manjanit

“Këshilli i Ministrave pasi ka shqyrtuar në tërësi gjendjen e kriminalitetit në vend, veprimtarinë e prokurosisë shqiptare, si dhe pasi ka shqyrtuar në mënyrë statistikore gjendjen e ndëshkueshmërisë së krimit në vend, ka arritur në konkluzionin që për vitin në vijim, prokuroria shqiptare të fokusohet në këto drejtime kryesore:

Së pari, në forcimin e pavarësisë, paanshmërisë dhe të rolit aktiv të prokurorit të hetimit paraprak.
Së dyti, në kryerjen e hetimeve të shpejta dhe efikase.
Së treti, në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Së katërti, në forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë dhe në rritjen e kolegjialitetit në vendimmarrje në këtë Këshill, për të siguruar të drejta të plota në menaxhimin e karrierës së prokurorëve.

Rritja e numrit të hetimeve nga ana e Prokurorisë është domosdoshmëri. Ne e çmojmë të arsyeshme dhe shumë të nevojshme që prokuroria, prokurori duhet të ketë komandë të plotë në çështjen hetimore që në fazat e hershme të hetimit. Një hetim profesional, i paanshëm dhe i shpejtë, i drejtuar me profesionalizëm nga prokurori që në fazat e hershme hetimore, ne çmojmë që është kusht i domosdoshëm për suksesin e çështjes në fazat e mëvonshme, në gjygj dhe për pasojë në rritjen e shkallës së ndëshkueshëmërisë së krimit. Nxisim sigurisht veprime të menjëhershme proceduriale siç janë kqyrjet e vendit të ngjarjes, sekuestro, për të cilat prokurori ka autoritet ligjor t’i kryejë menjëherë. Kjo nuk është çështje që besojmë apo nuk besojmë, kjo nuk mund të jetë një çështje “ping pongu” se kush e ka përgjegjësinë dhe për çfarë, por nxisim absolutisht prokurorin që të jetë aktiv në këtë fazë hetimore, pra në fazat e hershme.

Nuk mund të rri pa përshëndetur Prokurorinë e Vlorës për sekuestron e disa mijë metrave katrorë tokë truall, që në atë zonë është shumë problematike. Janë aktivitete të krimit të organizuar pasuria e të cilit është shpesh herë lënë në harresë, pak për shkak të tërheqjes së prokurorëve nga ana proceduriale, ashtu edhe nga ana e gjyqtarëve të Republikës, të cilët nuk kanë qenë ndoshta të vëmendshëm në rastin më të mirë. Kështu që përvoja të kësaj natyre, siç kanë ndodhur në Vlorë, Shkodër, apo në disa prokurori të tjera, përfshirë edhe Tiranën, të cilën duhet ta nxisim akoma më shumë, sepse është prokuroria më e madhe në vend, duhet të kryejnë sekuestro konservative, për t’i dhënë ndëshkimin e shpejtë dhe të merituar krimit.

Padyshim që në sugjerimet dhe në rekomandimet që jep Këshilli i Ministrave është lufta kundër korrupsionit. Është kryerekomandimi i Këshillit të Ministrave për veprimtarinë e prokurorisë dhe ne kërkojmë hetim të plotë për të gjithë, pavarësisht shkallës së hierarkisë që gjendet në administratën shtetërore.

Hetimi është diçka e domosdoshme. Hetimi i veprimtarisë publike, hetimi i sjelljes së zyrtarëve publikë në raport me interesin publik, është i domosdoshëm dhe ne jemi të interesuar që të ketë sa më shumë veprimtari hetimore të pavarur nga ekzekutivi, absolutisht të pavarur nga ekzekutivi, sepse opinioni publik kërkon të dijë të vërtetën. Nxisim hetim të shpejtë, të çdo episodi, situate akuze publike, dokumenti apo fakti që ekspozohet publikisht ose dhe në rrugë të tjera, të hetohet me shpejtësi, profesionalizëm dhe më tej akoma, nga një hetim i mirë dhe profesional, të jemi të bindur që do të ketë edhe ndëshkim shembullor ligjor.

Padyshim viti që shkoi ishte një vit i rëndësishëm për prokurorinë. Në këtë fushë ka patur zyrtarë të lartë më shumë se asnjëherë tjetër nën hetim dhe procedura hetimore dhe kjo meriton një përgëzim për shërbimin e prokurorisë dhe nga ana tjetër është dhe një nxitje për vitin në vijim, të shtohet numri, pa asnjë ndrojtje, i zyrtarëve të lartë, edhe më të lartë, duke filluar nga Ministri i Drejtësisë pa asnjë kompleks, për çdo episod që ka nevojë për hetim.

Ka përfunduar koha kur ekzekutivi refuzon të zbatojë urdhrat e prokurorisë. Për këtë ekzekutiv, urdhri i prokurorisë është ligj. Kjo është e panegociueshme dhe e padiskutueshme. Urdhri i prokurorisë është i detyrueshëm për zbatim për këdo dhe ndaj kujtdo. Nuk kemi asnjë lloj kompleksi të kësaj natyre. Çështjet që janë sot objekt i diskutimit publik janë nga më të shumtat dhe kjo na çon tek një rekomandim tjetër që ia sugjerojmë prokurorisë për një marrëdhënie shumë më të zhdërvjelltë me publikun sesa deri sot. Në fund fare ju të gjithë flisni në emër të publikut, merrni vendime në emër të publikut dhe publiku meriton më shumë informacion, meriton më shumë përgjigje profesionale për çështjet që ngrihen dhe e shqetësojnë praktikisht në emisionet e lajmeve të çdo dite. Kjo është shumë e rëndësishme ta kuptojmë, ashtu siç duhen trajtuar me shumë përgjegjshmëri kërkesat që vijnë nga qytetarët apo institucionet”, u shpreh ndër të tjera z. Manjani

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar