Prononcimi i Ministrit Gjiknuri pas përfundimit
të mbledhjes së Komitetit për Shkencën dhe Teknologjinë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Prononcimi i Ministrit Gjiknuri pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit për Shkencën dhe Teknologjinë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
 

 
Pata rastin sot që të flas përpara Komitetit për Shkencën dhe Teknologjinë në Asamblenë e NATO-s. Fola për zhvillimet në fushën e energjisë dhe gazit, një pjesë shumë e rëndësishme e axhendës strategjike të sigurisë së NATO-s por dhe rolin që ka Shqipëria në të.
 
Bëra një parashtrim të këndvështrimit të qeverisë shqiptare se si e shikojmë ne projektin e Korridorit Jugor të Gazit, përfitimet rajonale dhe jo vetëm për Shqipërinë nga kompletimi në kohë i Korridorit. Janë shumë mundësi të mëdha që hapen, qoftë për diversifikimin e portofolit energjitik në Shqipëri por edhe për të diversifikuar portofolin e energjisë në rajon. Është një mundësi reale dhe e artë për ta kthyer tanimë Shqipërinë në një nyje energjitike në rajon.
 
Kompletimi i këtij projekti në kohë, nuk duhet të shihet thjesht si ekonomik por një projekt shumë i rëndësishëm strategjik i vet Aleancës Euroatlantike. Ky projekt kontribuon në sigurinë energjitike të Bashkimit Evropian dhe sigurinë energjitike të vendeve të Evropës Juglindore, që janë anëtare të NATO-s një pjesë por edhe kandidatë për anëtarë të Bashkimit Evropian.
 
Diskutimi qe shumë interesant, ngjalli shumë pyetje nga pjesëmarrësit dhe ne na u dha mundësia që të tregojmë se çfarë po bëjmë ne si qeveri dhe si vend për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin edhe nëpërmjet këtyre projekteve ekonomiko-strategjike.
 
Z.Gjiknuri, edhe në këtë takim u vu re tension midis përfaqësuesve të Azerbaxhanit dhe të Armenisë. A ka kjo ndikim tek projektet e mëdha si gazsjellësi TAP?
 

Patjetër, unë e thashë se çdolloj konflikti, sidomos kur është i dhunshëm dhe vë në pikëpyetje sigurinë e vendeve sjell rreziqe për kompletimin e projekteve në kohë. Prandaj Shqipëria dhe aleanca e NATO-s është shumë e interesuar për paqen dhe stabilitetin e gjithë Korridorit Jugor të Gazit dhe vendeve që janë anëtare të këtij korridori. Kompletimi i këtij projekti në kohë do të varet patjetër edhe nga stabiliteti gjeostrategjik i të gjitha vendeve. Ky korridor kalon në Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali. Unë besoj se asgjë nuk do ta vërë në pikëpyetje dhe shpresojmë se stabiliteti në Azerbaxhan të jetë i siguruar. Jam i sigurtë se në një kohë të caktuar edhe ky konflikt do të zgjidhet, megjithëse ka pasur dhe ka forca të cilat duan ta vënë në pikëpyetje këtë projekt apo kompletimin e tij në kohë. Patjetër, energjia është një nga elementët më të rëndësishëm, shpeshherë edhe burim i konflikteve. Ndonjëherë energjia shfaqet edhe si element i forcës. Patjetër, do të ketë fuqi që do të investohen në mënyrë të vazhdueshme që Evropa të mos diversifikohet dhe ky projekt të mos zbatohet në kohë apo të mos përfundojë me sukses.

Z.Ministër, ju përmendet se ka faktorë të cilët duan destabilitetin. A mos është Rusia ajo që e do destabilitetin edhe për shkak të dëshirës së saj për të patur kontrollin e gazit në Evropë?
 
Secili i nxjerr vet konkluzionet dhe nuk dua të bëj komente për vende të veçanta. Besoj se do të jetë në të mirë edhe të Rusisë, të Bashkimit Evropian që të kemi diversifikim të burimeve. Pasja e një lloj marrëdhënieje unike ose në njëfarë mënyre hegjemonike e varësie të dy poleve, qoftë e njërit që furnizon apo qoftë e tjetrit që konsumon nuk është e mirë për asnjë nga palët. Diversifikimi duhet të jetë në zemër të Bashkimit Evropian dhe të vet kontinentit evropian përfshirë edhe Rusinë.

Z. Gjiknuri, pati interes edhe gjatë mbledhjes së komitetit, pse po rikthehet vëmendja e Shqipërisë tek gazi? Ju përmendet gjithashtu edhe planet për zhvillimin e energjisë nga burimet e diellit dhe erës, a mund të na thoni diçka më shumë?
 
Duhet ta kuptoni se dielli dhe era nuk kanë qenë pjesë e portofolit energjitik shqiptar për shkak të mungesës së inçentivave ekonomike. Destabiliteti financiar në sektorin energjitik ka bërë të pamundur nxitjen e investimeve. Përmirësimet e viteve të fundit, konsolidimi i sektorit, hapja e tregut dhe implementimi i reformave bazuar tek direktivat evropiane do të mundësojë edhe përfshirjen e erës dhe diellit por në sasi të kontrollueshme. Kjo nuk është një gjë e re pasi që në Dhjetor qeveria ka miratuar planin kombëtar për energjitë e rinovueshme ku ka përfshirë në të kapacitete deri në 50 mega për energjinë diellore dhe 30 mega për energjinë nga era. Vërtet mund të duken sasi të vogla por ne nuk duhet të përsërisim gabimet që kanë bërë vende të tjera apo edhe vet Shqipëria më përpara duke dhënë licenca në mënyrë të pakontrolluar, pa bërë bërë skemën për qëndrueshmëri ekonomike. Përndryshe do të krijoheshin sërish kriza financiare në sektorin energjitik.

Përsa i përket gazit, e them se është shumë i rëndësishëm për disa arsye. Nëse ne duam ti japim vlerë portofolit tonë hidrik, pra baseneve tona të mëdha e rezervave energjitike, ne duhet ti japim vlerë duke patur edhe duke patur një burim stabël energjie siç është gazi. Fenomenet klimaterike ndikojnë shpeshherë në prurje jo të mira në lumenjtë tanë çka bën që të kemi mungesa në energji. Pasja e një burimi ekstra të prodhimit të energjisë me gaz, siç është rasti i artë për Termocentralin e Vlorës që do lidhet me gazsjellësin TAP, mund të shërbejë pozitivisht në bilancin energjitik të vendit. Kjo do të bëjë që të kemi interesa ekonomike edhe më të mëdha nga portofoli ynë hidrik.

Do të kemi mundësinë ta shesim energjinë hidro në momentet e pikut dhe përdorim përzierjen mes hidros dhe gazit si furnizim bazë për nevojat e energjisë elektrike. Mendoj se është strategjia e duhur dhe qasja e duhur që po ndjek qeveria shqiptare me përfundimin e Masterplanit të Gazit dhe më tej me krijimin e tregut të gazit në Shqipëri.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar